1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Volkswageni blen Porschen - Truku me aksionet

Klaus Ulrich / Elert Ajazaj6 Korrik 2012

Fat i madh në miliarda për Volkswagenin: Nëpërmjet blerjes së Porsches koncernin nga Wolfsburgu e pret një rritje e konsiderueshme e fitimit. Mirëpo një truk fiskal shkakton pakënaqësi.

https://p.dw.com/p/15SkB
Fotografi: dapd

Prodhuesi më i madh i automobilëve në Evropë vazhdon të rritet: Koncerni Volkswagen gëlltit më shpejt se ç'pritej prodhuesin e makinave sportive Porsche. Sipërmarrësit nga Shvabia patën humbur tre vjet më parë kundër Volkswagenit betejën për blerjen. Prej 1 gushtit koncerni nga Saksonia e Ulët merr edhe gjysmën tjetër të biznesit të makinës sportive. Çmimi: Pothuajse katër miliardë e gjysmë euro plus një aksion themeluesi, të cilat i paguhen kompanisë financiare Porsche SE.

Shefi i Volkswagen-it Martin Winterkorn e konsideron përfundimisht të përfunduar kohën e gjatë të pritjes dhe të pasigurisë rreth blerjes së plotë të prodhuesit të makinave sportive. "Tani është hapur rruga për të ardhmen e përbashkët. Kësisoj finalizojmë me sukses një nga projektet më të rëndësishme në historinë e automjeteve", tha Winterkorn të enjten në Wolfsburg.

Ristrukturim në vend të blerjes

Shefi i Volkswagen-it Martin Winterkorn.
Shefi i Volkswagen-it Martin Winterkorn.Fotografi: dapd

Por mënyra se si u realizua blerja është e diskutueshme: një boshllëk në legjislacion bën të mundur që blerja të realizohet pa taksa. Kursimi i përllogaritur në taksa: rreth një miliardë e gjysmë euro. Pa këtë truk të ligjshëm blerja pa paguar taksa do të kishte qenë e lejuar vetëm pas 2014-s. Truku qëndron në atë që Volkswageni nëpërmjet vënies në dispozicion të një aksioni të vetëm themeluesi e deklaron blerjen e aksioneve të mbetura të Porsches (e cila në parim sjell me vete detyrimin për taksa) si një ristrukturim (ky është shprehimisht i ligjshëm). Në këtë mënyrë shmanget barra fiskale. Ky veprim pati shkaktuar kritikë nga politikanët.

Politika reagon në mënyra të ndryshme

Meqenëse landi i Saksonisë së Ulët mban tradicionalisht një pjesë të Volkswagenit nuk është rastësi që kryeministri David McAllister e përshëndet blerjen e shpejtë të paralajmëruar. Vendimi është "udhërrëfyes për të gjitha palët e përfshira", tha politikani demokristian të enjten në Hannover. Vokswagen dhe Porsche mund të bashkëpunojnë në të ardhmen më mirë, mund të zbatojnë më lehtë strategji të përbashkëta duke kursyer në këtë mënyrë edhe para, tha politikani.

Nga ana tjetër, shefi i grupit parlamentar të Partisë Liberale, Rainer Brüderle, e kritikon ashpër modelin e kursimit të taksave gjatë blerjes: "E tëra kjo mund të jetë e ligjshme, mirëpo tregon se sa urgjentisht nevojitet një e drejtë fiskale më e thjeshtë dhe më e drejtë", tha Brüderle kundrejt një gazete ekonomike.

Ngushëllim për zyrën e taksave

Koncerni nga Saksonia e Ulët u ka premtuar autoriteteve financiare në njëfarë mënyre si dhuratë për mëshirë një shumë mbi 100 milionë euro, sapo ta ketë futur Porschen nën çatinë e vet. Nëpërmjet integrimit të përshpejtuar lindin pagesa taksash prej më shumë se 100 milionë eurosh në sajë të fitimeve shtesë, tha anëtari i bordit drejtues, përgjegjës për financat, Hans Dieter Pötsch të enjten në Wolfsburg.

Kjo sepse Volkswageni pret që fitimi të rritet fuqishëm. Volfsburgasit llogarisin me nëntë miliardë euro vetëm nga fitimet prej vlerësimeve këtë vit. Këtyre u shtohen fitime nga biznesi ditor i Porsches. Këto ishin mbi 500 milionë euro vetëm nga janari deri në mars të këtij viti.

Porsche shpëtohet nga falimentimi

Modeli Porsche 911
Modeli Porsche 911Fotografi: AP

Volkswageni e pati blerë gjysmën e parë të prodhuesit të makinave sportive në 2009-n për gati katër miliardë euro pas fitores në betejën për pushtet. Porsche pati bërë përpjekje asokohe të blinte Volkswagenin. Për këtë qëllim u mor hua e madhe, gjë që bëri që Volkswageni të detyrohej ta shpëtonte firmën nga Shtutgarti prej falimentimit.

Atëherë Porsche i ndau operacionet e mirëfillta duke i kaluar te shoqëria aksionare Porsche AG dhe krijoi kompaninë financiare Porsche Holding SE (PSE) si shoqëri ombrellë. PSE-ja nuk i shitet Volkswagenit, po vazhdon të mbajë pjesët e Volkswagenit të blera asokohe, prej rreth 51 për qind.

Pas blerjes PSE-ja kërkon të shlyejë borxhet e saj me shpërblimin e nxjerrë. Ajo që mbetet do të përdoret për pjesëmarrje në sipërmarrje të tjera.

Kursim nëpërmjet thjeshtësimit

Me fuzionimin kursejnë para të dy prodhuesit e makinave: Deri tani ato nuk lejoheshin të bashkëpunonin ngushtë (siç bëjnë për shembull Volkswageni dhe shoqëritë bija Audi dhe Skoda). Në vend të kësaj gjatë projekteve të përbashkëta ato duhet të trajtoheshin si firma të huaja për njëra-tjetrën, gjë që e vështirëson jashtëzakonisht bashkëpunimin e ngushtë. Volkswageni bën fjalë për kursime prej mbi 600 milionë euro nëpërmjet thjeshtësimeve.