1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Plani i Vuçiç:„Me Kosovën ai paguan tolerimin e autokracisë“

14 Shtator 2024

Presidenti serb, Vuçiç doli me një plan pesëpikësh si reagim ndaj zhvillimeve në veri të Kosovës. Analisti politik Dragomir Angjelkoviç thotë për DW se i gjithë plani më kot përpiqet të fshehë përgjegjësinë e Vuçiqit.

https://p.dw.com/p/4kcjK
Presidenti serb, Vuçiç me syze, dora ngritur
Fotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance

Masat e autoriteteve në Prishtinë, të cilat shkaktuan tensione të reja Serbi-Kosovë ishin arsyeja e një "fjalimi të posaçëm” të presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç. Përmes tij Vuçiç u përpoq në një farë mënyre të ndalë kritikat e opozitës, e cila gjatë gjithë verës theksonte se autoritetet serbe nuk bëjnë asgjë për të ndalur persekutimin e serbëve dhe institucioneve serbe në Kosovë. Madje u spekulua se mediat e regjimit kishin marrë udhëzime, që të shkruhej sa më pak për temën e Kosovës dhe në vend të saj të theksohej tema e nxjerrjes së litiumit.

Kritikat kulmuan javët e fundit, sepse në vend që të kishte një qëndrim zyrtar të qeverisë, Aleksandar Vuçiç organizoi një karvan medial-politik nëpër Podrinje, duke u bërë palaçinka ushtarëve, ndërsa Prishtina demontonte simbolet e fundit të ekzistencës së institucioneve serbe në Kosovë.

Protesta të serbëve të Kosovës në Zveçan kundër kryetarëve shqiptarë të komunave, tel me gjemba, flamur serb, maj 2023
Protesta të serbëve të Kosovës në Zveçan kundër kryetarëve shqiptarë të komunave, maj 2023Fotografi: Bojan Slavkovic/AP/picture alliance

Pesë pikat e Beogradit

Pas këtyre kritikave, presidenti i Serbisë doli në opinion me një plan prej pesë pikash. Ai përsëri foli për të ashtuquajturën hipokrizi të Perëndimit dhe tha se Serbia do ta kundërshtojë atë kudo në arenën ndërkombëtare. Si pikë të parë ai theksoi kthimin në gjendjen e mëparshme - mbajtjen e zgjedhjeve lokale në veri të Kosovës, kthimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve serbë, tërheqjen e forcave speciale të policisë së Kosovës nga veriu, formimin e menjëhershëm të Asociacionit të Komunave Serbe, lirimin e të gjithë "të burgosurve politikë” dhe mundësimin e kryerjes së pagesave.

Analisti politik Dragomir Angjelkoviç konstaton se në këtë mënyrë Vuçiç po përpiqet të kalojë fajin e tij te Perëndimi. "Vendet perëndimore, që e kanë njohur Kosovën, sigurisht që ndihmojnë në proceset e pavarësisë së Kosovës, por problemi është, kur presidenti i Serbisë u ndihmon në këtë. Sa herë që ka thënë se gjoja e kanë mashtruar, ai ka vazhduar të bëjë lëshime. Kështu që Vuçiçi e paguan me Kosovën tolerimin e sundimit të tij autokratik”, thotë Angjelkoviç për DW.

Nëse me pikën për kthim në gjendjen e mëparshme Vuçiç nënkupton situatën para se serbët të tërhiqeshin nga institucionet e Kosovës, Angjelkoviç kujton se: "Vuçiçi u ka bërë thirrje serbëve, që të tërhiqen nga institucionet e Kosovës dhe të humbasin pushtetin lokal që kishin”. "Ai i ka shtyrë serbët direkt në humnerë dhe tani pret që ai të jetë viktima dhe i gjithë populli të këtë mirëkuptim për të. Tani varet nga Uashingtoni dhe Brukseli se a do të bëjnë presion ndaj Kosovës, por kur bën një gabim të tillë gjeopolitik, të tjerët nuk e rregullojnë për ty”, beson Angjelkoviç.

KFOR në Leposaviq, serbët mësynë godinën e komunës, maj 2023
KFOR në Leposaviq, serbët mësynë godinën e komunës, maj 2023Fotografi: Marjan Vucetic/AP/picture alliance

Një tjetër pikë e planit të Vuçiçit është shpallja e Kosovës si zonë e mbrojtjes së veçantë sociale, me të cilën do të jenë të garantuara e drejta e mbështetjes financiare për të papunët, tekstet shkollore falas, paratë për ushqim e të ngjashme.

Këtë hap Dragomir Angjelkoviç e sheh „si përpjekje të Vuçiçit për të blerë me para serbët në Kosovë, për t`u ofruar para që të mbijetojnë dhe të qëndrojnë, por me para nuk mund të blihet siguria. Kështu që, nëse nuk plotësohet pika e parë, do të jetë e vështirë të mbash serbët në Kosovë në këtë mënyrë."

Rezistenca e institucioneve serbe është një pikë tjetër, sipas së cilës siç thotë Vuçiç, "institucionet serbe nuk do të zhvendosen”, por do të marrin zyra moderne, që do të jenë një kilometër larg Zubin Potokut dhe Rudnicës. „Këto janë tani institucione në mërgim", vëren Angjelkoviç. „Natyrisht që Serbia nuk do të mbyllë institucionet e veta, por Kurti ato në një pjesë të madhe i ka mbyllur dhe ky nuk është kompensim për gjendjen e mëparshme, është humbje e plotë."

Si të arrestosh Klintonin dhe Blerin?

Beogradi synon të formojë edhe një prokurori speciale, e cila do të ndjekë penalisht të gjithë ata, që „përzënë" serbët nga Kosova dhe rrezikojnë të drejtat e tyre njerëzore. Kjo përfshin edhe serbët që marrin pjesë aty. Si pikë e fundit është vendimi, që të gjitha vendimet e Prishtinës, që janë në kundërshtim me Marrëveshjen e Brukselit, të shpallen të paligjshme.

Vuçiç me gishtin ngritur
Fotografi: Darko Vojinovic/AP/picture alliance

Dragomir Angjelkoviç verën se këtu bëhet fjalë për „qëndrime të vjetra socialiste-radikale". "Kujtojmë që në kohën e tij Millosheviçi paditi Klintonin, Blerin dhe kushedi kë tjetër. Nga kjo natyrisht nuk doli asgjë. Të vetmit që mund të vuajnë tani janë serbët, kundërshtarët e qeverisë së Vuçiçit, të cilët do të akuzohen për bashkëpunim me Prishtinën”.

Marrëveshja e Brukselit në vend të kushtetutës

Kur bëhet fjalë për mosnjohjen e vendimeve, që bien ndesh me Marrëveshjen e Brukselit, Angjelkoviç tërheq vëmendjen se edhe këtu degradohet shteti i Serbisë: "Çështja qendrore duhet të jetë respektimi i Kushtetutës së Serbisë. Ky është një dokument shumë më i rëndësishëm se marrëveshja e Brukselit. Prandaj Vuçiç flet për të e jo për Kushtetutën e Serbisë." Angjelkoviç është i mendimit, se duke pranuar planin franko-gjerman ai po cenon integritetin e Serbisë dhe po pranon de fakto pavarësinë e Kosovës.