1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Kosovës i duhet ende punë që t'i hiqen masat ndëshkuese

26 Tetor 2024

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha që BE-ja dëshiron ta shohë Kosovën si partnere dhe ta bëjë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së.

https://p.dw.com/p/4mGWh
Ursula von der Leyen veshur me kostum blu dhe me buqetë lulesh për vizitë në Kosovë
Ursula von der Leyen viziton KosovënFotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e përgëzoi e Kosovën për punën që ka bërë në agjendën e reformave nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Deri para përfundimit të vitit, sipas von der Leyen, Kosova do të përfitojë 60 milionë euro nga kjo paketë.

"Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor është i planifikuar që t'i sjellë ekonomitë e rajonit më afër tregut tonë të përbashkët dhe që të integrohen në tregun tonë të përbashkët. E dimë që suksesi i madh i zgjerimit nuk janë vetëm marrëveshjet politike dhe ndarja e vlerave, por është dhe prosperiteti ekonomik që e kemi parë te shtetet që i janë bashkuar BE-së".

Masa ndëshkuese ndaj Kosovës

Bashkimi Evropian, vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës vitin e shkuar për shkak të rritjes së tensioneve në veriun e Kosovës, të banuar me shumicë serbe dhe veprimeve të pakoordinuara të qeverisë. Në pyetjen e DW-së se kur mund t'i heqë BE-ja masat ndëshkuese ndaj Kosovës, Von der Leyen, tha se Kosova duhet të punojë edhe më shumë që t'i hiqen masat.

"Është shumë e rëndësishme të punojmë së bashku, dhe ne kemi përshëndetur hapjen e kufirit dhe avancimin e përfaqësimit të Kosovës në CEFTA dhe pas kësaj duhet të punojmë për hapa të mëtejshëm në mënyrë që të arrijmë në një pikë ku mund të hiqen masat. Edhe kjo do të ndihmojë të binden shtetet anëtare, pasi siç e dini të gjitha shtetet anëtare duhet të jenë dakord për çdo hap. Ne të dyja jemi të përkushtuara të gjejmë hapat e nevojshëm për të arritur këto qëllime. Për mua është e rëndësishme që ta shohim Kosovën si partneren tonë dhe ta bëjmë të mundur rrugën e Kosovës drejt BE-së”, tha von der Leyen në një konferencë të përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani.

Ursula von der Leyen veshur me kostum blu me Vjosa Osmanin
Ursula von der Leyen në konferencë shtypi me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin Fotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

Presidentja e Kosovës nga ana e saj, tha se masat e BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta, prandaj ajo me ngulm kërkon heqjen e tyre.

"Është koha e fundit që masat e padrejta të largohen përfundimisht, sepse rrjedhimisht këto masa kanë dëmtuar edhe procesin e dialogut, duke e bërë të pabarabartë dhe pa rezultat”, tha Osmani. Ajo beson që shumë shpejt edhe aplikimi i Kosovës për në Bashkimin Evropian të marr trajtimin e merituar, gjithnjë duke mbetur e përkushtuar që "për të avancuar vlerat demokratike, duke fuqizuar gjithnjë e më shumë pozitën dhe potencialin ekonomik. Për Kosovën, sytë janë kah BE-ja sot dhe përgjithmonë”, tha Osmani.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ndërkaq, tha se  zgjerimi i BE-së do të jetë në krye të agjendës në mandatin e dytë si presidente e KE-së, ndërsa, është e përkushtuar që "vendeve të Ballkanit Perëndimor t'u sigurojë të gjitha mjetet e nevojshme për anëtarësim në BE”.

"E di që viteve të fundit Kosova ka punuar shumë për ta përforcuar demokracinë dhe sundimin e ligjit dhe dua t'ju siguroj juve dhe Kosovës se në mandatin tim të dytë zgjerimi do të jetë në krye të agjendës. Për mua është njëra prej projekteve më të mëdha. Për këtë arsye do të punojmë bashkë që të vazhdojmë tutje, sepse jam e përkushtuar për një të ardhme ku të gjitha shtetet e Ballkanit Perëndimor t'i kenë të gjitha mjetet dhe instrumentet e nevojshme që ta bëjmë këtë realitet”, tha Von der Leyen, duke shtuar se blloku evropian ka përshëndetur vendimin e Kosovës për hapjen e pikës kufitare në Merdarë për mallrat nga Serbia.

Zgjerimi i BE-së në agjendën e von der Leyen

Presidentja e Komisionit Evropian Ursula Von Der Leyen, tha "Në mandatin tim të dytë, zgjerimi do të jetë në krye  të agjendës, sepse jam e përkushtuar që gjashtë vendet të jenë pjesë e bllokut. Plani i rritjes për Ballkanin Perëndimor është plan për afrimin e ekonomive të shteteve të Ballkanit me ekonominë e BE-së, dhe këtu tani i kemi sektorët e tregut të përbashkët, për kompanitë e vendeve të Ballkanit Perëndimor dhe për këtë na duhen reforma për të cilat tashmë ka një plan dhe fond. Kosova ka bërë një punë të shkëlqyeshme në këtë agjendë, dhe tash mund te fillojmë me lansimin e fondeve të para. Është një projekt ku e shohim Kosovën, dhe varet nga ne, e hapat e para janë shumë premtues. Në ketë kontekst dua të vlerësoj marrëveshjet që u nënshkruan dy javë më parë në Berlin, vendimin për lejimin e mallrave serbe në Kosovë, financimin e pajisjeve, skanerëve me rreze X, që do të vendosen në pika kufitare me Serbinë”, tha Leyen.

Osmani: Me padurim për të vazhduar bashkëpunimin e shkëlqyer

Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, e përgëzoi Ursula von der Leyen, për rizgjedhjen e saj në krye të Komisionit Evropian, duke e siguruar se "Republika e Kosovës ka dëshmuar se përafrimi i politikave me ato të BE-së, nuk është vetëm fjalë por janë vepra”.

"Pres me padurim të vazhdojmë bashkëpunimin e shkëlqyer, që kemi ndërtuar qe sa vite. Ky është një lajm jashtëzakonisht i rëndësishëm për Kosovën dhe shtetet e tjera në Ballkanin Perëndimor. Mezi presim që të zbatojmë reformat e përfshira në këtë plan dhe të përfitojmë sa më shumë.  Kosova për gjatë kësaj kohe do të përfitoj 882 milionë euro nga fondet e BE-së, si përfituesja më e madhe për kokë banori, nga të gjitha shtetet tjera përfituese”, tha Osmani.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, vizitoi Kosovën në kuadër të turneut të saj në vendet e Ballkanit Perendimor. Ajo erdhi në Kosovë pas vizitës në Serbi, ku takoi Presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, por, anuloi një takim të paraparë me kryeministrin e Serbisë, Millosh Vuçeviq, pasi që kryeministri i Serbisë takoi paraprakisht një ministër rus.

Ursula von der Leyen nuk dha përgjigje konkrete për këtë, por tha se, "Presidenti i Serbisë më priti në takim, dhe para meje ishte kryeministri i Polonisë dhe i Greqisë, në vend që të shkonte në Kazan. Ky ishte mesazh i qartë për mua”, tha Von der Leyen.

Von der Leyen pati një takim me dyer të mbyllura edhe kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.