Vuçiq: Para Serbisë janë ditë të vështira
23 Janar 2023Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, pas takimit me zyrtarët ndërkombëtarë në Beograd nuk ishte optimist. Ai tha se "Serbisë i është bërë e qartë se cilat mund të jenë pasojat e refuzimit të planit gjermano-francez". Edhe pse presidenti i Serbisë tha se e ka pranuar që plani të jetë bazë për marrëveshjen përfundimtare për Kosovën, ai para gazetarëve theksoi se "Serbia nuk do të pajtohet për një gjë". Shumëkush e vlerësoi vizitën e fundit të delegacionit nga SHBA, BE, Franca, Gjermania dhe Italia si një ultimatum, ndërkohë që reagimet e autoriteteve të Serbisë krijuan vetëm një konfuzion tjetër në opinion. Në deklarata thuhej se "nuk mund të flasim për këtë", "nuk po fshehim asgjë", por "Vuçiqi nuk do të lejojë asnjë surprizë", e ka pasur madje edhe të tilla "se në fund do të vendosë populli".
Ultimatumi
Realisht, ajo që dëgjuam prej delegacionit duket si një ultimatum, thotë për Deutsche Wellen analisti politik Gjorgje Vukadinoviq. "Por, na pëlqen apo jo, ky është një realitet që pritej”. Muajt e kaluar kemi pasur një shtrëngim gradual të lakut, e duket se tani është marrë vendimi që kërkesa nuk mund të refuzohet më plotësisht. Nuk mendoj se është çështje e përfunduar tani, por mendoj se është një hap në drejtim të pranimit të asaj që edhe vetë Vuçiq thotë se e pranon”, thotë bashkëbiseduesi ynë.
Komentatori i politikës së jashtme Boshko Jakshiq nuk i sheh si ultimatum mesazhet e ardhura nga Perëndimi. Ai thekson, se "nuk e ka paraqitur kështu as Vuçiqi, i cili ka thënë se ka qenë nën presion, por kjo nuk është asgjë e re”. Mendoj se në kontekstin e krizës ukrainase, Perëndimi dëshiron ta heqë çështjen e Kosovës nga rendi i ditës. Është një ofertë objektive dhe realiste, dhe një lloj zgjidhjeje për këtë çështje ndoshta do të kishte rëndësi historike. Fakti që po ndodh nën presion është vetëm rezultat i faktit se autoritete të ndryshme në Serbi nuk kanë dashur të vendosin për zgjidhjen e problemit të Kosovës për dy dekada”, tha Jakshiq për DW.
Konsultimet
Presidenti i Serbisë paralajmëroi konsultime të gjera me qeverinë, parlamentin serb dhe të gjitha grupet e rëndësishme shoqërore. Nga ana e opozitës, kjo ishte arsyeja për të kritikuar Aleksandar Vuçiqin, të cilin e fajësojnë se i ka negociuar dhe i ka marrë vetë të gjitha vendimet për Kosovën, ndërsa tani ai dëshiron të ndajë përgjegjësinë me të tjerët. Pjesa pro-evropiane e opozitës mbështeti qëndrimin e Vuçiqit, ndërsa të gjitha së bashku çuan në faktin që autoritetet e kthyen tani diskursin drejt nevojës për mbështetjen e Vuçiqit dhe të unitetit politik të vendit. Është veçanërisht interesant fakti që qeveria premton konsultime për propozime që nuk mund t'i zbulojë, me shpjegimin se akoma janë në fazën e diskutimeve. Por në të njëjtën kohë pretendon se i gjithë procesi është transparent dhe se asgjë nuk po fshihet nga qytetarët.
Besoj se Vuçiqi do të mbajë konsultime, sepse kjo është një metodë e mirë për të fituar kohë, thotë Gjorgje Vukadinoviq. “Gjithashtu, duke marrë parasysh burimet dhe shkallën e kontrollit të flukseve sociale, politike e mediatike, atëherë ky debat mund të drejtohet në një drejtim të dëshirueshëm”. Kjo do të jepte të paktën iluzionin e një marrëveshjeje më të gjerë. Nëse, për shembull, Vuçiqi përballet me një Jo të madhe dhe të fortë, atëherë ai do të jetë në gjendje të fshihet pas kësaj përgjigjje. Çështja është se ai dëshiron të ndajë përgjegjësinë për Po ose për Jo”, beson Vukadinoviq.
Mbështetja sigurisht që do të ishte e mirëseardhur, vëren Boshko Jakshiq, "sepse një skenar i alarmimit dhe ngritjes së masave, ndoshta me ftesë të Kishës, sigurisht që nuk do të ishte i mirë dhe do të destabilizonte politikisht Serbinë". Ndërsa kontrolli i mediave do të ishte një avantazh në këtë rast, thotë Jakshiq.
Pika katër kontestuese
Nuk është plotësisht e qartë se për çfarë do të zhvillohen konsultimet, sepse mbetet ende sekret se çfarë është në propozimin gjermano-francez. Mediat e Beogradit kanë publikur disa detaje të këtij dokumenti. Pengesa më e mundshme për palën serbe është pika katër, ku thuhet se "Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare".
"Kjo është çështja që duket më e kontestueshme, sepse hap perspektivën e anëtarësimit të Kosovës në Kombet e Bashkuara (OKB). Mendoj se konsultimet e brendshme të paralajmëruara do të sillen rreth kësaj. Formalisht, ajo nuk varet nga Serbia, por pajtimi i Serbisë me këtë pikë sigurisht që do ta vështirësonte frontin e refuzimit për anëtarësimin e Kosovës në OKB, që ekziston brenda Këshillit të Sigurimit, e veçanërisht në mesin e vendeve anëtarëve të Bashkimit Evropian (BE) që nuk e kanë njohur Kosovën”. vlerëson Gjorgje Vukadinoviq.
Referendumi i harruar?
Deklarata e kryeministres Ana Brnabiq, si dhe disa deklarata të tjera në mediat serbe – që thonë se do të vendosë populli – riktheu në skenë idenë tashmë disi të harruar të referendumit për Kosovën. Nisur nga këto deklarata, duket se autoritetet serbe nuk kanë hequr dorë nga referendumi për pranimin e planeve konkrete për Kosovën.
Boshko Jakshiq beson se nuk ka nevojë të shpallet referendum për nënshkrimin e marrëveshjes së paqes. "Mjafton të ratifikohet marrëveshja e paqes në parlament. Në këtë pikë, një referendum do të nënkuptonte ndarjen dhe konfliktin në shoqëri, nëse jo edhe një luftë civile. Nëse Kisha Ortodokse Serbe e kundërshton zyrtarisht marrëveshjen, Vuçiqi nuk mund ta fitojë atë referendum as me ndihmën e të gjithë 700.000 anëtarëve të Partisë Përparimtare Serbe (SNS). Pyetja është, pra, për çfarë shërben e gjithë kjo nëse kthehemi sërish në pozitat fillestare”, tërheq vëmendjen Jakshiq.
Çështja është shumë e madhe, ashtu si edhe presioni, dhe nuk është e pamundur të vendoset çështja në një referendum, vëren Gjorgje Vukadinoviq.
"Referendumi është një mënyrë për të pranuar ose refuzuar çështjen, por formulimi i pyetjes së referendumit është gjithashtu i rëndësishëm." Mendoj se referendumi është një zgjidhje mjaft e rrezikshme për qeverinë, veçanërisht nëse doni që marrëveshja të pranohet. Por mund të jetë i dobishëm nëse dëshironi të fshiheni pas ndonjë Jo-je për refuzimin e marrëveshjes”, përfundon Gjorgje Vukadinoviq.