Von der Leyen rizgjidhet Presidente e Komisionit të BE-së
18 Korrik 2024401 deputetë votuan për Ursula von der Leyen në Parlamentin Evropian, 284 votuan kundër saj. Nga 707 vota të hedhura 15 ishin abstenime dhe shtatë fletë votimi ishin të pavlefshme.
Presidentes 65-vjeçare të Komisionit të BE-së i nevojitej për një mandat tjetër pesë-vjeçar një shumicë absolute prej 361 votash nga 720 deputetë që ka Parlamenti. Rezultati i saj kësaj here ishte më i mirë se në para pesë vjetësh, kur ajo u zgjodh në këtë detyrë me një shumicë të ngushtë prej nëntë votash.
Megjithatë von der Leyen nuk mori mbështetjen e plotë të Partisë së saj Popullore Evropiane (EPP), për shembull, republikanët francezë votuan kundër saj. Po ashtu mund edhe nga radhët e socialdemokratëve dhe të grupit parlamentar liberal Renew mund të ketë pasur disa deputetë që nuk votuan për von der Layen.
Ursula von der Leyen u mbështet me vota të shumta nga grupi i deputetëve të Gjelbër. Gjatë votimit të fshehtë në Parlament nuk ka pasur presion për të votuar si grup parlamentar.
Von der Leyen dëshiron "Evropë të fortë"
Në fjalimin e saj për një mandat të dytë në detyrë, presidentja e Komisionit të BE-së Ursula von der Leyen kërkoi një "Evropë të fortë" dhe u shpreh për një luftë të vendosur kundër demagogëve dhe ekstremistëve. Evropa nuk mund të kontrollojë diktatorët dhe demagogët në mbarë botën, tha politikania e CDU, por ajo mund të angazhohet për të mbrojtur demokracinë e saj dhe të investojë tek siguria dhe mbrojtjen e këtij kontinenti.
Von der Leyen kritikoi ashpër vizitën e kryeministrit hungarez Viktor Orban në Moskë. Vizita e tij te presidenti rus Vladimir Putin ishte një lëshim për një politikan që ka nisur një luftë agresioni kundër Ukrainës, tha ajo.
Forcimi i aftësive mbrojtëse dhe i Frontex-it
Nisur nga lufta agresore e Rusisë në Ukrainë, von der Layen u shpreh pro fuqizimit të kapaciteteve mbrotjtëse. BE-ja do të investojë më shumë për sigurinë e saj. Madje për herë të parë do të emërohet edhe një komisioner i BE-së për mbrojtjen. Gjithësesi NATO do të vazhdojë të mbetet shtylla e mbrojtjes evropiane.
Von der Leyen sugjeroi gjithashtu zgjerimin e Agjencisë së Mbrojtjes së Kufijve Frontex. Kjo agjenci me seli në Varshavë do të ketë në të ardhmen 30,000 nëpunës civilë, shkruan politikania e CDU në udhëzimet e saj për pesë vitet e ardhshme
Sipas von der Leyen kjo agjnci do të pajiset gjithashtu me "teknologjinë më moderne për mbikëqyrje". Ajo propozoi gjithashtu një "sistem të ri të përbashkët për kthimin” e emigrantëve dhe deklaroi se dëshiron të thellojë bashkëpunimin me "vendet e tranzitit dhe të origjinës”.