1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Vallëzimi i Gruevskit mbi vullkan

5 Mars 2017

Tigri i shaluar që mund të përpijë vetë Gruevskin! Në një analizë të Arsim Zekollit për gjendjen aktuale të Maqedonisë, nuk merren në konsideratë vetëm gabimet e politikanëve lokalë, por edhe gabimet e perëndimit.

https://p.dw.com/p/2YdfQ
Mazedonien Arsim Zekolli
Arsim ZekolliFotografi: DW/K. Blazevska

Shikuar në retrospektivë dhe pa pretendime të qëllimshme, mund të them se si njeri në moshën e mesme më ngarkojnë tri mistere të pashpjeguara që më nxisin kurreshtjen. E para, nëse vallë jemi e vetmja specie në univers. Enigmë kjo, për të cilën shpresoj të sqarohet gjatë dekadave që do vijnë. E dyta ka të bëjë me kuptimin e jetës, por me bindje se këtë të panjohur do ta zbërthejmë tok para se të kalojmë lumin Stiks. Sa për të treten, nuk jam aq i bindur se do ta kuptojmë së shpejti.

Më saktësisht, enigma ka të bëjë me atë, se çfarë ka bërë saktësisht dhe me kë është shoqëruar bankieri Sllobodan Millosheviq gjatë qendrimit të tij në New York, para se të zbarkonte si politikan në Fushë Kosovë? Të mos ngjajë ndjellakeq, por ja që më shkon mendja se për deri sa nuk sqarohet ky mister paramodern i orgazmave nacionaliste ballkanase, do vazhdojë të na kthehet në mendje gjatë secilit episod të mjegullnajave dhe pështjellimave ballkanase, në të cilat futemi me kraharor trimash dhe dalim të gjunjëzuar si zvarranikë. Pa dyshim fare, gjendja e tanishme është gjithsesi një nga këto episodet sfiduese, në të cilat nuk e kuptojmë dot nëse jemi para agimit apo muzgut, ç'po ndodh dhe a mbetët ndonjë shteg për rrugëdalje.

Kush qëndron në prapavijë?

Për befasinë tuaj të supozuar, më ngjan se elaborimet më të sakta për gjendjen sot dhe këtu në Maqedoni mund t'i gjeni mu në shtypin qeveritar dhe agjenturën propagandistike të VMRO-DPMNE. Leximi i bravurave gjeniale, në të cilat elaborohen "efektet bombastike afatshkurtra” që mëtojnë të shpjegojnë se si shtrenjtimi i sutjenave në Bangladesh ndërlidhet me gazsjellësin jugor nëpër Ramali e Hasanbeg, gjithsesi mund t'ju ngjajnë qesharake, po në të njëjtën masë si edhe përshkrimet për Agjent Silveret perendimorë nëpër sokaqet e Shkupit dhe në shërbim të opozites, Shqiptarëve, NATO-s, Amerikanëve dhe kush do që loz rolin e fajtorit të ditës për hallet e Maqedonisë.

Megjithate, sado që ngjanë absurde, në rrëfimet e tilla komiko-politike ka diçka tejet të logjikshme dhe të denjë për të pranuar si argument valid se, ja, të huajt vërtet po përzihehen në punët tona duke na përgadisur diçka, çkado, çfarëdo.

Lehtësia e akuzave për prani të shërbimeve të huaja në shërbim të opozitës në një masë bazohen mbi eksperiencat (dhe qëndrimet) e mëparshme të po të njëjtëve detektivë që sot shquhen për gjahun që ushtrojnë kundër tradhtarëve.

Paj, kush përveçse po vetë këta apologë të "revolucionit portokalli” që solli në pushtet Gruevskin si të përzgjedhur nga "i mallkuari perëndim” do mund të zbulojnë se në prapavijë të "revolucionarëve laramanë” të sotëm qëndruakan po të njëjtit faktorë të huaj? Nga kujtesa e përbashkët ende nuk janë shlyrë kujtimet për shkrimet dhe raportimet për parashutistët e dikurshëm në Hotel Panorama të Shkupit, të sjellë me fuoristrada të zeza me targa bullgare, bllokadat e bulevardeve dhe qilimat e kuq nëpër metropolet perëndimore të shtruara për "kryeministrin e ri reformist demo-kristian”.

Dëshmi këto për mëkatet fillestare kolaboracioniste të engjëjve të sotëm të patriotizmit fallco në VMRO-DPMNE. Të cilët, me ankth të koshiencës së vonuar dhe me tmerr kuptojnë, se nuk ka drekim pa llogari as sundim pa plotësim të premtimeve të dhëna dhe obligimeve të marra përsipër. Kjo është butakësia e patriotëve këmbëngulës dhe kryesuesve të tyre, që së pari duhet të kuptojnë se rruga e tyre drejt pushtetit nuk është formulë e shpikur enkas dhe ekskluzivisht për hir të tyre dhe askujt tjetër, por një parim ndaj të cilit o do nënshtrohen, o do vetë-shkatërrohen.

Varshmëria koloniale

Prandaj, ua them të besoni në të gjitha që kerberët qeveritar i shkruajnë për opozitën e sotme. Pasi që mu këta kerber, si askush tjetër kuptojnë nga eksperienca personale se si në Balkan fitohet dhe mbahet pushteti. Dhe prandaj, në mënyrë instinktive, në ngritjen e opozitës detektojnë gjenezën e vet politike. Besoj se ithtarët e eksluzivitetit hyjnorë ideologjik tanimë mprehin dhëmbët për të hedhur akuza për relativizim të përgjegjësisë dhe vënien e shenjës se barazimit mes huntës se sotme mafioze dhe "të qunave shpresëdhenës” nga opozita. Nuk ia vlen mundi për të dëshmuar se relativizimi, për të cilin akuzohem nuk ka të bëjë me vlerësime (jo)idealiste të aktorëve të involvuar, aq sa që aspiron analizen e sistemit që prodhon aktor të tillë, duke i eksploruar dhe në fund hedhur në plehra si mall i konsumuar.

Fakt ky tërësisht në përputhje me natyren e realitetit politik të një vendi në varshmëri koloniale. Varshmëri që na dikton sjelljen edhe kur vet Leviathanet tanë na shtyjnë dhe inkurajojnë për të tejkaluar pozicionimet e të nënshtruarve kolonial, duke na plotësuar dëshirën e shprehur me gjysmë-goje për "bartje të përgjegjësisë në sjellje vendimesh”. Po ja që në realitet, lobimet e Gruevskit në ëashington kundër Ambasadorit Amerikan Bejli si dhe shoqërimet e bujshme të tij me Ministrin Kurtz dhe Kryeministrin Orban dementojnë pretendimet bombastike për re-sovranizim të vendit. Kotësi propagandistike e politikes ditore, sikur dhe pozicionimi statik i opozitës, e cila duke pritur fermane nga Perendimi ne fakt dëshmon të vërtetën brutale për mungesë endemike të vizionit dhe kurajos për të qenë kapidan të fatit të vet. Në këtë qark vicioz fshihet paradoksi se tërë mos-suksesi ynë rezulton nga suksesi i bashkësisë ndërkombëtare në imponim të mentalitetit kolonial të metastazua,r pothuajse deri buzë atrofimit të përfaqësimit dhe përgjegjësisë autentike dhe autonome.

Pse situata përfundon në anarki

Kjo emergjencë vijuese politike qëndron si ilustrim i përsosur i përplasjes përbrenda pozicionimit absolutisht kolonial të shoqërisë. Që reflektohet përmes luftës rrënqethëse për sundim administrativ deri sa publiku gjithnjë e më shumë distancohet, e përmbytur në anemi dhe heshtje introverte. Gjendja do mbetet e tillë për deri sa klasa politike nuk arrinë të kuptojë, se në shtetet e kolonizuara funksionet administrative janë proksi-peshqeshe te dhuruara nga Leviatani, ndërsa aura e liderit prerogativ vlerësues nga ana e qytatarëve dhe popullit, me të cilin madhërojne ata që definojnë qenien dhe aspiratat kombëtare.

Rrjedhimisht, pat-pozicioni i tanishëm mes Gruevskit dhe Zaev si dhe dështimi i Ali Ahmetit dëshmon se kur caku ultimativ i politikës është pushtimi i administratës qeverisëse pa betejë lidereske për demokraci dhe përfaqësim autentik, situata detyrimisht përfundon në anarki. Bashkësia ndërkombëtare në masë të madhe mbart përgjegjësi për këtë gjendje, falë pjesëmarrjes në manipulime diskrete dhe vendimtare për të siguruar politikan vendorë, të dizenjuar sipas modelit "dëgjushmeri, parashikueshmëri, nënshtrueshmëri”. Alas! Si ndryshe përveçse si shpërthime komike dhe tërësisht absurde do mund të cilësohen apelet nga Brukseli, Berlini dhe Uashingtoni zyrtar drejtuar politikanëve vendor për "demonstrim të lidershipit”? Saktësisht ndaj kujt në fakt drejtohen apelet e tilla, kur vetë mungesa e autoritetit drejtues është parakushti kryesor, falë të cilit po këta politikanë janë përzgjedhur, promovuar, përkrahur dhe janë ngujuar në kolltuk nga e njëjta bashkësi ndërkombëtare?

Ndërrime politikanësh jo politikash

Ilustrimi praktik i varshmërisë koloniale të politikës vendore nuk është ndonjë sfidë e vështirë. Filluar nga "portokalli patriot” Gruevski dhe "laraman revolucionari” Zaev si delegat imediat të dëshirave ndërkombëtare, si dhe "kuburë-bartësi” i pacifizuar Ali Ahmeti në rol të Shqiptarit-të-përdorshëm në fifti-fifti varshmëri koloniale ndaj të huajve dhe elites maqedonase. Fatkeqësisht, po kjo vlen edhe për forcat e reja politike – "Levizja Besa” në rolin e shpresës koloniale të Turqisë dhe Ziadin Sela si marionetë e Ahmetit, mbase falë faktit që ky i dyti në politikanin e ri nga Struga detekton historinë e vet konvertibile nga revolucionari në "politikan konstruktiv”.

Këmbëngulja e mëtejshme SHBA dhe BE e bazuar mbi parimin e ndërrimeve ciklike të personaliteteve politike pa ndryshim të vet parimeve politike detyrimisht krijon cikle krizash me intensitete gjithnjë e më dramatike. Optimistët me të drejtë do përkujtojnë se liderët e vërtetë lindin mu nga rrethana krizash dhe sfida jetësore. Por, ajo që gjendjen e bën jo aq optimiste qëndron në rrezikun real që liderët e tillë të lindin nga ana tjetër e barrikadave dhe brenda radhëve të forcave që sot protestojnë "në emër të popullit” duke shfrytëzuar vakumin e krijuar falë politikave miope të bashkësisë ndërkombëtare dhe opozites.

Tigri që mund të përpijë vetë Gruevskin

Në skenën politike të Maqedonisë tanimë zhvillohet transferi i heshtur dhe dramatik, në të cilin qasja pragmatike e LSDM ndaj BDI rezulton në exod të frymës idealiste (pro-nacionaliste) që në numër më të vogël kalon drejt VMRO-DPMNE, por aq më shumë kërkon ndonjë trup të ri politik. Nga këndvështrimi tjetër, përdorimi i tanishëm i "vullnetit popullor” mund të dëshmohet në këtë çast si shpëtimtar për Gruevskin. Megjithate, dëgjimi më i vëmendshëm i parullave nga goja e protestuesve imponon dilemën, nëse vallë lideri nacionalist i VMRO-DPMNE në fakt ka shaluar tigrin që në fund do mund t'i kthehet dhe të përpijë vetë Gruevskin? Ngjyrimet ezotike të demonstruesve të "revolucionit të zi” demo-krishter dhe ideologët "profesorë e medial” të protestave gjithsesi imponojnë vijëzimin e paralelave me mundësinë e paraqitjes të ndonjë versioni të këtushëm të "çajtoreve paritake” (tea party) sipas shembullit populist nga SHBA.

Me një dallim që Gruevski dhe udhëheqësia e tanishme e VMRO-DPMNE do mund të detyrohen mu nga ithtarët e vet "shpëtimtar” më në fund të deklarohen nëse janë me Lindjen apo me Perendimin. Ne fakt, shlyerja e Gruevskit nga ana e perendimorëve tanimë ka ulur çmimin e tij në pazarin politik global. Nga ana tjetër, Moska asnjëherë nuk ka besuar në lotë dhe aq më pak pranon bashkëpunim me lider që ndaj Rusisë me dashuri buzëqeshin, por në Amerikë lobojnë. Është ca e vështirë për të besuar se udhëheqësit e VMRO-DPMNE nuk i kanë dëgjuar deklaratat e ithtarëve të vet "këmbëngulës” në të cilat fillimisht me gjysmë goje, ndërsa tani me plot zë hedhin qëndrime në stilin "as Gruevski, as Zaev”. Tok me bindjen se në mendjet e VMRO-DPMNE sillet vërdallë pyetja retorike se nga cili meridian global buron inspirimi për blasfemi të tilla relativizuese.

Disa javë më parë theksova se pranvera do iu takojë atyre që të parët do pushtojnë rrugët e kryeqytetit. Duket se ky nder këtë vit do i takon të djathtës, edhe pse vallëzimi i përshpejtuar dhe euforik i VMRO-DPMNE do mund ta rrëshqasë atë mu në varrin e hapur për LSDM. Perëndimi sërish përzgjedh qasjen më të lehtë të rrugës së shtruar me proceduralitete inerte dhe mbase sërish dështon të shfrytëzojë këtë krizë si shans për të reformuar sistemin ekzistues dhe për të shmangur formulën e ndrrimit të politikanëve pa ndryshim të politikave. Druaj se Lindja nuk do ketë inhibime dhe rezerva të tilla.