1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vazhdon dialogu Kosovë-Serbi për uljen e tensioneve në veri

19 Korrik 2023

Qeveria e Kosovës ka ulur për 25 për qind praninë e forcave policore në ndërtesat komunale. Ajo është pajtuar edhe me mbajtjen e zgjedhjeve të reja në katër komunat në veri të Kosovës.

https://p.dw.com/p/4U6jM
Kosovo-Dialog Besnik Bislimi und der EU-Gesandte Miroslav Lajqak
Fotografi: Office of the Kosovo Prime Minister

Kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, janë ftuar sot në Bruksel, nga ndërmjetësit evropian, për të diskutuar veprimet për shtensionim të situatës si dhe hapat për zbatimin e marrëveshjes së 27 shkurtit për normalizimin e marrëdhënieve. Nuk dihet akoma nëse ata takohen bashkë apo, takimet zhvillohen të ndara me ndërmjetësit evropian.

Qeveria e Kosovës ditë më parë u pajtua me planin e Bashkimit Evropian për shtensionimin e situatës në komunat veriore të banuara me shumicë serbe. Tashmë qeveria e Kosovës ka ulur për 25 për qind praninë e forcave policore në ndërtesat komunale dhe është pajtuar të lëvizë drejt mbajtjes së zgjedhjeve të reja në veri të Kosovës.

Sonderbeauftragter für d. Kosovo Serbien Dialog Miroslav Lajcak
Fotografi: Darko Vojinovic/AP Photo/picture-alliance

"Prej javës së kaluar e kemi zvogëluar prezencën e Policisë së Kosovës për 25 për qind në tri ndërtesat komunale në veri. Tani kemi nisur t'ua hapim rrugën zgjedhjeve të parakohshme. Kosova është duke e zbatuar marrëveshjen e arritur me BE-në, në Bratisllavë, për shtensionimin e situatës”, shkroi kryeministri i Kosovës,Albin Kurti në profilet e tija në rrjetet sociale.

Kosova e gatshme të hapë rrugë

Kryeministri Kurti më herët ka thënë se pajtimi me BE-në për shtensionimin në veri rikthen barazinë në bisedimet me Serbinë, që sipas tij është cenuar nga vendosja e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

"Të dyja palët duhet të kenë mundësinë të negociojnë nga pozicione të barabarta, gjë që është cenuar prej vendosjes së masave të përkohshme kundër Kosovës nga ana e Bashkimit Evropian. Si përfundim besoj që dakordimi i Bratisllavës do të ndihmojë shumë në përforcimin e përqendrimit dhe vendosjen e barazisë midis palëve, që ndihmon zbatimin e plotë të marrëveshjes bazike”, deklaroi kryeministri Kurti.

Escobar paraqiti raportin për Kosovën

Kosovo Serbien Dialog, Miroslav Lajçak, Gabriel Escobar und Albin Kurti
Fotografi: Office of the Prime Minister of Kosovo

Ndërkohë, i dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, tha të martën gjatë një seance dëgjimore të Komisionit për Marrëdhënie me Jashtë të Dhomës së Përfaqësuesve, se ka marrë zotime nga Serbia se nuk do të kundërshtojë zgjedhjet e reja në veri të Kosovës. Ai bëri të ditur se Serbia do të përballet me masa nëse nuk vepron në pajtim me zotimet e saj. E për qeverinë e Kosovës Escobar tha se duhet të veprojë në harmoni me kërkesat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bashkimit Evropian dhe aleatëve të tjerë për shtensionimin e situatës në komunat veriore. Gjatë kësaj seance, Escobar përmendi edhe detyrimin e Kosovës për ta themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe, si një nga kushtet e zbatimit të marrëveshjes së arritur në shkurt dhe në muajin mars të këtij viti për rrugën e normalizimit të marrëdhënieve.

"Një element thelbësor është përmbushja e detyrimit të Kosovës që nga viti 2013 për të themeluar Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Asociacioni do të fuqizojë komunat me interesa, gjuhë dhe kulturë të përbashkët për të koordinuar sfidat e përbashkëta në ofrimin e disa shërbimeve publike, duke përfshirë arsimin, kujdesin shëndetësor dhe zhvillimin ekonomik lokal.

Gabriel Escobar
Fotografi: Klix.ba

Asociacioni nuk do të bie ndesh me Kushtetutën

Asociacioni nuk do të bie ndesh me rendin kushtetues të Kosovës”, tha Escobar. Sipas tij, marrëveshja e 27 shkurtit dhe aneksi i saj i 18 marsit, i kërkon Serbisë që ta njohë sovranitetin e Kosovës dhe tërësinë e saj tokësore, t'i njohë simbolet kombëtare, flamurin, dokumentet qeveritare, diplomat, targat e makinave dhe e ndalon Serbinë që ta bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare.

Sidoqoftë, tensionet gjatë muajve të fundit në veri të Kosovës, e kanë kthyer procesin e dialogut prapa, duke hequr fokusin kryesorë  - implementimin e  marrëveshjes. Bashkimi Evropian dhe SHBA-të, po duan ta rikthejnë dialogun në tavolinë, në mënyrë që Kosova dhe Serbia të ecin përpara drejt normalizimit të marrëdhënieve.