1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

030210 Berlin Kontodaten

4 Shkurt 2010

Qeveria gjermane do t'i përdorë të dhënat e vjedhura mbi llogaritë bankare zviceriane, për të zbuluar evazorët fiskalë. Ministri i Jashtëm gjerman Westerwelle thekson miqësinë me Zvicrën.

https://p.dw.com/p/LsYB
Ministri gjerman i Financave, Shojble ka vendosur ta blejë CD-në me të dhënat bankare të vjedhura
Ministri gjerman i Financave, Shojble ka vendosur ta blejë CD-në me të dhënat bankare të vjedhuraFotografi: AP

Politikisht vendimi për blerjen e një diskete me të dhëna bankare mbi llogari private të evazorëve fiskalë gjermanë në Zvicër, pothuajse është marrë, e megjithatë diskutimi vazhdon. Shqyrtimi juridik i aktit të blerjes lë ende shumë hapësirë për të shtruar pyetje. A kryen Gjermania një vepër penale me blerjen e të dhënave të vjedhura? A janë të dhënat bankare të përdorshme në një proces kundër evazorëve fiskalë?

Paralele ligjore me blerjen e të dhënave në Lichtenstein

Në Ministrinë gjermane të Financave pyetje të tilla shqyrtohen me qetësi dhe Michael Offer, zëdhënës i ministrit të Financave, i referohet përvojës me skandalin rreth llogarive private në Lichtenstein. Në skandalin e Lichtensteinit shërbimi sekret gjerman në shkurt të 2008-s pati paguar pesë milion euro për të dhëna mbi evazorë fiskalë gjermanë. Të dhënat u përdorën për hetime ndaj rreth 700 evazorëve fiskalë, ndër të cilët edhe ish shefi i kompanisë gjermane të postës "Deutsche Post", Klaus Zumwinkel. Për fiskun pesë milion eurot ishin një investim i mirë: një vit pas bërjes publike të skandalit, evazorët fiskalë paguan detyrimet e tyre të prapambetura në shumë prej 147 milionë eurosh.

"Atëherë u shqyrtuan aspektet ligjore dhe nuk ka të arsye pse sot ky aspekt juridik të jetë ndryshe nga atëherë. Ne pra ndodhemi në vazhdimin e këtij rasti dhe kemi marrë një vendim politik. Për aspektin juridik do të duhet vendosë gjykata përgjegjëse e landit."

Blerja e të dhënave pritet ta nxjerrë veten

Kompetencën në këtë rast e kanë autoritetet fiskale të landit Nordrhein-Westfalen. Gjatë shqyrtimit edhe ato pritet të mbështeten në rastin Lichtenstein. 2,5 milionë eurot e kërkuara për CD-në me të dhënat bankare do të paguhen së bashku nga federata dhe landet. Një investim, i cili pritet të jetë rentabël, pasi të prekur janë rreth 1.500 gjermanë, të cilët i kanë depozituar paratë e tyre në llogari të bankës zviceriane Credit Suisse. Kryetari i sindikatës së policisë gjermane, Rainer Wendt e përshëndeti vendimin politik për blerjen e CD-së me të dhënat bankare dhe ka një këshillë për të prekurit:

Të dhënat bankare janë të depozituesve në Bankën Credit Suisse. Ne foto: hyrja e bankes Credit Suisse.
Të dhënat bankare janë të depozituesve në Bankën Credit SuisseFotografi: AP

"Kush ka para të patatura jashtë vendit bën mirë të vetëdenoncohet. Kur CD-ja të jetë në duart e autoriteteve, do të jetë shumë vonë. Deri tani bëhet fjalë për të dhëna vetëm nga një bankë, por një ditë do t'i zbulojmë të gjithë.

Marrëdhëniet me Zvicrën janë acaruar

Një paralajmërim, i cili nuk përmban aspak fjalë boshe, pasi që tani qarkullojnë zëra se autoriteteve fiskale gjermane u janë ofruar edhe të dhëna të tjera mbi llogari në banka zviceriane. Një situatë me të cilën Zvicra nuk është aspak e kënaqur. Politikanët dhe bankat atje reaguan me zhgënjim dhe indinjatë ndaj planeve të Berlinit për blerjen e të dhënave të vjedhura. Pas një mbledhjeje të qeverisë në Bernë u tha se kjo bie ndesh me parimin e mirëbesimit dhe rëndon marrëdhëniet mes dy shteteve. Në rastet e vjedhjes së të dhënave në asnjë mënyrë nuk jepet ndihmë administrative. Përpara se situata të ashpërsohet, Ministri i Jashtëm gjerman Guido Westerwelle, bëri thirrje për qëndrim të moderuar:

"Vende fqinje dhe mike si Zvicra dhe Gjermania duhet të arrijnë në rezultate të mira përmes negociatave dhe bisedimeve konstruktive. Për këtë arsye u bëj thirrje të gjitha palëve të moderojnë debatin. Zvicra nuk është kundërshtare e Gjermanisë dhe Gjermania nuk është kundërshtare e Zvicrës. Duhet të dimë edhe se miqësia jonë është më e fortë se diferencat e rastësishme, p.sh. në politikën fiskale."

Fjalë që me siguri janë një ngushëllim i dobët për zvicerianët. Tani duket se edhe vende të tjera të BE-së kanë sinjalizuar interes për fondin e të dhënave me potencial shpërthyes nga Zvicra.

Autor: Sabine Kinkartz/ Eliana Xhani

Redaktoi: Auron Dodi