1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vriten në Afganistan dy gazetarë të Deutsche Welle-s

Klaus Feldkeller7 Tetor 2006

Në veri të Afganistanit janë vrarë të shtunën dy gazetarë gjermanë. Ministria e brendshme afgane dhe trupat ushtarake ndërkombëtare ISAF, e konfirmuan vdekjen e dy bashkëpunëtorëve të Deutsche Welles. Gazetarët ishin Karen F. dhe partneri i saj Christian S.

https://p.dw.com/p/Aqax

Intendanti i Deutsche Welle-s, Erik Bettermann, u shfaq i tronditur mbi vdekjen e dy bashkëpunëtorëve:

"Ky është një moment ku reflektojmë dhe pyesim veten se ç´do të thotë kjo për ne si një stacion ndërkombëtar, i cili përpiqet të ndërmjetësojë mes kulturave. Mos vallë kjo është një goditje për ne? Unë mendoj, se duhet ta vazhdojmë rrugën që kemi nisur dhe të mos i japim asnjë shans forcave radikale, sido që të kenë qënë motivet e tyre, që të bllokojnë apo pengojnë dialogun që mundësojnë gazetarët."

30 vjeçarja Karen F. ishte prej 3 vitesh bashkëpunëtore e lirë e Deutsche Welles. Reporterja punonte për programet gjermane dhe angleze të këtij stacioni. Tema kryesore e punës së saj ishte konflikti në Lindjen e Afërt dhe rindërtimi i Afganistanit. Përpara pak ditësh ajo raportoi për Deutsche Wellen nga Libani dhe ka qënë disa herë në Afganistan, prej ku raportonte rregullisht mbi zgjedhjet dhe rindërtimin e vendit. Edhe partneri i saj, Christian S ishte gazetar. Intendati i Deutsche Welles, Erik Bettermann:

"Ata të dy vdiqën në një vend, të cilit i përkushtuan të gjithë angazhimin e tyre dhe që mendoj se e donin ndërkohë, përndryshe nuk do ta kishin planifikuar udhëtimin e tyre privat sërish në Afganistan."

38-vjeçari Christian S. punoi për 1 vit për Akademinë e deutsche Welles, si trajner për mediat në Afganistan. Përveç kësaj ai ka punuar edhe për stacionin televiziv të Deutsche Welles, DW-TV nga shumë vende në zhvillim në Azinë Jugore dhe në Lindjen e Afërt. Të dy gazetarët vlerësoheshin nga kolegët e tyre si kompetentë dhe të besueshëm. Intendanti Erik Bettermann thotë:

"Ne do ta shohim këtë ngjarje si një pjesë apo detyrë të rëndësishme të punës sonë. Kështu i kuptoj unë kolegët e Deutsche Welles, të cilët janë prekur nga kjo tragjedi. Ne nuk e shohim këtë ngjarje si një fat personal, por si një detyrë të përbashkët, të cilën duhet ta kryejmë më tej. Mendoj se vetëm kështu do ta mbajmë gjithmonë kujtimin e mirë për Karen dhe Christianin."