Vuçiqi akuzon Kurtin për gjendjen në veri
30 Maj 2023Presidenca e Serbisë ka publikuar sot pamje nga mbledhja e Këshillit të Sigurisë Kombëtare, ku është cituar edhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiqi, të ketë thënë se "Republika e Serbisë do të jetë e fortë dhe e palëkundur në mbrojtjen e popullit të saj”. Presidenti Vuçiq ka kërkuar edhe mbrëmë nga KFOR-i "mbrojtejn e popullit serb" duke theksuar se Serbia mbetet e përkushtuar për një zgjidhje paqësore të gjendjes.
Por ai ka kërcënuar se "Serbia nuk do të lejojë ndonjë përndjekje apo vrasjen e serbëve në Kosovë". Presidenti i Sebisë akuzoi kryeministrin Kurti për "përshkallëzimin e situatës dhe për qëllime destabilizimi të këtij rajoni me qëllim dëbimin e serbëve". Vuçiqi pohon se ka kaluar natën në mesin e usharëve serbë të vendosur pranë linjës kufitare me Kosovën. Ai ka urdhëruar ushrinë serbe të jetë në gjendjen më të lartë të gatishmërisë për luftë.
Edhe mediat e afërta me qeverinë serbe kanë njoftuar mbrëmë tërë kohën se "serbët e paarmatosur janë sulmuar nga trupat e NATO-s dhe nga policia", ndërsa në analizat e disa mediave tërë kohën flitej se kryeministri Kurti është ai që "po provokon një konflikt mes KFOR-it dhe serbëve".
Daçiq paralajmëron "destabilizim të rajonit"
Ministri i Jashtë, serb Ivica Daçiq paralajmëron për mundësinë e destabilizimit të rajonit, sikur edhe shumë analistë të afërt me qeverinë serbe në Beograd. Ndërsa ndërhyrja e policisë dhe KFOR-it shihet si e "paarsyeshme". Policia dhe KFOR-ikanë përdorur dje gaz lotsjellës dhe shok-bomba për të shpërndarë protestuesit serbë, të cilët kanë sulmuar trupat ndërkombëtare, policinë dhe gazetarët. Dhjetëra persona janë lënduar, disa prej tyre rëndë.
Ndërsa kryeministri Albin Kurti thotë se ai "është i vetëdijshëm dhe se i kupton shqetësimet e ngritura nga partnerët ndërkombëtarë për zhvillimet e djeshme në veri", por sipas tij, "çdo opsion tjetër, do të ishte mos përmbushje e obligimeve". Ai ka ftuar qytetarët serbë të Kosovës që të bashkëpunojnë me kryetarët e rinj dhe kabinetet e tyre.