Ushtria kineze është e hapur për bisedime me SHBA
30 Tetor 2023Sipas një gjenerali të lartë, ushtria kineze është e hapur për rifillimin e bisedimeve me SHBA. Kina është e gatshme të zgjerojë marrëdhëniet ushtarake kino-amerikane mbi bazën e respektit të ndërsjellë dhe bashkëjetesës paqësore, tha Zhang Youxia, nënkryetar i Komisionit Qendror Ushtarak, në një dialog ndërkombëtar të sigurisë në Pekin.
Zhang Youxia është komandanti i dytë më i lartë në ushtri, menjëherë pas kreut të shtetit dhe partisë Xi Jinping. Ai mbajti fjalimin e hapjes së Forumit Xiangshan. Në fakt, kjo është detyrë e ministrit të Mbrojtjes të Kinës, por pasi qeveria e shkarkoi Li Shangfu-në javën e kaluar, pozicioni aktualisht është vakant. Më parë, Li u zhduk nga daljet në publik për javë të tëra pa shpjegime.
Afrim i kujdesshëm mes Kinës dhe SHBA-së
Kina dhe SHBA po afrohen sërish pas sanksioneve ekonomike, akuzave për spiunazh dhe qëndrimit të Kinës në luftën kundër Ukrainës. Këto i kishin sjellë marrëdhëniet dypalëshe në një pikë të ulët. Ushtarakisht, dy fuqitë bërthamore nuk kanë pasur shkëmbime që kur ish-kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA Nancy Pelosi vizitoi Tajvanin në gusht të vitit 2022. SHBA kishte vendosur sanksione ndaj Li Shangfu-së, duke i bërë të pamundura bisedimet me të.
Marrëdhëniet ekonomike midis dy vendeve janë karakterizuar gjithashtu nga tensione dhe sanksione. SHBA vendosin kufizime të rrepta në tregti, veçanërisht me teknologjinë nga Kina. Qeveria amerikane gjithashtu ndalon disa investime në industrinë e teknologjisë kineze.
Tajvani mbetet mollë sherri
Zhang Youxia, megjithatë, përdori gjithashtu një ton të ashpër në fjalimin e tij, duke u fokusuar kryesisht në pretendimin e Kinës për pushtet mbi Tajvanin. "Pavarësisht se kush dëshiron ta ndajë Tajvanin nga Kina, ushtria kineze nuk do ta pranojë kurrë dhe nuk do të jetë kurrë e butë”, tha ai. Tajvani është një nga interesat kryesore të Kinës.
Nëse qeveria kineze do të detyrohej të zgjidhte çështjen e Tajvanit me forcë, kjo do të ishte një luftë legjitime dhe ribashkuese, tha gjithashtu gjenerallejtënant He Lei për gazetën Global Times, zëdhënëse e Partisë Komuniste. SHBA kishin premtuar të mbështesin Tajvanin në rast emergjence dhe të furnizojnë rregullisht me armë shtetin ishullor demokratik, të cilin Pekini e konsideron territorin e tij. Herë pas here, Kina depërton në territorin tajvanez me anije dhe aeroplanë për të demonstruar fuqinë e saj.
Diplomaci ushtarake ndërkombëtare
Forumi Xiangshan është përgjigja e Pekinit ndaj Dialogut Shangri-La, një konferencë e madhe e sigurisë për rajonin Azi-Paqësor. Përveç përfaqësuesve nga Rusia, Bjellorusia, Arabia Saudite dhe Irani, në të mori pjesë edhe një delegacion nga SHBA. Gjermania përfaqësohet nga një atashe i mbrojtjes nga ambasada gjermane në Kinë.
aud (dw, ard)