Vuçiq: Heqja e barrikadave pas garancive nga SHBA e BE
29 Dhjetor 2022Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç pas takimit që zhvilloi me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës, tha se largimi i barrikadave nga rrugët në veriun e Kosovës do të fillojë mëngjesin e së enjtes. "Për 24 orë apo 48 orë do të hiqen barrikadat”, tha Vuçiq. Ai mbrëmjen e së mërkurës takoi përfaqësuesit e serbëve nga Kosova në Rashkë në jug të Serbisë dhe njoftimi se barrikadat do të hiqen erdhi në ditën kur një gjykatë në Prishtinë vendosi lirimin nga paraburgimi të ish policit serb, Dejan Pantiq, arrestimi i të cilit çoi në bllokimin e rrugëve në veriun e Kosovës. Presidenti serb Aleksandër Vuçiq tha se Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kanë garantuar se "asnjë nga serbët që vendosën bllokadat, nuk do të ndiqet penalisht”.
SHBA-BE: Çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet
Të mërkurën, SHBA-ja dhe BE-ja në një deklaratë të përbashkët thanë se ato janë të shqetësuara për tensionet e vazhdueshme në veri të Kosovës, ndërkohë që "janë duke punuar me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, për të gjetur një zgjidhje politike që të ulen tensionet në veri të Kosovës”.
"SHBA-ja dhe BE-ja mirëpritën garancitë e lidershipit të Kosovës që konfirmuan se nuk ka lista për arrestimin e qytetarëve serbë ose përndjekjen e atyre që protestojnë paqësisht apo për vendosjen e barrikadave. U bënë thirrje të gjithëve që të marrin veprime të menjëhershme për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit duhet të respektohet dhe çdo formë e dhunës është e papranueshme dhe nuk do të tolerohet", thuhet në reagim. Po ashtu SHBA-ja dhe BE-ja kanë kërkuar nga palët që të zbatojnë "pa vonesa të gjitha detyrimet e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, që ndërmjetësohet nga blloku evropian”.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pas kësaj deklarate të SHBA-së dhe BE-së, mblodhi në Jug të Serbisë përfaqësuesit e serbëve të Kosovës të cilët arritën në disa konkluzione që i lexoi Vuçiq pas takimit. "Besimi i serbëve në institucionet diskriminuese të Prishtinës nuk ekziston, dhe është i pamundur të arrihet”, tha Vuçiq. "Ne nuk kemi besim te Albin Kurti, dhe nuk mund të kemi. Nëse vazhdojnë arrestimet dhe terrori kundër popullit serb, do ta mbyllim përgjithmonë veriun e Kosovës për institucionet diskriminuese të Prishtinës. Pastaj, do të vendosim barrikada që nuk do të hiqen kurrë dhe që për Prishtinën ato do të jenë një kufi që nuk do të kalohet kurrë”, u tha në deklaratën që e lexoi Vuçiq. Po ashtu Vuçiq tha se në këtë deklaratë kërkohet nga ai "të mos ketë njohje të pavarësisë së Kosovës, në asnjë formë, sepse Kosova është territor i Serbisë”. Presidenti serb tha se kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës "kushtëzohet me Marrëveshjen e Brukselit, e cila flet për formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe”.
Kurti: Serbët të aplikojnë për punë
Një ditë më parë Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u bëri thirrje serbëve të Kosovës "që të aplikojnë për punë në institucionet e Kosovës”, pasi që ata në mënyrë masive u tërhoqën nga institucionet. Pritet që heqja e barrikadave në veri të Kosovës pritet të ulë tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Serbia në fillim të javës me urdhër të Presidentit të saj Vuçiq, ngriti në "gjendje të plotë gatishmërie ushtarake ushtrinë dhe policinë”, duke thënë se Kosova e ka bërë të njëjtën gjë. Autoritetet e Kosovës mohuan këto deklarime dhe ministri i Brendshëm i Kosovës, Xhelal Sveçla i cilësoi ato "pjesë të propagandës serbo-ruse që synojnë destabilizimin e Kosovës”. Forcat paqeruajtëse të udhëhequra nga NATO-ja nga ana e tyre thanë se "Forcat e Armatosura të Serbisë nuk kanë nevojë për autorizim nga KFOR-i që të lëvizin dhe stërviten në territorin e tyre, por duhet të kërkojnë leje për t'u afruar më shumë se një mijë metra nga kufiri me Kosovën. Ndërsa, "Forca e Sigurisë së Kosovës, FSK nuk mund të vendosen në veriun e Kosovës pa leje paraprake nga komandanti i KFOR-it”.