Vatra të reja zjarresh në Shqipëri
9 Gusht 2021Dy javë pas shpërthimit të zjarreve në Shqipëri situata mbetet ende shqetësuese. Rrezikun më të madh e paraqesin vatrat e pashuara të zjarrit në Gadishullin e Karaburunit, Mirditë dhe Kukës. Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, në deklaratën zyrtare që dha në mbrëmjen e të dielës (08.08) e cilësoi "problematike” situatën në vatrat e sipërpërmendura të zjarrit.
Angazhimi i helikopterëve nga BE, të mbërritur në Shqipëri ditët e fundit, menjëherë pas aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE krahas kapaciteteve vendase ende nuk ka bërë të mundur shuajen e vatrave të zjarrit në Gadishullin e Karaburunit, Malin e Rrunës në Kukës dhe në Thirë të Mirditës.
"Rrezikohet Parku i Llogarasë, jemi aty ditë e natë. Duhet të të shmangim kapërcimin e zjarrit drejt Parkut. Në lartësitë e Gadishullit tw Karaburunit, atje ku fillon Parku i Llogarasë, kemi 60 trupa të Forcave të Armatosura dhe kemi përcaktuar strategjitë për ndërhyrje me teknikat e mbrojtjes nga zjarri”, theksoi në deklaratën e tij Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Vatra të reja zjarresh
Pa u mbyllur vatrat e rrezikshme në Gadishullun e Karaburunit, në Mirdite dhe pyjet në Malin e Rrunës në Kukës, të tjera vatra janë hapur në Voskopojë, Fier, Vlorë, Krujë. Zjarret në pyjet me pisha të Voskopojës janë quajtur "masive dhe të qëllimshme” nga autoritetet. "Këto zjarre janë shumë të rrezikshme pasi kanë depërtuar në zemër të pyllit në Voskopojë. Këto zjarre nuk vijnë nga natyra, pasi Voskopoja ka klimë të freskët por nga dora e njeriut. Cilido që ndërmerr hapa të tillë do të hetohet dhe marrë dënimin e merituar”, tha mbrëmë Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi.
Në Fier, Krujë,Vlorë, të dielën, (08.08) pati vatra të reja zarri që kanë shkaktuar dëme të konsiderueshme. Zjarret në fshatin Kocul dhe Gorisht të Vlorës paraqesin rrezikshmëri të lartë pasi janë pranë puseve të naftës. Përveꞔ ekspertëve nga vendet e BE, në mbështetje të Forcave të Armatosura, për të fituar betejën dy javore me zjarret, sapo kanë mbërritur edhe ekspertë nga SHBA.
Në një deklaratë në median sociale ambadadorja amerikane në Tiranë, Yuri Kim, vuri në dukje, se "pajisjet e dhuruara më parë nga ushtria amerikane si "kova Bambi” për helikopterë, kostume zjarrfikëse, sëpata, lopata, pajisje mbrojtëse personale po përdoren tani për të mbrojtur jetën, shtëpitë dhe bizneset shqiptare”.
Policia e Shtetit vazhdon të ftojë qytetarët që të denoncojnë në numrin e Komisariatit Dixhital ꞔdo të dyshuar si zjarvënës dhe u garanton atyre anonimatin dhe veprime të shpejta dhe të paanshme prej saj.