1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vendet e BE nuk duhet patjetër të japin vizë humanitare

7 Mars 2017

Refugjatët në Europë si edhe më parë nuk do të kenë të drejtë për vizë humanitare. Gjykata Europiane vendosi kundër një ekspertize të një prokurori të përgjithshëm.

https://p.dw.com/p/2Yl0t
Der Europäische Gerichtshof in Luxemburg
Fotografi: picture-alliance/dpa/T. Frey

Sipas vendimit të Gjykatës Europiane refugjatët nuk kanë patjetër mundësi të re hyrjeje legale në BE. Gjykatësit në Luksemburg vendosën që vendet anëtare të BE-së të vendosin vetë, në bazë të juridiksionit kombëtar, nëse refugjatët e kërcënuar nga tortura dhe dhuna kanë të drejtë të marrin një vizë humanitare. Sipas së drejtës europiane ata nuk janë të detyruar për dhënien e vizës.

Me këtë vendim humbet padinë një familje siriane nga Alepo me tre fëmijë minorenë. Kjo familje kishte aplikuar për një vizë 90-ditore në ambasadën belge në Bejrut, për shkak se në Siri ata kërcënohen nga tortura dhe vdekja. Ata donin të merrin vizën për të hyrë legalisht në Belgjikë për të aplikuar për azil.

"Situatë katastrofale"

Zyra e Të Huajve të Belgjikës kishte argumentuar para gjykatës, se kjo familje synon të qëndrojë me vizë më gjatë se 90 ditë - sirianët duan të aplikojnë për azil në vend, sipas saj. Nga ana tjetër vendet e BE-së nuk kanë detyrimin të pranojnë të gjithë njerëzit, të cilët përjetojnë situata katastrofale.

Një prokuror i përgjithshëm i Gjykatës Europiane e kishte kundërshtuar këtë argumentim përmes një ekspertize që bëri bujë. Ai shkruan, se dhënia e vizës nga një vend është e parashikuar në rregulloret europiane, bazë është Karta e Të Drejtave të Njeriut të BE. Kjo e përcakton qartë të drejtën për azil dhe ndalion torturën, trajtimin çnjerëzor dhe denigrues -rreziqe reale për familje siriane, sipas prokurorit.

 

Lindita Arapi, me xhaketë rozë dhe bluzë të zezë
Lindita Arapi Gazetare, moderatore, autore, shkrimtare