Vriten shtatë punonjës të OKB në Afganistan
2 Prill 2011Në Kandahar në jugun e vendit, u vranë pesë vetë. Qindra demonstrues përdorën parrulla antiamerikane, dogjën makinat dhe bllokuan një rajon policie. Edhe në Herat, në perëndim të Afganistanit ka pasur protesta. Të premten një turmë e ndezur pas lutjes së të premtes sulmoi zyrën e Kombeve të Bashkuara në Masar-i-Sharif duke vrarë shtatë punonjës të huaj të OKB-së. Gjatë sulmit u vranë edhe të paktën 5 demonstrues dhe u plagosën më shumë se 20 persona të tjerë.
Reagime ndërkombëtare
Këshilli i Sigurimit të KB ka dënuar ashpër sulmin. 15 vendet anëtarë të instancës më të lartë të OKB-së, kërkuan nga qeveria afgane marrjen e masave dhe zbardhjen e plotë të ngjarjes. Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Ban Ki Moon u shpreh: "Ky sulm është një akt i shëmtuar dhe burracak, i cili nuk mund të justifikohet në asnjë mënyrë". Presidenti i SHBA-së Barack Obama, deklaroi se viktimat ishin gra dhe burra të guximshëm, të cilin punonin për rindërtimin e Afganistanit.
Ashtu si edhe politikanë të tjerë të lartë të botës, edhe Westerwelle shprehu "indinjatë të thellë". Për të vrarët, misioni në Afganistan, kërkoi çmimin maksimal, tha Westerwelle.
Sulmi i së premtes ishte sulmi më i përgjakshëm për OKB-në në Afganistan. Drejtuesi i këtij misioni, Staffan de Mistura u shpreh se megjithatë OKB do të vazhdojë punën e saj në vend. Shefi i policisë së Masar-i-Sharifit fajësoi talibanët se ishin ata orkestruesit e gjakderdhjes. Një zëdhënës i kryengritësve e hodhi poshtë këtë.
Drejtësia amerikane e pafuqishme
Djegia e koranit në një kishë të Floridas e cila shkaktoi një valë zemërimi, apo edhe djegia simbolike e librave, kategorizohet në SHBA si shprehje e lirisë së mendimit, e cila është sanksionuar në paragrafin e parë të kushtetutës. Aty i garantohet qytetarëve amerikanë shprehja e lirisë së mendimit.
Gjykata e Lartë e SHBA-së është marrë disa herë me çështjen se ku duhen vendosur kufijtë e lirisë së mendimit. Gati gjithmonë gjyqtarët më të lartë kanë vendosur kundër këtyrë kufijve, edhe atëherë kur, kur shprehja e lirisë së mendimit nga shumica e shoqërisë konsiderohet si e shëmtuar apo edhe lënduese.
Autor: AG/Arapi
Redaktoi: Aida Cama