Vlora qytet nafte apo turizmi?
29 Janar 2008Çdo mbrëmje në zyrën e "Aleancës për mbrojtjen e Vlorës" në qendër të qytetit mblidhen vlonjatët për t'u informuar mbi të rejat e fundit për punimet e kompanisë italiane Petrolifera. Ata janë të shqetësuar se terminalet gjigande të naftës për një qytet të vogël bregdetar si Vlora do të shkatërrojnë të ardhmen e qytetit të tyre. Sipas një marrëveshjeje të qeverisë shqiptare me kompaninë italiane Petrolifera në zonën historike të Triportit, ngjitur me qytetin do të ndërtohen depozita me kapacitet fillestar rreth 37.000 m3 më pas rreth 50.000m3. Ato do të përmbajnë naftë gaz e produkte të tjera të lëngshme. Investimi kap shifrën e mbi 50 milionë eurove.
Petrolifera: Ne sjellim zhvillim ekonomik
Sipas Petroliferës synimi është vetëm depozitimi, magazinimi i produkteve të lëngshme dhe jo ndërtimi i një rafinerie. Petrolifera mohon çdo lloj lidhjeje edhe me punimet e planifikuara të TEC-it të Vlorës dhe me tubacionin AMBO që pritet të kalojë nëpër Shqipëri. Nga ana e saj kompania kërmbengul se Vlora e Shqipëria do të kenë përfitime.
Përfaqësuesi i Petroliferës në Shqipëri, Gazmend Shalsi: "Ky projekt do të sjellë naftë, gaz benzinë për nevojat e ekonomisë shqiptare dhe Vlora është pjesë e ekonomisë shqiptare që do të përfitojë nga kjo. Kjo zonë e vdekur do të kthehet në një zonë të industrisë së lehtë, të një industrie në funksion të këtij turizmi që pretendon qyteti i Vlorës. Petrolifera dhe TEC-i, (megjithëse ky është tjetër e unë nuk përfaqësoj TEC-in e ekonominë shqiptare) janë mbështetje për zhvillimin e turizmit në Vlorë.
Me sy tjetër e shohin Petroliferën qytetarët vlonjatë. Dyshimet ndaj qëllimeve të pastra të kompanisë italiane janë më të mëdha se sa premtimi për t'i sjellë vende pune vlonjatëve. Kryetari i Aleancës qytetare për mbrojtjen e Vlorës, Rezart Aliaj paraqet ankesat e qytetarëve vlonjatë: Këto vepra energjitike janë bërë në fshehtësi të plotë, pra ne si komunitet nuk dinim asgjë. Përfitimet që ka qeveria jonë janë përfitime minimale për të mos thënë që kjo është një kontratë shumë e turpshme që gati falen 84 hektarë dhe aq më tepër për vepra që cënojnë drejtpërdrejtë jetën e një komuniteti. Petrolifera është duke u ndërtuar në zonë të banuar."
Vlora park energjitik?
Në Vlorë parashihet jo vetëm Petrolifera por edhe ndërtimi i një TEC-i. Zërave pro ndërtimeve energjitike se Vlorës i duhet energji dhe TEC-i do 'ja sigurojë këtë kryetari i Aleancës për mbrojtjen e Vlorës, i kundërpërgjigjet: TEC-i me kapacitet 92 Mv. nuk mund të furnizojë Vlorën me energji. Ai ngrihet vetëm për të ndihmuar funksionimin e Petroliferës per planet e ardhshme, thotë ai megjithë kundërshtimet e Petroliferës.
Si dëshmi për këtë lidhje qytetarët vlonjatë marrin prerjen e një pjese të pyllit në zonën ndërtimore ku po ndërtohet Petrolifera që çon deri në zonën e TEC-it. TEC-i do të ketë efekte negative: "Gjithçka që ky TEC-i do të djegë për pozitën gjeografike që ka gjiri i Vlorës, 70-80% e gjithçkaje do të mbesë brenda gjirit dhe do të ndikojë drejtpërsëdrejti në jetën e qytetit."
Shqetësimi vlonjat
Shqetësim tjetër për vlonjatët përbën ngritja e depozitave me lëndë kimike që parashikohen në fazën e tretë të punimeve të Petroliferës, sipas Aleancës. Depozitat do të kenë kapacitetin 10-20.000 m3 sipas të dhënave të manualit të Aleancës për mbrojtjen e Vlorës. Vlora do të vuante pasoja të rënda për turizmin mendon kryetari i bordit operator për biznesin e turizmit në Vlorë, Petrit Levendi shprehet:
"Vlora do të kthehej në një qytet nafte, këtu bëhet fjalë për industri nafte, energjia është në shërbim të naftës. Pra çdo aromë nafte që do të ngrihej në ajër do të vinte në qytetin që është 200-300 metra larg. Asnjë shans nuk ka Vlora të mos vijë era naftë. Përveç kësaj askush nuk do të preferonte të pinte kafenë në një nga lokalet e Vlorës kur përballë ka me qindra depozita dhe anije nafte."
Protesta vlonjate: Qytetarët vlonjatë nuk janë pyetur për Petroliferën
Sipas konventës së AARHUS-it, konventë që rregullon me ligj marrëdhëniet komunitet -biznese dhe të drejtën e vendimmarrjes në ndërtime që prekin jetën e qytetarëve, vlonjatët kanë të drejtë. Qeveria shqiptare dhe kompania italiane dënohen për mosinformim të komunitetit. Kjo ju dha zemër qytetarëve vlonjatë për të filluar protestat në forma të ndryshme. 14.000 firma e nevojshme u mblodhën për të kërkuar referendum por Aleances për mbrojtjen e Vlorës me vendim politik e drejta e referendumit ju mohua.
"Neve na është mohuar dy herë e drejta jone për të vendosur, e drejta e referundimit. Kundërshtimi që komuniteti po i bën këtij projekti duhet kutpuar qartë, ne nuk kemi dalë kundër një firme të veçantë siç është Petrolifera apo TEC-i. Ne kundërshtojmë të gjithë këtë park që i përfshin këto brenda. Këto janë hapat e parë të këtij parku, ne jemi kundër kësaj vendimmarrjeje të gabuar në vendin e gabuar", shprehet kryetari i Aleancës për mbrojtjen e Vlorës, Rezart Aliaj.
Gjendja është tepër e acaruar kohët e fundit pasi kompania italiane filloi konkretisht punimet. Aleanca për mbrojtjen e Vlorës kërkon ndalimin e punimeve sepse ato i cilëson të paligjshme. Petrolifera nuk ka bërë zbardhjen e lejes nga bashkia e Vlorës, thonë ata. Përfaqësuesi i Petroliferës, Shalsi proteston: "Leja e ndërtimit dhënë nga Këshilli i Rregullimit të Territorit të Shqipërisë. Jepet edhe një zbardhje, është detyrë e qeverisë dhe pushtetit loka të na e japin këtë leje që nuk na e kanë dhënë akoma, dhe kjo është përgjegjësia e tyre, por dua të theksoj se ky nuk është kusht që ne te mos fillojmë punën. Punimet tona janë të ligjshme."
Specialistë shqiptarë të mjedisit kundër Petroliferës
Në disfavor të Petroliferës e kanë thënë fjalën e tyre edhe specialistët shqiptarë të mjedisit. Prof. Sazan Guri drejtues i zyres kombëtare për mbrojtjen e mjedisit është i mendimit se projekte të tilla mund të ndërtohen jashtë zonave turistike. Depozitat e naftës do të dëmtojnë qytetin nga ana ekologjike.
"Ne kemi vërtetuar se duke qenë se ajri i Gjiut të Vlorës është shumë i mbyllur ka një lagështi shumë herë më të madhe se sa zonat e tjera, Seman e Porto Romano. Pra ndotja në këtë pozicion që ka Vlora del shumëfish. Vlora ka një pikë specifike, nuk është e aftë të mbajë asnjë vper me bazë nafte për shkak të ajri të mbyllur dhe bashkveprimit të lartë që ndodh mes atij standarti ndotjeje dhe këtij parametri fiks të lagështisë së ajrit. Gjiu i Vlorës është inkubator. Po qe se derdhet një pikë nafte nuk ka ku del. Nga pikëpamja mjedisore pra natyre nuk të lejon. Sa rron delja me ujkun aq rron edhe vepra e naftës me turizmin."
Edhe analisti Ardian Klosi është kundër Petroliferës. Ai shpjegon arsyet pse projekte të tillë ndërtohen në Shqipëri:
"Shqipëria i ngjan një kolonie mjedisore d.m.th nënshkruehn projekte gjigande për TEC-e, Super-TEc-e pra të gjithë bizneset që në thelb nuk mund të ndërtohen më në vendet e komunitetit evropian, një herë jo e jo pa lejen e komunitetit që preket. Në Shqipëri këto gjëra janë të mundshme, Kjo na indinjon jashtë mase.
Nëse Petrolifera do të arrijë të bindë qytetarët e Vlorës se ajo vjen vetëm në të mirë të zhvillimit ekonomik të qytetit kjo nuk dihet ende. Protestat vazhdojnë.