1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Valë solidariteti me Shqipërinë nga Europa

26 Nëntor 2019

Pas tërmetit shkatërrues që goditi Shqipërinë vjen një valë solidariteti nga Europa. Kancelarja Merkel i ka ofruar ndihmë emergjente Shqipërisë. Shumë vende të tjera fqinje e europiane tregohen solidare me Shqipërinë.

https://p.dw.com/p/3TjXj
Albanien Erdbeben in Thumane
Forcat e emergjencës nxjerrin të plagosur në ThumanëFotografi: Reuters/F. Goga

Pas fatkeqësisë së tërmetit në Shqipëri, Bashkimi Europian ka reaguar zyrtarisht përmes Federica Mogherinit, zëvendëspresidente e BE dhe e ngarkuara në largim për Politikën e Jashtme si edhe komisionerit të BE, Christos Stylianides duke shprehur tronditjen për tërmetin shkatërrues që ka shkaktuar viktima në Shqipëri. "Shprehim ngushëllimin e thellë për njerëzit dhe auoritetet e shtetit. BE qëndron në solidaritet me Shqipërinë dhe është gati të ofrojë ndihmën e saj." Mekanizmi Europian për Mbrojtjen e Civilëve dhe Qendra Koordinuese për Rastet e Emergjencave të BE ( ERCC) kanë ofruar ndihmë dhe janë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare.

Albanien Thumane | Schäden nach Erdbeben
Kërkohen njerëz në rrënoja në ThumanëFotografi: Reuters/F. Goga

Ndihmat e para janë nisur ndërkohë drejt  Shqipërisë. Sipas njoftimeve të autoriteteve shqiptare, fqinjët e Shqipërisë, Italia dhe Greqia kanë nisur avionët me ndihma në Shqipëri. Edhe Kosova  po ndihmon. Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli shkruan, se "Kosova ka dërguar njësitë e saj për të ndihmuar autoritetet në këto momente të vështira". Autoritete të larta nga Kosova kanë bërë të ditur dërgimin e forcave të ushtrisë dhe emergjencës.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, sipas njoftimeve, ka vënë në përdorim mekanizmin e ndihmës së emergjencës. Njoftimi vjen nga zyra e kryeministrit shqiptar, Edi Rama.

Albanien Thumane | Schäden nach Erdbeben
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Shkullaku

Edhe Mali i Zi dhe Serbia janë të gatshme të ndihmojnë Shqipërinë. Nga Mali i Zi dhe nga Serbia janë nisur dy ekipe të specializuara për shpëtimin në raste katastrofash. Nga Rumania janë nisur ndërkohë dy aeroplanë ushtarakë shpëtimi, pritet të mbërrijnë në Shqipëri edhe ndihmat nga Turqia.

Reagime pas tërmetit në Shqipëri erdhën edhe nga Presidenti i Parlamentit Europian, David Sassoli. Ai shkroi në twitter, se "jam thellësisht i prekur për lajmet e tërmetit shkatërrues në Shqipëri. E gjithë Europa është solidare me vendin dhe njerëzit. Mendimet tona janë me viktimat dhe të dashurit e tyre."Solidaritet me Shqipërinë ka treguar edhe fituesi i zgjedhjeve të fundit në Austri, dhe ish-kryeministri i Austrisë, Sebastian Kurz. "Mendimet e lutjet e mia janë me shqiptarët, veçanërisht me familjet e viktimave të tërmetit. Ne jemi të gatshëm për ndihmë."

Neuer Präsident des EU-Parlaments David Sassoli
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/J.-F. Badias

Edhe kryeministri i Bullgarisë, Boiko Borissov, i cili ka telefonuar kryeministrin Rama për të ofruar ndihmë, shkruan në twitter se e ndan dhimbjen me shqiptarët në këtë ditë të vështirë dhe shprehim shpresën për shërimin sa më të shpejtë të të lënduarve e restaurimin e dëmeve materiale. Jemi gati të ndihmojmë." Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, po ashtu ka ofruar ndihma në një telefonatë me kryeministrin Rama. Ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Nikola Dimitrov shkruan se "jam thellësisht i prekur për lajmin e humbjes së jetëve në Shqipëri. Gati të ndihmojmë."

Albanien Erdbeben Zerstörung in Dürres
Fotografi: picture-alliance/AP Photo/H. Pustina

 

 

la/afp, dpa, AP, twitter)