1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vjosa Osmani në takim trilateral me Scholz dhe Macron

7 Tetor 2022

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka falënderuar Berlinin dhe Parisin zyrtar për përpjekjet e tyre për të intensifikuar procesin e dialogut me Serbinë, me synim njohjen e ndërsjellë.

https://p.dw.com/p/4HsPr
Kosovo Besuch Olaf Scholz Emmanuel Macron  Vjosa Osmani
Fotografi: VALDRIN XHEMAJ/Office of the Kosovo presidency

Në kuadër të samitit të 44 vendeve europiane në Pragë, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një takim të përbashkët me kancelarin e Gjermanisë, Olaf Scholz dhe Presidentin e Francës Emmanuel Macron. Temë kryesore e bisedimeve ishte dialogu me Serbinë dhe liberalizimi i vizave për Kosovën. Presidentja Osmani është shprehur, se për dialogun me Serbinë "ka kërkuar të mbyllet sa më shpejt, me njohje të ndërsjellë", dhe ku nuk do të preket integriteti territorial dhe rendi kushtetues i Kosovës.

"Para presidentit Macron dhe kancelarit Scholz kam paraqitur, se cilat janë vijat tona të kuqe, që kanë të bëjnë me mbrojtjen e integritetit territorial, sovranitetit të vendit, kushtetutshmërisë së vendit, dhe parimin e unitaritetit të shtetit. Dhe po ashtu, potencova rëndësinë e jashtëzakonshme që Kosova të mbetet shtet funksional, pra mos të lejojmë zgjidhje, të cilat më shumë shkaktojnë probleme sesa që sjellin më shumë paqe e stabilitet në rajon", tha Osmani pas takimit me Scholz dhe Macron.

Kosovo Besuch Olaf Scholz Emmanuel Macron  Vjosa Osmani
Fotografi: VALDRIN XHEMAJ/Office of the Kosovo presidency

Ndërkaq sa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, sipas një njoftimi  të presidencës, Osmani ka falënderuar Francën dhe Gjermaninë për "angazhimin e tyre për liberalizimin e vizave për Kosovën” dhe në këtë linjë ka përmendur rëndësinë vendimtare që ky proces të përfundojë gjatë Presidencës çeke të Këshillit të Bashkimit Evropian.

Kancelari i Gjermanisë Olaf Scholz dhe presidenti i Francës Emmanel Macron, dy muaj më parë angazhuan këshilltarët për politikë të jashtme, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune, që të shtyjnë përpara procesin e dialogut Kosovë-Serbi me qëllim arritjen e një marrëveshje përfundimtare për përmirësimin e raporteve.