1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kërkesë e qartë Ursula von der Leyen në Kosovë

31 Tetor 2023

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha në Prishtinë se duhet themelimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, në mënyrë që KE-ja t’i heqë masat ndëshkuese ndaj Kosovës.

https://p.dw.com/p/4YDfQ
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen me xhaketë të kuqe takon para hyrjes për bisedime në shkallë kryeministrin , Albin Kurti
Presidentja e KE, Ursula von der Leyen dhe kryeministri KurtiFotografi: Office of the Kosovo presidency

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von der Leyen, u bëri thirrje autoriteve të Kosovës që të nisin procedurat për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, dhe këtë bazuar në draft-propozimin e ofruar nga vendet e  perëndimit. Von der Leyen i bëri thirrje edhe Serbisë që ta njohë "de facto", Kosovën. Pas një takimi që zhvilloi në Prishtinë me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, presidentja e Komisionit Evropian, tha se draft-statuti i propozuar së fundi nga diplomatët evropianë, është në qendër të bisedimeve për heqjen e masave ndëshkuese ndaj Kosovës që BE-ja i ka vendosur më herët.

Ursula von der Leyen dhe kryemnistri Kurti para mediave
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

"Është absolutisht e rëndësishme që të dyja palët të angazhohen, të bashkëpunojnë dhe bashkërisht diskutuam temën që Kosova mund të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe. Serbia duhet të bëjë njohjen de facto, të cilën do ta diskutoj nesër në Serbi dhe sigurisht dialogu i Bashkimit Evropian është vendi për t'i diskutuar këto tema”, tha Von der Leyen. 

Von der Leyen: Asociacioni hap derën për të pasur qasje në planin e rritjes së BE-së

Zyrtarja e lartë evropiane tha se me presidenten Osmani, dhe kryeministrin Kurti, ka diskutuar se çfarë mund të bëhet për të hequr masat ndëshkuese ndaj Kosovës. "Këtu është çështja e draft-statutit në qendër të diskutimeve dhe praktikisht është një hap i rëndësishëm përpara në normalizimin e raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Është thelbësore dhe sigurisht që do të hapë derën për të pasur qasjen në planin e rritjes së BE-së dhe ne po punojmë në këtë drejtim. Këtu na duhen të dyja palët të bëjnë pjesën e tyre, por është po ashtu është me rëndësi që jo vetëm të ketë shtensionim të situatës por edhe të lëvizet në rrugën drejt BE-së”, tha Von der Leyen.

Të martën presidentja e KE do të diskutojë në Beograd edhe me autoritetet e Serbisë lidhur me detyrimet  e tyre, duke mos dhënë më shumë hollësi. "Unë do të diskutoj hapat që janë të nevojshëm për Serbinë për njohjen de facto të Kosovës, do të diskutoj me presidentin se si mund të materializohet kjo, kështu që kjo është shumë e rëndësishme, pa diskutim”, tha ajo.

Presidentja e KE, Ursula von der Leyen takohet me  presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani
Fotografi: Office of the Kosovo presidency

Osmani: Draft-statuti do t'i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha nga ana e saj, se sa i përket draft-statutit për Asociacionin e Komunave me shumicë serbe, dokumenti  do t'i nënshtrohet vlerësimit të Gjykatës Kushtetuese. "Kur të shkojë ky draft-statut në Gjykatën Kushtetuese, si presidente e Republikës do t'i dërgojë të gjitha komentet me shkrim, se cilat pjesë të atij drafti duhet të sqarohen që zbatimi të jetë në plotni me Kushtetutën tonë”, tha presidentja Osmani.

Dy ditë më parë, Presidenti francez Emmanuel Macron, Kancelari gjerman Olaf Scholz dhe Kryeministrja e Italisë Giorgia Meloni, zhvilluan takime të ndara në Bruksel me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe Presidentin e Serbisë Aleksandar Vuçiq. Në një deklaratë të përbashkët Macron, Scholz dhe Meloni, thanë qartë Kosova të nisë procedurën për themelimin e Asociacionit, ndërsa Serbia të njohë "de-facto",  shtetësinë e Kosovës. Kryeministri i Kosovës Albin Kurti tha se ai ishte i gatshëm të nënshkruante propozimin për Asociacionin, i cili parasheh që Gjykata Kushtetuese të japë vlerësimin e kushtetutshmërisë. E Presidenti i Serbisë Aleksadar Vuçiq tha se ai është i gatshëm të përmbushë gjithçka që përfshihet në marrëveshjen për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, por që jo edhe "njohjen e Kosovës dhe anëtarësimin e saj në Kombet e Bashkuara”. E autoritet e Prishtinës thonë se "marrëveshja e Brukselit duhet të zbatohen tërësisht dhe jo vetëm me copëza”.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndodhet në një turne në Ballkanin Perëndimor për të shpalosur planin e investimeve të BE-së për këtë rajon. Plani i rritjes kap shifrën e mbi 6 miliardë euro, nga të cilat 2.1 miliard prej tyre janë në formë të granteve dhe 4 miliardë të tjera në formë të kredive.