Vizita e kthimit: Një mësues gjerman në udhëtim rreth botës
9 Mars 2019Çfarë tipi është Jan Kamman? Ai qesh dhe mendohet pak. „Jam shumë i hapur ndaj botës. Çdo ditë kam kënaqësi të njoh njerëz të rinj dhe të kuptoj rrethanat e jetës së tyre." Ai hesht pak she shton. „Dhe të bëj nganjëherë shaka", e qesh përsëri.
Prej gjashtë vjetësh 39 vjeҫari është mësues i anglishtes dhe i gjeografisë në gjimnazin Hamm të Hamburgut. Shkolla Evropa me leitmotivin „Të bashkuar në diversitet" ka nxënëse dhe nxënës nga e gjithë bota. Ato dhe prindërit e tyre vijnë për arsye nga më të ndryshmet në Gjermani: si refugjatë apo studentë, për arsye se prindërit punojnë në Gjermani apo sepse fëmijët ndjekin një shkollë të njohur baleti në Hamburg.
Kur ata vijnë në shkollën e tij, tregon Jan Kammann, dhe qëndrojnë para sportelit të pritjes: „As fëmijët dhe as prindërit nuk dinë asnjë fjalë gjermanisht. „Ti mendon se në të stresin e së përditshmes gjermane është fare e thjeshtë të integrohesh, por në vende të tjera shumë gjëra janë krejt ndryshe." Për t'i kuptuar më mirë nxënësit e tij, ai mori një pushim të gjatë dhe udhëtoi për një vit në vendet e tyre në Europë, Azi, Amerikën Latine dhe Afrikë. Mbi këtë udhëtim ai ka shkruar një libër: "Një klasë gjermane: 30 nxënës, 22 kombësi, 14 vende dhe një mësues në udhëtim rreth botës".
Bullgari: Jo të vlerësuar jashtë vendit
Një nxënëse u kthye me disa ditë vonesë nga pushimet te familja e saj në Bullgari, tregon Jan Kammann. Ajo tregoi se shkaku kishte qenë udhëtimi i gjatë me autobus. Në pushimet e verës mësuesi e mori vetë autobusin dhe u habit sa pafundësisht zgjaste udhëtimi. Autobusi mblidhte në të gjithë Gjermaninë njerëz nga Bullgaria, që punonin si ndihmës në të korrat, si punonjës ndërtimi, apo si kujdestarë për të moshuarit. Njerëz që shumë gjermanë as që i vënë re, thotë Kammann: "Ndoshta ekonomia jonë pa to nuk do të funksiononte."
Pas një udhëtimi dyditor me ndalesa për shkak të avarive, ai mbërriti plotësisht i rraskapitur në kryeqytetin Sofie - nxënëses së tij prej këtu i duhej të udhëtonte edhe rreth 500 kilometra të tjerë. Prej një mësueseje bullgare Kammann mësoi se pjesa më e madhe e të diplomuarve largohen nga Bullgaria dhe se atyre nuk u jepet vlerësimi i duhur jashtë.
Kosova: Jo të shohësh vetëm negativen
Për luftën në Kosovë, korrupsionin dhe krizat Jan Kammann kishte dëgjuar mjaft. Tipike, thotë ai, dëgjon vetëm për temat e shëmtuara. I ҫuditur në një udhërrëfyes lexoi gjëra krejt të tjera rreth vendit të vogël. Që Kosova ka për shembull makiaton më të mirë në botë, pijen e nxehtë që shumica e lidhin vetëm me Italinë. Atij i ka shijuar shumë. Kosova është edhe një destinacion turistik, që ia vlen ta vizitosh, me terrene skijimi dhe mikpritje të madhe, thotë ai dhe dëshiron të shkojë përsëri atje.
Rusia: Pajtimi duhet thelluar
Jan Kammann i motivon vazhdimisht nxënësit e tij ndërkombëtarë për "newsflashs", ku ata të raportojnë prej mediave të vendeve të tyre. Nxënësja e tij ruse referoi për një "intervenim fashist" të Evropës në Ukrainë. Ata folën në klasë rreth fashizmit dhe viktimave të shumta ruse të sulmeve gjermane në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë vizitës në Rusi ai vizitoi një ekspozitë gjermano-ruse, ku mund të dëgjoje materiale të incizuara të të dyja palëve në luftë. Ai dëgjoi se si ushtarët gjermanë përshkruanin në mënyrë cinike vrasjet e civilëve. Pajtimi funksionon vetëm bashkarisht, thotë Jan Kammann, dhe se duhet punuar për të. Kur gjyshja e tij kishte përdorur fjalët „po vjen rusi", as ajo nuk kishte menduar diҫka të mirë. Një temë e vështirë – por ai ka patur edhe takime shumë të mira në Rusi, ndër të tjera gjatë një udhëtimi të gjatë me trenin transsiberik.
Iran/Afganistan: Pyetja e Shabanas
"A ka ndonjë mundësi që unë të vi në Gjermani?" Këtë pyetje ia kishte bërë Jan Kammannit 19 vjeҫarja-Shabana. Ajo ishte nxënëse te "Seekers of Knowledge", një iniciativë e iranianëve. Ata mësojnë në periferi të Teheranit fëmijë të refugjatëve afganë, të cilët nuk kanë vend në shkollat shtetërore. Shabana donte të bëhej mjeke, por për këtë nuk shihte ndonjë shans në Iran. Kammanni nuk mund t'i jepte asaj ndonjë rrugëdalje. Mungesa e perspektivës së saj, fat që e kanë edhe shumë të rinj të tjerë, e mundon atë deri sot. Udhëtimi i tij, thotë gjermani, është një fat i madh: "Unë ndjehem shumë, shumë i privilegjuar, që kam lindur këtu."
Në bisedat e shumta me iranianët ai kuptoi se sa eurocentrik është këndvështrimi i tij. Një sociologj iranian,që e njeh gjithashtu mirë historinë e kulturës evropiane, e kishte pyetur lidhur me intelektualët e mëdhenj iranianë. Kammann nuk kishte ditur t'i përgjigjej. Ai vendosi të mësojë më shumë për kulturat e tjera dhe t'i integrojë njohuritë në mësimdhënien e tij.
Koreja e Jugut: Kini kujdes kur qeshni
Nxënësja e Kammannit nga Korea e Jugut kishte ardhur në Hamburg, për të ndjekur një shkollë baleti. Mësuesit të saj i ra në sy se ajo nuk ndjehej mirë, kur nxënësit e tjerë diskutonin me zë të lartë për konfliktet në klasë. Gjatë qëndrimit të tij në Korenë e Jugut ai e kuptoi se me sa kujdes silleshin atje me njëri-tjetrin. Në një restorant ai kishte bërë shakara dhe kishte qeshur me zë të lartë. Më vonë i ishte bërë e qartë, se kjo mund të ishte kuptuar si kritikë ndaj kamarierit apo ndaj ushqimit, dhe i kishte ardhur keq. Sepse ai në fakt e kishte shijuar shumë larminë e kuzhinës koreane, madje kishte përfunduar edhe një kurs gatimi. Ushqimi stimulon komunikimin, prandaj ai i pyet shpesh nxënësit lidhur me specialitetet e vendeve të tyre.
Nikaragua: Atje Ricardo rekomandon Schwarzwald-in
Ricardo thotë për Deutsche Wellen, se iu duk gjë e mrekullueshme, që mësuesi i tij Jan Kammann donte të vizitonte Nikaraguan, Pas klasës së dhjetë dhe ai donte shkonte në qytetin e tij të lindjes Managua dhe t'ia tregonte vendin mësuesit. Prindërit e tij kishin ardhur me të në Hamburg që të bënin doktoratën në shkencat bujqësore. Por Ricardo u sëmur me leuҫemi.
Mësuesi i gjeografisë e vizitoi atë në spital me një hartë. Për të është e rëndësishme që të mësojë nga nxënësit. Ricardo i rekomandoi atij që të eksploronte pejsazhet vullkanike dhe të vizitonte të vetmin vend të Nikaraguas, „ku rosat notojnë në një liqen - si në Gjermani" .Ai është "Selva Negra", pylli i zi. Emigrantë nga Schwarzwald-i gjerman shkuan atje në shekullin e 19-të dhe kultivuan kafenë në pyllin tropikal. Në luftën e Dytë Botërore ata u burgosën. "Nuk bën t'i fusësh të gjithë njerëzit në një kallep", thotë Jan Kammann. Këtë rrezik ai e sheh edhe në Gjermani, për shembull, kur mbi të rinjtë arabë apo muslimanë bie në mënyrë paushale dyshimi për terrorizëm.
Ricardo e njeh ndërkohë edhe Schwarzwald-in gjerman, ku ka pushuar dhe e ka marrë vetën pas sëmundjes. Tani ai është duke përfunduar maturën. Ai ka konstatuar se shumë gjermanë dinë shumë pak për Amerikën Latine - Jan Kammann është një rast i veҫantë, thotë Ricardo.
Gana: Jeffrey rekomandon studimin e historisë koloniale
Nxënësi i Jan Kammann, Jeffrey, ka lindur në kryeqytetin e Ganës, Accra. Ai ishte shumë i lumtur që mësuesi shkoi në vendlindjen e tij dhe të shokëve të tij të klasës.
"Nuk njoh ndonjë mësues tjetër, që bën diҫka të tillë", thotë 19 vjeҫari në intervistë me DW. Ai mërzitet që Afrika përgjithësohet aq shpesh në Gjermani. Çdo vend është i ndryshëm, në mësim në shkollë dëgjon shumë pak për këtë. Ndërkohë Jeffrey ka marrë maturën. Ai përkthen në gjuhën ganeze Twi në entin për të huajt. Në vjeshtë do të fillojë të studiojë për të drejtë ndërkombëtare. Ai ka dëshirë të bëhet edhe pilot. E ka pasur ëndërr që nga fëmijëria, por ende nuk i ka të hollat për të
Jefrey i kishte rekomanduar Jan Kammannit që në Gana të interesohej për tregtinë e skllevërve. Në Cape Coast ai vizitoi një muze dhe mësoi se si fuqitë koloniale sekuestruan arin, drunjtë tropikalë dhe në fund robëruan njerëzit nga Afrika Perëndimore dhe i shitën si skllevër. Kjo mizori ishte tronditëse për Jan Kammannin. Si pozitive ai përjetoi bisedat me Mary Dennis. Ajo angazhohet për fëmijët që mungojnënë shkollë. Kammann eci shumë kilometër së bashku me të nga shtëpia në shtëpi. "Slow, slow, small, small", është motoja e saj. Mësuesi gjerman dëshiron të marrë shembull nga ky durim.
Integrimi në klasë
"Interesante dhe që të zgjeron" e cilëson Stefan Behlau iniciativën e Jan Kammannit, por që kërkon shumë kohë dhe për shkak të mungesës së mësuesve gati e pamundur për t'u realizuar nga të tjerët. Behlau drejton shoqatën Arsim dhe Edukim në landin Nordrhein-Westfalen (NRW). 35 përqind e të gjithë nxëneseve dhe nxënësve në NRW kanë histori emigrimi.
"Sikur të kishim personel dhe kohë të mjaftueshme, integrimi në shkollë prej kohësh nuk do të ishte më një ҫështje politike", thotë Behlau. Ai shpreson që të ketë më shumë kurse gjuhe dhe thekson: "se rëndësi ka ballafaqimi me situatën ku ndodhen nxënëset dhe nxënësit, jo vetëm në ҫështjen e integrimit kulturor dhe gjuhësor, por edhe të atij social."
Udhëtime të tjera në të ardhmen nuk përjashtohen
Që kur ka bërë këtë udhëtim, thotë Jan Kammann, ai i respekton edhe më fort nxënësit – për rezutatet ne mësimin e gjermanishtes dhe për përshtatjen në një kulturë të re. Ai ndjehet shumë i privilegjuar me pasaportën e tij gjermane. Me vete nga udhëtimi ka sjellë shumë pyetje për varfërinë dhe pasurinë, tregtinë dhe drejtësinë, të cilat përfshihen në mësimdhënie.
Rrugëtimi më i rëndësishëm vitin e kaluar ka qenë për të ai në sallën e lindjes: Prej më shumë se tre muajsh për atë dhe shoqen e tij gjithҫka sillet rreth vajzës së tyre të vogël.
Por ai e imagjinon që të shkojë përsëri në vendet e origjinës të nxënësve të tij
"Kam udhërrëfyes turistikë nga 45 vende – material për shumë udhëtime në botë...