Vritet në Afganistan një ushtar gjerman
6 Maj 2013Për herë të parë pas gati dy vjetësh është vrarë përsëri në Afganistan një ushtar gjerman. I ndjeri u përkiste trupave të elitës KSK dhe është anëtari i parë i forcave speciale që ra duke kryer detyrën. "Ky është një lajm i hidhur dhe i dhimbshëm," - tha ministri i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere në Berlin. Ushtarët gjermanë ishin qëlluar me armë zjarri, kur ishin duke mbështetur të shtunën forcat e policisë afgane në një operacion kundër kryengritësve në provincën e trazuar Baghlan. Një ushtar i dytë i trupave KSK u plagos, por tani jashtë rrezikut.
Në sulme të tjera në jug dhe perëndim të vendit, u vranë shtatë ushtarë amerikanë. Kjo ishte një nga ditët me humbje më të mëdha për trupat ndërkombëtare që nga fillimi i vitit. Talebanët kanë njoftuar një mësymje të pranverës.
Ministri gjerman i Mbrojtjes, Thomas de Maiziere tha në Berlin se "rruga deri në përfundim të mandatit të ISAF në fund të vitit 2014 është e gjatë dhe e vështirë, dhe mbetet shumë për të bërë: trajnim dhe përkrahje, negociata, zhvillim ekonomik, punë e mirë e qeverisë në Afganistan, dhe me sa duket edhe luftë ... " Por sipas ministrit "Rruga mbetet e drejtë, edhe objektivat për periudhën nga vitit 2015 në vazhdim po ashtu. Ne nuk do ta braktisim popullin afgan."
Ministri i Jashtëm Federal Guido Westerwelle u shprehu familjarëve të ushtarit të vrarë ngushëllimet e tij. "Ne jemi me mendje pranë familjes dhe të gjithë të afërmeve të ushtarit të rënë. Dhe ndjejmë dhe vuajmë edhe me ushtarin e plagosur."
Ne do të na duhet të përballemi me pengesa edhe në të ardhmen, tha politikani në kuadër të kongresit të partisë liberale FDP në Nyremberg. "Angazhimi në Afganistan është i rrezikshëm dhe ende nuk ka stabilitet. Por megjithatë është e drejtë që tërheqja e trupave tona ushtarake të vazhdojë. Ne siç u ra dakord në plan ndërkombëtar, do të vazhdojnë tërheqjen e forcave tona luftarake deri në fund të vitit 2014." - tha ministri i Jashtëm Federal Guido Westerwelle.