Vritet një pjestar i xhandarmërisë serbe në kufirin Kosovë-Serbi
28 Gusht 2014Forcat paqeruajtëse të KFOR-it dhe misioni EULEX, i dënojnë fuqishëm të gjitha kalimet e paligjshme të vijës kufitare administrative Kosovë-Serbi si dhe dënojnë të gjitha veprimet e dhunshme apo të paligjshme. Ky reagim i KFOR-it dhe EULEX-it u bë pas incidentit të një dite më parë (27.08)kur në kufirin Kosovë-Serbi pati një shkëmbim zjarri. Sipas mediave lokale në Prishtinë, shkëmbimi i zjarrit ka ndodhur ndërmjet prerësve ilegalë të pyllit dhe xhandarmërisë serbe, ku një pjestar i policisë serbe ka mbetur i vrarë.
Agjencia serbe e lajmeve Tanjug, shkruan se ministri serb i Punëve të Brendshme Nebojsha Stefanoviç, pas vdekjes së pjesëtarit të xhandarmërisë si pasojë plagëve të mara afër kufirit me Kosovën, ka njoftuar se ka urdhëruar shtimin e numrit të policëve serbë në këtë kufi.
"Kam urdhëruar që në këtë pjesë të zonës tokësore të dërgohen forca të fuqishme policore, të cilat do të mbrojnë jetën e pjesëtarëve të policisë, të popullatës lokale dhe interesat vitale të vendit tonë", ka thënë Stefanoviç, citon Tanjug.
Ndërkohë, në Kosovë Komandanti i KFOR-it, gjeneral major Salvatore Farina, dhe zv/shefja e EULEX-it, Joëlle Vachter, u kanë bërë thirrje të gjitha autoriteteve për të rritur kontrollet në mënyrë që të parandalohen të gjitha aktivitetet e paligjshme të prerjes së drunjve. "Prerja e paligjshme e drunjve është një dëm i madh për sa i përket ndikimit ekologjik dhe ekonomik të rajonit dhe më e rëndësishmja prerja e paligjshme gjeneron dhunën, si dhe përleshjet ndëretnike. KFOR-i, në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in, në përputhje me mandatin e tij dhe brenda mjeteve dhe aftësive të veta po punon që të kontribuojë në normalizimin e situatës. Në përputhje me Marrëveshjen Ushtarake Teknike, KFOR-i dhe forcat e armatosura serbe do të vazhdojnë të kryejnë patrullime të sinkronizuara përgjatë kufirit", thuhet në komunikatën e Forcave Paqerujatëse.