Universitetet më të preferuar nga studentët e huaj në Gjermani
Gjermania është një ndër vendet më joshëse për studentët e huaj. Ndër vendet jo anglofone madje Gjermania zë vendin e parë. Galeria fotografike ofron imazhe nga dhjetë universitetet më të preferuara në Gjermani.
Universiteti i Këlnit renditet në vendin e 10-të
Universiteti i qytetit, në të cilin çdo vit me festën e karnavaleve organizohet një nga eventet më të mëdha në Gjermani, renditet i dhjeti. Banorët që karakterizohen prej çiltërsisë si dhe afërsia me disa qytete të tjera të mëdha europiane - Amsterdami, Brukseli, Parisi - e bëjnë Këlnin tërheqës për shumë studentë nga e mbarë bota.
Universiteti Goethe i Frankfurtit mbi Main renditet i 9-ti
Universiteti i Frankfurtit mbi Main mban emrin e poetit të madh Johann Wolfgang von Goethe. Frankfurti, i cili për shkak të gradaçelave dhe shumë godinave të larta shpesh quhet edhe "Manhattan", është një qytet kozmopolit. Në të e kanë selinë shumë institucione financiare, ndër to edhe disa banka të mëdha.
Universiteti Duisburg-Essen renditet i 8-ti
Me rreth 37.000 studentë, Universiteti Duisburg-Essen është një ndër shkollat e larta më të mëdha në Gjermani. Ky universitet në vitin 2003 u krijua nga bashkimi i universiteteve të veçanta të qyteteve Duisburg dhe Essen. Kush studion këtu, banon në një nga rajonet me dendësinë më të lartë të popullsisë në Gjermani: rajoni i Ruhr-it.
Universiteti i Heidelbergut zë vendin e 7-të
I themeluar në vitin 1364 Universiteti i Heidelbergut është më i vjetri në Gjermani. Vetëm ky titull e bën atë ndër shkollat e larta më tërheqëse për studentët e huaj, kësaj i shtohet edhe vetë qyteti që ka mjaft për të ofruar: Heidelbergu ka qendrën historike, një nga më të bukurat në Gjermani.
Universiteti Humboldt në Berlin zë vendin e 6-të
Edhe ky universitet është ndër më të vjetrit e Gjermanisë. Në të kanë kryer studimet personalitete si: Otto von Bismarck, Heinrich Heine, Robert Koch dhe humanisti nga SHBA-ja W.E.B. Dubois.
Universiteti Teknik i Berlinit renditet i 5-ti
Edhe një herë Berlini: Kryeqyteti i Gjermanisë është një magnet për turistët. Edhe studentët e preferojnë atë. Jo vetëm sepse Universiteti Teknik ofron një kualifikim mjaft të vlerësuar për inxhinierët, por edhe sepse kostot e jetesës në Berlin janë më të ulëta se në metropolet e tjera perëndimore.
Universiteti Teknik në Aachen, RWTH, renditet i 4-ti
Aachen ndodhet në kufi me Belgjikën dhe Holandën. Si Universiteti Teknik më i madh në Gjermani RWTH Aachen ka moton: "Të mendosh të ardhmen". E ky universitet vërtetë e mishëron imazhin e mendimit për të ardhmen.
Universiteti Teknik i Mynihut zë vendin e 3-të
Kryeqyteti i Bavarisë ka dy universitete të nivelit të ekselencës: Njëri prej tyre është Universiteti Teknik i Mynihut. Sipas të dhënave të këtij institucioni thuajse një në pesë studentë vjen nga jashtë Gjermanisë.
Universiteti Ludwig-Maximilian i Mynihut në vendin e 2-të
Universiteti i dytë i ekselencës në Mynih është ai Ludwig-Maximilian. Ky është një ndër universitet më të vjetra dhe më të njohura gjermane - prej tij kanë dalë 34 nobelistë. Në vitin 2013 Mynihu u vlerësua nga revista Lifestyle "Monocle" si qyteti më cilësor në botë për të jetuar.
Universiteti i Lirë i Berlinit, "Freie Universität", në vendin e 1-rë
Freie Universität në Berlin (FU Berlin) u themelua në vitin 1948. Me seli në Berlinin perëndimor, FU gjatë konfliktit Lindje-Perëndim - ndryshe nga Universiteti Humboldt, që ndodhej në zonën sovjetike - e konsideronte veten si pjesë e "botës së lirë", ndaj dhe mban këtë emër. FU Berlin është një ndër njëmbëdhjetë universitetet e ekselencës që ka gjithsej në Gjermani.