1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

UNODC: Shqipëria vend i prodhimit dhe tranzitit të cannabis

29 Qershor 2021

Në 6 vitet e fundit 2,5 milionë bimë dhe 5 mijë parcela të shkatërruara.Por ky rezultat është i pamjaftueshëm, përderisa Shqipëria kryeson në Europën Juglindore si vend origjine, nisjeje dhe tranziti të cannabis.

https://p.dw.com/p/3vkiR
Indonesien | Cannabis Plantagen
Fotografi: Maskur Has/ZUMAPRESS/picture alliance

Zyra e Kombeve të Bashkuara për Drogat dhe Krimin (UNODC) në pjesën e tretë të sapopublikuar të raportit të saj :”Droga në botë - trendet e tregjeve, 2021” përmend Shqipërinë dhe Serbinë si dy  vendet kryesore të origjinës, nisjes dhe tranzitit të cannabis-it në Europën Juglindore.

Në Evropën Perëndimore dhe Qëndrore kryeson Holanda e ndjekur nga Spanja, Çekia dhe Zvicra.

Raporti thekson që kultivimi dhe prodhimi i canabis-it është i pranishëm në të gjitha rajonet e botës. Sipas të dhënave të tij në vitin 2019 në të gjithë botën rezultojnë 2 milionë përdorues.

Përdorimi i cannabisit dhe drogave të tjera i mori jetën 500 mijë personave në vitin 2019, ndërsa sëmundjet e rënda,shpesh vdekjeprurëse janë më të zakonshme ndër përdoruesit e drogës, sidomos atyre që  injektojnë drogë dhe jetojnë me HIV dhe Hepatit C, thekson raporti i UNODC.

Pavarësisht nga rreziku i humbjes së jetës dhe i sëmundjeve të rënda, vëren raporti, përdorimi i drogës dhe i cannabisit po rritet. Ne vitin 2020, 275 milionë njerëz përdorën droga të ndryshme. Deri në vitin 2030, faktorët demografikë parashikojnë që numri i njerëzve që përdorin drogë të rritet me 11 përqind në të gjithë botën dhe deri në 40 përqind vetëm në Afrikë.

Symbolbild Drogen Joint
Fotografi: Aitor Carrera Port/Westend61/imago images

Cannabis- kërcënim për sigurinë dhe stabilitetin

Raporti i UNODC thekson se në periudhën 6 vjeçare 2013-2019, në Shqipëri janë shkatërruar 2.536.288 bimë cannabis dhe 5.205 parcela/hapësira të destinuara për kultivimin e tij. Por ky rezultat është i pamjaftueshëm, përderisa Shqipëria kryeson në Europën Juglindore si vend origjine, nisjeje dhe tranziti të cannabis.

Tregtia e paligjshme e drogës vazhdon të frenojë zhvillimin ekonomik dhe shoqëror, ndërsa ndikon në mënyrë disproporcionale në vendet më të prekshme dhe të margjinalizuara. Kjo përbën një kërcënim themelor për sigurinë dhe stabilitetin në disa pjesë të botës, vë në dukje raporti.

Symbmolbild Drogen, Haschisch, Joint
Fotografi: Vincent Michel/Le Mensuel de Rennes/picture alliance

COVID-19 dhe kultivim i drogave

Kriza botërore nga pandemia COVID-19 ka hedhur më shumë se 100 milionë njerëz botë në varfëri ekstreme, ka rritur papunësinë dhe pabarazitë, vë në dukje raporti i UNODC. Në nivel global janë humbur 114 milionë vende pune në vitin 2020.

Kjo situatë ka krijuar kushte që më shumë njerëz të marrin drogë dhe të përfshihen në kultivimin e llojeve të ndryshme të saj. Ndërkohë, vëren raporti në fjalë, trafikantët e drogës kanë kapërcyer shpejt pengesat fillestare të shkaktuara nga kufizimet e karantinës dhe u janë kthyer niveleve të kultivimit dhe trafikimit të tyre të para pandemisë COVID-19.

Qasja për të marrë drogë është bërë më e lehtë se kurrë nga shitjet në internet. Tregjet kryesore të drogave marrin rreth  315 milionë dollarë në vit. Raporti i UNOCD bën apel për rritjen e ndërgjegjësimit dhe informimit të politikëbërësit, përdoruesve të drogës dhe publikut të  gjerë mbi problemin akut botëror të luftës kundër kultivimit dhe trafikimit të drogës.

Ani Ruci Korrespondente nga Tirana