Universiteti i studentëve të kënaqur
18 Dhjetor 201338.000 vetë punojnë gjithsej në universitetin e Ymeos. Po të mbash parasysh se vetë qyteti ka 80.000 banorë bëhet e qartë se jeta sociale e tij përfiton dhe ndikohet prej tyre. Ralf Bosen e vizitoi universitetin dhe përgatiti reportazhin në vazhdim.
Kur studentja gjermane Ann-Kathrin Beck mbërriti në qytetin në veri të Suedisë, fillimisht u trondit pak: "Unë mbërrita në Ymea dhe nuk kishte asnjë njeri. Pashë rreth e rrotull, shkova nga universiteti në konvikt dhe nuk takova asnjë njeri."
Studentja e shkencave politike dhe administrative ishte në qytetin pranë rrethit polar, një javë para fillimit të semestrit. Në një kohë kur qendra studentore duket vërtet si e vdekur.
Ndërkohë semestri është në kulmin e punës dhe në universitet pulson jeta. Të rinjtë shtyhen grupe-grupe në korridorin e madh me mure të bardha të ndërtesës qendrore. Djathtas e majtas korridorit studentë, profesorë dhe punonjës të tjerë akademikë drejtohen për në sallat e leksioneve dhe seminareve.
Orientim ndërkombëtar
Nuk është e lehtë të orientohesh në universitetin e pestë më të vjetër të Suedisë. Ann-Kathrin Beck nga Bad Buchau i Gjermanisë dhe studentja e psikologjisë Anna Reith nga Herbstein, të cilat do të studiojnë një semestër në Suedi, i kanë mësuar tashmë rrugët e kampusit. "Unë kisha shumë dëshirë të vija në Suedi pasi nuk kisha qenë më parë asnjëherë në Skandinavi dhe sistemi arsimor këtu ka një famë të shkëlqyer."
Shoqja e saj Anna Reith e zgjodhi qytetin në veri të Suedisë para së gjithash sepse mësimi zhvillohet në anglisht dhe "... doja të mësoja edhe një gjuhë tjetër dhe suedishtja ishte ofertë e mirë."
Beck dhe Reith mbështeten nga programi i shkëmbimeve studentore Erasmus i cili është pjesë e programit "Lifelong Learning" të Bashkimit Evropian. Me Erasmus bëhen të mundura dhe mbështeten financiarisht ndër të tjera studime jashtë shtetit.
Program integrimi për studentët e huaj
Për të integruar studentët e huaj, universiteti pak vite më parë nisi një program njohjeje, të ashtuquajturin "programi buddy". Buddys janë studentët suedezë, të cilët u mundësojnë shokëve të tyre nga vende të ndryshme të botës, të njihen me kulturën suedeze.
"Në fillim zhvillohet një takim ku të gjithë njihen me njëri-tjetrin si dhe aktivitete ku mblidhen të gjithë studentët. Por më pas grupet organizohen kryesisht në mënyrë të pavarur...", tregon Ann-Kathrin Beck. Shokët suedezë organizojnë aktivitete të ndryshme, që kanë lidhje me vendin e tyre. "Ka edhe aktivitete zbavitëse ku thjesht mund të marrësh pjesë. Kjo bëhet kryesisht një herë në javë, p.sh. dikush organizon një darkë suedeze ku vendasit gatuajnë ushqime suedeze."
Veç kësaj universiteti organizon kurse orientimi dhe gjuhe. Një tjetër avantazh: që në fillim garantohet strehimi i studentëve. Konviktet gjigante, një lagje e tërë e qytetit është thuajse plotësisht me konvikte, ofrojnë dhoma të bollshme me 24 metra katrore dhe me banjë private. Një ofertë e shkëlqyer, thotë Anna Reith: "Sapo vjen këtu merr menjëherë dhomën tënde dhe nuk ke nevojë të flesh tri javë në ndonjë hostel..."
Nga kjo ofertë përfiton edhe vetë universiteti. Kështu në 2012 ai u zgjodh për të dytën herë radhazi si universiteti me të cilin studentët e huaj janë më të kënaqur në Suedi.
Kujt i pëlqen drita dhe moti i ngrohtë nuk duhet të shkojë në semestrin e dimrit, nga fillimi shtatorit deri në mes të janarit në veri të Suedisë. Gjatë këtyre muajve temperaturat janë shpesh minus 20 gradë dhe në rrugët e qytetit bora është 1 metër e lartë. Veç kësaj studentët e huaj duhet të mësohen me errësirën e cila fillon që në mesditë në orën 13. Ann-Kathrin Beck duhet të luftojë vazhdimisht me lodhjen e dimrit:"Problemi për mua është që kur mbaroj leksionet në orën 14 apo 15 dhe shkojë në shtëpi, ndihem e lodhur. Pasditeve ndjen gjithnjë lodhje. Dhe atëherë më duket se ka ardhur koha për të fjetur."
Për të parandaluar depresionet e dimrit, universiteti ka vënë në dipozicion një ambjent me ndriçim të simuluar dite, ku studentët mund të marrin racionin e tyre të përdishtëm të dritës natyrale. Në dhomën Aurora, 30 metra katrorë, gjithçka është e bardhë: dyshemeja, tavani dhe muret e po kështu edhe mobiljet dhe përparëset që studentët duhet të veshin kur ndodhen atje. Edhe impianti i CD-ve prej nga dëgjohet cicërima e zogjve është i bardhë.
"Ndjehem më shumë evropiane!"
Dy studentet gjermane nuk janë penduar për vendimin e tyre për të studiuar në Ymeo. Anna Reith është e entuziasmuar në radhë të parë me orientimin ndërkombëtar të universitetit: "Unë vij nga një fshat i Hessenit. Atje as turq nuk ka shumë, të paktën në gjimnaze jo. Tani banoj me një turke dhe kjo është e mrekullueshme."
Ndjenja e të qenit evropianë është forcuar më shumë nga programi i shkëmbimit studentor Erasmus dhe shpreh keqardhje që BE në kohën e krizës së euros po vihet në pikëpyetje nga shumë evropianë: "Atëherë m'u bë e qartë se BE për mua është shumë i rëndësishëm, mirëkuptimi me njëri-tjetrin, për të cilin kemi nevojë. Mendoj se më shumë studentë duhet të dalin jashtë vendit për të mbledhur përvoja të tilla."