1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

EU Kroatien

10 Qershor 2011

Kroacia në rrugën drejt BE-së ka bërë një hap të rëndësishëm përpara - Komisioni i BE-së i dha dritën e gjelbër anëtarësimit. Mos vallë tani edhe vendet fqinjë të Kroacisë janë afruar më shumë me BE-në?

https://p.dw.com/p/11YH3
Pamje simbolike, flamuj të BE-së dhe KroacisëFotografi: Alen Legovic

Sot (e premte 10.6.2011) Kroacia po shkruan historinë. Anëtarësimi në BE që tashmë është afruar edhe më shumë, do të thotë përmbushja e një objektivi të rëndësishëm të politikës së jashtme qysh pas pavarësisë së vendit përpara njëzet vjetësh. Përpjekjet ekonomike dhe politike të Kroacisë u shpërblyen me komunikimin, që ky vend në verën e vitit të ardhshëm do të pranohet në BE. Kroacia ia arriti asaj, për të cilën ëndërrojnë vendet e tjera fqinjë aspirante për anëtarësim. Anëtarësimi në BE është një premtim edhe për Serbinë, Bosnje-Hercegovinën, Kosovën, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Shqipërinë. Me përjashtim të Kosovës, që u bë e pavarur në vitin 2008, të gjitha vendet e tjera kanë nënshkruar marrëveshjen voluminoze të Asocijim-Stabilizimit, që mbështet procesin e afrimit në BE.

A do të thotë anëtarësimi i Kroacisë, që të tjerët do të pasojnë?

Jo, për fat të keq ka shumë shenja, që koha e pritjes për kandidatët nga Evropa Juglindore të zgjatet pa afat. Nga njëra anë kjo i ka arsyet e veta në deficitet ekzistuese të këtyre vendeve në transformim. Në raportet e progresit BE-ja për të gjithë kandidatët tërheq vëmendjen, që pavarësia e drejtësisë nga politika nuk është e mjaftueshme, që korrupsioni vazhdon të jetë një problem i madh, që ekonomia e klientelizmit pengon reformat. Në shumë vende janë elitat politike që e bllokojnë progresin, sepse, si p.sh. në Bosnje-Hercegovinë, ato preferojnë politikën e orientuar nga fryma e grupeve të popullsisë. Në Shqipëri rivaliteti i rrënjosur thellë mes qeverisë dhe opozitës pengon përparimin në drejtim të BE-së. Perspektivat e anëtarësimit për Kosovën vështirësohen nga konflikti me Serbinë për njohjen e pavarësisë. Afrimi i Maqedonisë në BE ngec në grindjen me Greqinë për çështjen e emrit.

Verica Spasovska
Verica Spasovska komenton

Duhen përmendur edhe arritjet

Por njëkohësisht nuk duhet të lihet në heshtje që janë bërë edhe shumë përparime. Si p.sh. Serbia, që me ekstradimin e të dyshuarit për kriminel lufte Ratko Mladiç në Tribunalin për Krimet e Luftës në Hagë ka bërë një hap të rëndësishëm përpara. Shanset për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit janë për Beogradin më të mira se kurdoherë tjetër. Mali i Zi mund të dëshmojë një bashkëjetesë të çtensionuar midis grupeve etnike të popullsisë në vend. Të gjitha vendet bëjnë përparime në sektorin e ekonomisë dhe të politikës. Megjithatë për ato duhet të jetë e vështirë, që këto përparime të vlerësohen si të mjaftueshme në vendet anëtare të BE-së.

Është shumë e madhe frika, se me vendet e Ballkanit Perëndimor në BE mund të importohen edhe më shumë probleme. Kundërshtarët e zgjerimit krahas konfliktit të pazgjidhur të Qipros, druhen se Kosova mund të jetë problemi tjetër i vështirë i BE-së. Përveç kësaj rezerva tjetër që kanë ata: Qysh tani është mjaft e vështirë të zbatohen standarde të unifikuara brenda BE-së, gjë që pasqyrohet edhe në diskutimin për anëtarësimin e Rumanisë dhe të Bullgarisë në zonën Shengen. Nga të gjitha anët ky diskutim mbingarkohet edhe me krizën financiare të Greqisë. Parrullat që hidhen në rrethe të ngushta me spica ndaj evropiano-jugorëve gjoja dembelë kundrejt evropiano-veriorëve të zellshëm, shumë shpejt përdoren edhe si argumenta. Dhe elektorati preferon t'i dëgjojë ato.

Integrimi në BE do të zgjasë më shumë nga sa besohet

E nga ky debat i ngarkuar me populizëm dhe emocionalitet cënohet edhe prestigji i fqinjëve të Greqisë. Eshtë e vështirë të dëgjohet zëri i atyre, që janë për zgjerimin, kur u duhet që me të drejtë të tërheqin vëmendjen, se perspektiva e anëtarësimit e lidhur me kushte krijon presion për reformat. Mos vallë do të ishte sot Mlladiçi në Hagë, nëse Serbia nuk do ta dëshironte patjetër anëtarësimin në BE? Ajo që nuk duhet të harrojmë është, se Ballkani Perëndimor me ritmet e veta të zhvillimit ekonomik është interesant për BE-në. E para së gjithash, duhet të mos harrojmë, që Bashkimi Evropian është një projekt i paqes.

Pikërisht këtë rol, që ka marrë Evropa Perëndimore pas Luftës së Dytë Botërore duke i ndihmuar kësisoj kontinentit për stabilitet dhe zhvillim të madh, duhet të marrë tani edhe BE-ja ndaj Ballkanit Perëndimor. Vetëm, se kjo mund të kërkojë më shumë kohë nga sa besojnë njerëzit në Evropën Juglindore. Këtë të vërtetë të hidhur elitat politike duhet t'ua thonë zgjedhësve të tyre. E ato duhet të bëjnë të qartë edhe diçka: Integrimi në BE nuk i zëvendëson reformat ekonomike, që ato duhet t' i përballojnë vet. Kjo është e rëndësishme pikërisht sepse koha e pritjes do të zgjasë më shumë, nga sa zgjedhësit duan ta besojnë. Anëtarja e ardhshme e BE-së, Kroacia duhet t'u ndihmojë fqinjëve të saj, për ta përshkuar këtë rrugë të vështirë.

Autor: Verica Spasovska

Redaktoi: Vilma-Filaj Ballvora