Uli Hoeneß pranon vendimin me burgim dhe jep dorëheqjen nga posti
14 Mars 2014Një ditë (13.03.2014) pasi trupi gjykues në Gjykatën e Landit në Mynih shqiptoi vendimin me tre vjet e gjysmë burgim për evazion fiskal ndaj presidentit të klubit të futbollit Bajern i Mynihut, Uli Hoeneß, ky i fundi deklaroi dorëheqjen nga të gjitha postet në klub dhe hoqi dorë nga kërkesa për revizion.
Megjithatë Uli Hoeneß nuk duhet të futet menjëherë në burg. "Me siguri do të zgjasë edhe disa javë derisa ai të shkojë në burg", deklaroi zëdhënësja e Gjykatës së Landit në Mynih, Andrea Titz e pyetur të premten (14.03.2014) nga gezetarët. Në rast se edhe prokuroria nuk paraqet kërkesë për revizion ndaj vendimit, atëherë, vendimi hyn në fuqi dhe Hoeneß duhet të vuajë dënimin.
Vetëkallëzimi i pavlefshëm
Vendimi i marrë nga trupi gjykues e uli me dy vjet dënimin e kërkuar prej prokurorisë. Në pretencën e saj prokuroria kërkoi dënimin me pesë vjet e gjashtë muaj, siç parashikon kodi penal për raste të rënda të evazionit fiskal. Mbrojtja kërkoi maksimumi dënim me kusht, në rast se trupi gjykues do ta shpallte si të pavlefshëm vetëkallëzimin.
Në akuzën e saj prokuroria kishte si pikënisje evazion fiskal në vlerën e 3,5 milionë eurove. Gjatë tri ditëve të para të procesit shuma u shumëfishua duke arritur në vlerën e 27,2 milionë eurove.
Më 17 janar 2013 Hoeneß pati bërë vetëkallëzim për paratë e patatuara të depozituara në Zvicër. Pak pas kësaj prokuroria e konsideroi si të pavlefshëm vetëkallëzimin dhe nisi procesin kundër Hoeneß. Pas urdhërarrestit të lëshuar pranverën e vitit të kaluar kundër tij Hoeneß qëndroi i lirë kundrejt një kaucioni prej pesë milionë eurosh.