1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendim i kontestuar

Zoran/Eliana Xhani19 Nëntor 2012

Vendimi erdhi i papritur: gjykata e Hagës shpalli të pafajshëm dy gjeneralë kroatë të dënuar në instancë të parë për krime lufte. Kroacia e përshëndeti vendimin ndërsa në Serbi mbizotëron zhgënjimi dhe indinjata.

https://p.dw.com/p/16lV0
Vendimi i Gjykatës së Hagës erdhi i papritur
Vendimi i Gjykatës së Hagës erdhi i papriturFotografi: Reuters

Kroacia u përfshi nga gëzimi, mijëra njerëz në të gjithë vendin dolën spontanisht nëpër rrugë për të festuar lirimin e dy ish-gjeneralëve Ante Gotovina dhe Mladen Markac. Në rrugë kërcehej dhe qahej, pasi prej koshësh veçanërisht gjenerali Gotovina për shumë kroatë është simbol i luftës së tyre për pavarësi, në të ashtuquajturën "lufta e mëmëdheut" në vitet '90.

Dënimin e tij me 24 vjet burg në instancë të parë nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për ish-Jugosllavinë në prill 2011, shumëkush e pa si denigrim për të gjithë vendin për shkak të asaj që kroatët e quanin luftë të drejtë për mbrojtjen e atdheut. "Gotovina është heroi ynë, nuk është kriminel!", shkruhej atëherë në pllakate në të gjithë vendin. Tani instanca e apelit në Hagë e ka shfuqizuar dënimin e atëhershëm. Së pari, argumentoi gjykata, dënimi i parë është bazuar në supozimin se predhat e hedhura më shumë se 200 metra larg objektivave ushtarakë në zonat e banuara nga serbë, duheshin vlerësuar si sulme kundër civilëve. Ky ka qenë një interpretim "i pasaktë". Veç kësaj gjykatësit vendosën se nuk ka pasur "plan kriminal të përbashkët, që kishte si synim dëbimin përfundimtar dhe të dhunshëm të civilëve serbë nga rajoni i Krajinës".

Ante Gotovina lirhet
Ante Gotovina lirohetFotografi: AP

Pjesë e një "komploti kriminal"?

Në fillim të luftës në Kroaci (1991-1995), pakica serbe e cila përbënte rreth 12 për qind të popullsisë, kishte nën kontroll rreth një të tretën e vendit. Kur në operacionin ushtarak "Stuhia" në gusht 1995 ushtarët kroatë rimorën kontrollin e vendit, brenda pak ditësh u dëbuan nga Kroacia më shumë se 200.000 serbë dhe rreth 600 u vranë, shumë prej viktimave edhe pas përfundimit të konfliktit të armatosur. Gjenerali Ante Gotovina komandonte asokohe trupat në sektorin jugor.

Pas katër vjetësh procesi gjyqësor, gjykata e OKB-së e shpalli Gotovinën përgjegjës për vrasjen e të paktën 37 personave, për djegien dhe shkatërrimin e fshatrave dhe qyteteve dhe për dëbimin e disa dhjetëra mijëra serbëve. Veç kësaj trupi gjykues ishte i mendimit se Gotovina së bashku me ish-Presidentin kroat Franjo Tuxhman kishin qenë pjesë e një "shoqate kriminale", e cila kishte si synim planifikimin dhe zbatimin e "dëbimit të përhershëm të popullsisë serbe nga Kroacia".

"Sot lufta mori fund!"

Tani gjykata rrëzoi të gjitha akuzat e padisë. Operacioni "Stuhia" ka qenë legjitim pasi synonte vetëmbrojtjen, gjykuan gjykatësit në Hagë. Veç kësaj gjykatësit konstatuan se ekzistenca e "komplotit kriminal" për pastrimin etnik nuk është provuar, duke konfirmuar kështu në sytë e opinionit publik kroat atë çfarë kanë pretenduar gjithnjë kroatët.

Kjo shpjegon edhe reagimet euforike nga politika. "Një moment të rëndësishëm për Kroacinë", e quajti kryeministri Zoran Milanovic lirimin e gjeneralëve dhe u shprehu atyre falenderime të cilët "kishin vuajtur aq shumë për Kroacinë". Presidenti kroat Ivo Josipovic tha se vendimi është "dëshmi se ushtria kroate nuk ka marrë pjesë në aksione kriminale". Shumë politikanë të lartë, ndër ta edhe zëvendëspresidenti i Parlamentit kroat, Nenad Stacic, shtuan me entuziazëm: "Kjo është një ditë historike, vetëm sot lufta mori fund. Prej ditës së sotme Kroacia është e lirë!"

Përpunimi i së kaluarës do të bëhet më i vështirë

Por pikërisht këtë qendrim, politologu dhe analisti i njohur kroat Zarko Puhovski e konsideron shumë problematik: "Në Kroaci tani thuhet: mjaft, duhet t'i japim fund tani diskutimit të vazhdueshëm për luftën, duam të vazhdojmë të jetojmë normalisht. Kjo do të thotë se njerëzit të cilët janë vërtet përgjegjës për këto krime lufte ndoshta nuk do të dalin kurrë para drejtësisë." Në Kroaci po krijohet një atmosferë në të cilën përpunimi i së kaluarës nuk do të jetë më i mundur, mendon Puhovski. Nga ky zhvillim paralajmëron edhe Solveig Richter nga fondacioni berlinez Shkencë dhe Politikë. Vendimi i gjykatës së Hagës mund të rëndojë raportet politike mes shteteve pasuese të ish-Jugosllavisë, e veçanërisht procesin e pajtimit mes Kroacisë dhe Serbisë.

Gjenerali Mladen Markac
Gjenerali Mladen MarkacFotografi: dapd

Indinjatë në Serbi

Në Serbi vendimi i gjykatës së Hagës u prit me indinjatë dhe moskuptim. Presidenti serb Tomislav Nikolic e cilësoi "skandaloz" vendimin dhe ministri i ngarkuar për bashkëpunimin me gjykatën, Rasim Ljajic, tha madje se ajo "kishte humbur gjithë kredibilitetin".

Sipas Dragan Popovic, drejtor i Qendrës për Politikë Praktike në Beograd, ky nuk është aspak opinion i izoluar. Tani në Serbi do të rivihet në pyetje nëse gjykata e Hagës mund të shihet ende si institucion i pavarur. "Vendimi forcon pozicionin e nacionalistëve. Ne do të na duhet të sqarojmë përsëri se nuk bëhet fjalë për një komplot ndërkombëtar." Por, shpreh drojën Popovic, forcat demokratike në Serbi janë "në prag të humbjes së kësaj lufte".