1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Ushtria e Tajvanit në gjendje alarmi

2 Gusht 2022

Një vizitë e mundshme e Nancy Pelosit në Tajvan ndez tensionet me Kinën, e cila ka kërcënuar përsëri Shtetet e Bashkuara me pasoja.

https://p.dw.com/p/4F0Zr
Taiwan Armee Militärübung bei New Taipei City
Fotografi: Taiwan Ministry of National Defense/AP/picture alliance

Në përgjigje të kërcënimeve verbale dhe manovrave ushtarake nga Republika Popullore e Kinës ushtria e Tajvanit ka rritur gatishmërinë e saj luftarake. Siç raportoi agjencia e lajmeve CNA urdhri për gjendjen e gatishmërisë vlen deri të enjten në mesditë. Sidoqoftë sistemi i alarmit, i cili ka dy faza, nuk është ende në nivelin "urgjent", por ende në "gatishmërinë normale operacionale", njoftoi Taipeu zyrtar.

Ministria e Jashtme në Pekin kërcënon sërish

Udhëheqja kineze i kërcënuar përsëri Shtetet e Bashkuara me pasoja nëse politikania e lartë Nancy Pelosi viziton Tajvanin. "Pala amerikane do të marrë përgjegjësinë dhe do të paguajë çmimin për minimin e interesave të sigurisë sovrane të Kinës”, u tha gazetarëve në Pekin zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme Hua Chunying.

Taiwan Taipeh | Titelseite einer Zeitung zu Nancy Pelosi
Fotografi: ANN WANG/REUTERS

Vizita e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së në Taipe do të ishte vizita më e lartë nga SHBA-ja prej dekadash. Pelosi është përfaqësuesja e tretë më e lartë e Shteteve të Bashkuara, pas presidentit amerikan Joe Biden dhe zëvendësit të tij, Kamala Harris.

Edhe Rusia akuzon SHBA-në

Në lidhje me vizitën e kryetares së Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi, reagoi qartësisht edhe qeveria ruse. Kremlini akuzoi SHBA-në për destabilizim mbarëbotëror. "Uashingtoni po destabilizon botën. Dhe në dekadat e fundit nuk është zgjidhur asnjë konflikt i vetëm, por janë provokuar shumë syresh," shkroi zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Moskës Maria Zakharova në shërbimin online Telegram.

Nancy Pelosi Asienreise | Malaysia
Fotografi: Malaysia Department of Information/AP/picture alliance

Pelosi fluturoi këtë të martë nga Singapori në Malajzi. Sikurse njoftoi agjencia shtetërore e lajmeve Bernama avioni i saj u ul në bazën e Forcave Ajrore Subang pranë kryeqytetit Kuala Lumpur. 82-vjeçarja do të takohet me kryeministrin Ismail Sabri Yakoob.

Japonia dhe Koreja e Jugut janë stacionet e tjera të parashikuara për udhëtimin e Nancy Pelosit në Azi. Tajvani nuk përmendet në programin e saj zyrtar, megjithatë demokratja amerikane ka kohë që planifikon të vizitojë Tajvanin për të shprehur mbështetje kundër kërcënimeve nga Kina.