Ushtria izraelite përparon në Rafah
7 Maj 2024Forcat e armatosura izraelite kanë përparuar në drejtim të qytetit jugor Rafah në Rripin e Gazës duke rritur shqetësimet për një ofensivë me pasoja të mëdha ushtarake. Njësitë izraelite kanë sulmuar objektiva në lindje të Rafahut. Sipas të dhënave të zëdhënësit të ushtrisë izraelite bëhet fjalë për qendra të Hamasit. Me këtë synohet të rritet presioni ushtarak kundër organizatës terroriste. Sipas të dhënave të një spitali në zonë pesë vetë kanë humbur jetën. Ushtria izraelite njoftoi, se ka vënë nën kontroll pjesën palestineze të pikës kufitare Rafah mes Rripit të Gazës dhe Egjiptit.
Gallant: Sulmet marrin fund sapo të lirohen pengjet
Ministri izraelit i Mbrojtjes, Yoav Gallant bëri fjalë për një pushtim me disa faza. që mund të ndalë, nëse Hamasi është i gatshëm për një zgjidhje negociuese për këmbimin e pengjeve. Qeveria amerikane bëri më vonë të ditur, se ajo nuk është e mendimit, se ka filluar ofensiva e gjerë e paralajmëruar e ushtrisë izraelite.
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres u bëri thirrje palëve të bëjnë gjithçka që të arrihet një marrëveshje për ndalim luftimesh. "Një ofensivë tokësore në Rafah nuk do të ishte e pranueshme për shkak të pasojave të jashtëzakonshme humanitare dhe pasojave destabilizuese për rajonin."
Edhe presidenti amerikan, Joe Biden apeloi pas një takimi me Mbretin e Jordanisë, Abdullahun e II në Uashington, se janë urgjentisht të nevojshme lirimi i të gjitha pengjeve, armëpushimi i zgjatur dhe ndihmat humanitare.
Hamasi shtron kërkesa të gjera
Të hënën në mbrëmje, Hamasi dhe miratimin për një propozim në lidhje me armëpushimin. Por sipas të dhënave izraelite, ky miratim nuk i përgjigjet kërkesave izraelite. Televizioni CNN raportoi, se varianti i pranuar nga Hamasi ka përmbajtur tre faza 42 ditore. E para parashikon ndër të tjera lirimin e 33 pengjeve në këmbim për qindra të burgosur palestinezë, një tërheqje me disa hapa të trupave izraelite nga Rripi i Gazës dhe lirinë e lëvizjes për palestinezë të paarmatosur në zonë. Faza e dytë nuk është përpunuar në mënyrë të detajuar, por parashikon lirimin e të gjitha pengjeve, tërheqjen e plotë të ushtrisë izraelite nga Gaza dhe ndalim të përhershëm të luftimeve. Në fazën e tretë do të duhet të fillojë një plan tre deri në pesë vjet për rindërtimin e Gazës.
Nga zyra e kryeministrit izraelit, Netanjahu, thuhet se propozimi i Hamasit është larg asaj që kërkon Izraeli, prandaj kabineti i luftës vendosi t'i mbetet ofensivës së planifikuar. Megjithatë Izraeli dërgoi një delegacion "të nivelit të lartë" për bisedime negociimi në Egjipt, thuhet nga kabineti qeveritar izraelit për të rritur shanset për një ujdi me "kushte të pranueshme".
la/ag