"Vdekja e pyjeve" në Gjermani
26 Shkurt 2021Sipas raportit aktual mbi gjendjen e pyjeve në Gjermani, të cilin ministrja federale e Bujqësisë Julia Klöckner e prezantoi në Berlin, gjendja në pyje gjatë vitit 2020 ka qenë më e keqe se kurrë më parë, prej fillimit të matjeve në vitin 1984. Sipas raportit të paraqitur nga Klöckner, thatësirat, stuhitë, zjarret dhe dëmtuesit e drunjve kanë shkaktuar dëme të jashtëzakonshme në pyje. Në përgjithësi mund të thuhet se ndryshimi i klimës ka shkaktuar dëme të jashtëzakonshme.
Në vitet 2019 dhe 2020 "shkalla e vdekjes" së drunjve ishte "dukshëm më e lartë" krahasuar me vitet e mëparshme. Pemët më të vjetra se 60 vjeç janë në veçanti të rrezikuara, thuhet në raport. Aktualisht, zona që mund të ripyllëzohet është 277.000 hektarë. "Çdo dru që dëmtohet sot apo nuk e mbjellim sot ne, do t'i mungojë gjeneratës së ardhshme," shpjegoi Klöckner.
Sasia aktuale e drurit të dëmtuar është 171 milionë metra kub. Sipas raportit, i ashtuquajtura hollim i majave të drurit është në rritje. Kjo do të thotë humbje e parakohshme e majave të gjetheve. Sipas kësaj, katër në pesë drunj janë dëmtuar. Të dëmtuara janë 89 përqind të ahut, 80 përqind të lisave dhe pishave dhe 79 përqind të bredhave. Ministrja theksoi se raporti dëshmon se "pyjet tona janë të sëmura".
Në të njëjtën kohë, ajo vuri në dukje se një total prej 1.5 miliardë eurosh do të vihen në dispozicion për të mbështetur pronarët e pyjeve dhe menaxherët e pyjeve, për të ndihmuar përshtatjen më mirë të pyjeve me ndryshimet e klimës.
Organizatat për ruajtjen e mjedisit janë alarmuar për gjendjen. Greenpeace u ankua se asgjë nuk kishte ndryshuar në menaxhimin e pyjeve dhe se shumë zona ende po "pastrohen". Ndërsa organizata "Bund für Umwelt- und Naturschutz Deutschland" (BUND) i bëri thirrje qeverisë federale që përfundimit të marrë "masa efektive për mbrojtjen e klimës" në mënyrë që të ndalet vdekja e pyjeve.