Izraeli sulmon pozicione të Hamasit në Rripin e Gazës
2 Janar 2022Gjatë sulmeve ndaj pozicioneve në Rripin e Gazës u bombarduan një fabrikë raketash dhe një pikë ushtarake e Hamasit, njoftoi ushtria izraelite. "Jerusalem Post” njofton se tanket kishin qëlluar edhe pozicionet e Hamasit përgjatë kufirit me Rripin e Gazës. "Organizata terroriste Hamas është përgjegjëse për ngjarjet dhe për pasojat e veprimeve terroriste në Rripin e Gazës”, citon gazeta burimet e ushtrisë.
Të shtunën në mëngjes Izraeli njoftoi se pranë Tel Avivit kishin rënë në det dy raketa të qëlluara nga Rripi i Gazës. Deri tani nuk ka njoftime për viktima të mundshme.
Qetësi që nga muaji maj
Organizata palestineze Hamas që dominon në Rripin e Gazës, është klasifikuar nga Izraeli, SHBA dhe BE si organizatë terroriste. Izraeli u përfshi në maj në një konflikt të armatosur njëmbëdhjetëditor me militantët palestinezë në Rripin e Gazës.
Egjipti arriti të ndërmjetësonte një armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit, i cili hyri në fuqi më 21 maj. Që atëherë gjendja ka qenë relativisht e qetë.