1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria siriane: Armëpushim në mbarë vendin

29 Dhjetor 2016

Fillimisht Kremlini refuzoi, por tani edhe presidenti rus, Vladimir Putin konfirmon: Ka një ujdi për armëpushim në të gjithë Sirinë nga dita e premte.

https://p.dw.com/p/2V0d0
Syrien syrische Armee in Aleppo
Fotografi: Getty Images/AFP/G. Ourfalian

Nga mesnata e së premtes në Siri vendoset armëpushimi. Deklaratën e bërë nga ushtria siriane, e publikoi agjencia e lajmeve, Sana. Sipas saj, nga ky armëpushim përjashtohen xhihadistët, ndër ta edhe milicët e të ashtuquajturit "Shteti Islamik".

Presidenti rus, Putin e konfirmoi ujdinë, sipas tij Moska ka pranuar zvogëlimin e prezencës ushtarake në Siri. Ndërsa ministri i Jashtëm rus, Sergej Lavrov u shpreh se SHBA mund t'u bashkohen përpjekjeve për paqe në Siri me marrjen e postit nga presidenti i zgjedhur, Donald Trump. Edhe Egjipti, Arabia-Saudite, Katari, Iraku dhe Jordania janë ftuar.

Armëpushimin e ndërmjetësuar nga Rusia dhe Turqia e përshëndeti edhe koalicioni i forcave revolucionare të Sirisë, një bashkim opozitar kundër presidentit, Bashar al Asad. Ende nuk dihet nëse nga armëpushimi përjashtohet grupi Fatah al Sham, ish-Al Nusra, sepse për këtë ka pasur deklarata të ndryshme. Të mërkurën deklaratat e Turqisë se është arritur armëpushimi, shkaktuan irritim, sepse Moska nuk donte t'i konfirmonte ato.