1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Varhelyi: BE-ja çmon pozicionin e Kosovës ndaj Rusisë

26 Maj 2023

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, që vizitoi edhe pjesën veriore të Kosovës, bëri thirrje për zbatimin e marrëveshjeve Kosovë-Serbi.

https://p.dw.com/p/4RpYh
Oliver Varhelyi dhe Albin Kurti
Oliver Varhelyi dhe Albin KurtiFotografi: Büro des Premierministers des Kosovo

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, tha në Prishtinë se Kosova dhe Serbia duhet t'i zbatojnë marrëveshjet e arritura, përfshirë edhe atë për Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Gjatë një vizite që realizoi në Kosovë dhe takimeve që pati me udhëheqësit e lartë politikë, Komisionari Varhelyi, tha se nuk erdhi në Prishtinë që t'ua rikujtojë, "por se të gjitha palët duhet t'i zbatojnë marrëveshjet që kanë rënë dakord, përfshirë ato të vitit 2013 e 2015 për themelimin e Asociacionit”.

"Mendojmë që është bërë progres vitin e kaluar. Tash është e domosdoshme që të dyja palët t'i ofrojnë dhe t'i zbatojnë të gjitha obligimet pa vonesa, sepse duhet ta shfrytëzojmë momentin. Të ecim para me zbatimin e marrëveshjes sa më parë dhe të zbatohen pa kushte”, tha Vahelyi, duke i cituar konkluzat e Këshillit Evropian ku thuhet se "të dyja palët nxiten që t'i zbatojnë plotësisht dhe pa kushte të gjitha obligimet për të cilat janë zotuar”.

Kosova duhet të vazhdojë reformat

Komisioneri i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe Zgjerim, tha se Kosova duhet të vazhdojë reformat dhe ato duhet të zbatohen, duke lavdëruar vendin për pozicionin e saj ndaj zhvillimeve të luftës në Ukrainë dhe saksioneve ndaj Rusisë.

Komisioneri i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi
Komisioneri i Bashkimit Evropian për fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver VarhelyiFotografi: Büro des Premierministers des Kosovo

"Nëse ka një mesazh të qartë që vjen gjithmonë nga Prishtina është se Kosova është shumë e përkushtuar sa i përket përafrimit me BE-në. Keni treguar angazhim dhe mbështetje në vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë. Diskutuam çështjen e reformave, dhe arritjet në gjashtë vitet e fundit. Reformat duhet të jenë të vazhdueshme dhe të zbatueshme, duhet një regjistër i tyre. Përshëndesim angazhimin e qeverisë për përmirësimin e sistemit të drejtësisë, në luftën kundër korrupsionit. Duhet luftimi i nivelit të lartë të korrupsionit dhe krimit të organizuar. Kosova është në fazë të hershme sa i përket adresimit të këtyre çështjeve. Kosova është vend strategjik për tërheqjen e bizneseve por, për këtë duhet krijuar kushtet e volitshme. Po ashtu dhuna ndaj mediave e presionet duhet të ndalen”, tha Varhelyi duke dhënë një sërë mesazhesh për Kosovën, gjatë një konference të përbashkët me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Kjo e fundit, tha se "Kosova mbetet e përkushtuar për të ecur drejt integrimit në Bashkimin Evropian” dhe sipas saj, "po punohet përditë që Kosova t'i afrohet këtij qëllimi”.

"Përkushtimi për ta ofruar vendin tonë në BE mbetet i palëkundur. Aplikimi për anëtarësim është rikonfirmim i kësaj. Kosova po e forcon çdo ditë sundimin e rendit e ligjit duke u koordinuar me BE-në”, tha Presidentja Osmani, duke shtuar se "Kosova vazhdon të qëndrojë përkrahë aleatëve për ta mbrojtur demokracinë e vlerat qe na bashkojnë”.

Oliver Varhelyi dhe Albin Kurti
Oliver Varhelyi dhe Albin KurtiFotografi: Büro des Premierministers des Kosovo

E kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pas takimit me komisionarin Oliver Varhelyi, tha se  ata "bashkë, diskutuan për gjetjet në Raportin e Vendit për këtë vit, i cili konfirmon se Kosova ka shënuar progres në forcimin e demokracisë, sundimit të ligjit, luftës kundër korrupsionit dhe ka intensifikuar aktivitetet legjislative, si dhe për procesin e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe nevojën e përshpejtimit të integrimit të rajonit në Bashkimin Evropian”.

Varhelyi viziton pjesën veriore të Mitrovicës

Komisionari për Zgjerim dhe Fqinjësi i Bashkimit Evropian, Oliver Varhelyi, vizitoi edhe pjesën veriore të Mitrovicës të banuar me shumicë serbe dhe Urën mbi Lumin Ibër që ndanë qytetin në dy pjesë,  ai e kaloi në këmbë, Urë kjo e cila tash e disa vjet vazhdon të jetë e mbyllur për qarkullimin e makinave.

Vizita e Komisionarit Varhelyi në pjesën veriore të Mitrovicës  dhe takimi me përfaqësuesit e listës Srpska, ndodhi në të njejtën ditë kur tre kryetar shqiptar të tri komunave veriore, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveҫan, dhanë betimin pas zgjedhjeve të 23 prillit të cilat u bojkotuan masivisht nga serbët lokal. Serbët lokal nuk i njohin kryetarët shqiptar të komunave veriore përfshirë edhe atë të Mitrovicës së veriut.

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq
Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar PetkoviqFotografi: John Thys/AFP/Getty Images

Shefi i Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Petar Petkoviq, në një reagim të tij, tha se "me betimin e kryetarëve të rinj në komunat në veri të Kosovës, është zyrtarizuar pushtimi i katër komunave”.

"Pushtimi nuk ka qenë kurrë situatë e përhershme në histori, andaj nuk do të jetë as në katër komunat në veri të Kosovës, dhe do të përfundojë së shpejti, megjithatë, populli serb, më shumë se pushtimin e  Kurtit, do ta mbajë mend mënyrën e turpshme sesi demokracitë e rreme e kanë dhënë dritën e gjelbër për diçka të tillë”, tha ne reagimin e tij Petar Petkoviq.