SHBA-Ukrainë: Vizitë e paparalajmëruar e Biden në Kiev
20 Shkurt 2023Presidenti i SHBA Joe Biden zhvilloi papritur një vizitë në kryeqytetin ukrainas, Kiev, vetëm disa ditë përpara përvjetorit të agresionit rus në Ukrainë, që shënohet me 24 shkurt. Pak para konfirmimit të lajmit në Kiev u dëgjuan edhe sirenat e rrezikut nga sulmet ajrore, që janë shumë të shpeshta në Ukrainë, për shkak të intensifikimit të sulmeve ruse gjatë ditëve të fundit.
Nën masa të forta sigurie presidenti i SHBA-së Joe Biden vizitoi Kievin përpara vizitës së planifikuar për në Poloni (21.02.2023). Biden me delegacionin që e shoqëron qendroi në kryeqytetin ukrainas Kiev. Gjatë takimit të Biden me presidentin ukrainas Volydymyr Selensjkyj ata përkujtuan edhe të rënët ukrainas.
Pavarësisht alarmit për sulme nga ajri të dy presidentët shëtitën bashkë nëpër qytet. Presdienti Biden vlerësoi vullnetin e njerëzve për mbrojtje në Ukrainë, që është sulmuar që nga 24 shkurti 2022 prej Rusisë. "Një vit më pas Kievi po reziston. Dhe Ukraina po reziston. Demokracia po reziston", theksoi Biden. Sipas të dhënave të gazetarëve nga SHBA që ndjekin këtë vizitë, Biden, shtoi: "Amerikanët janë me ju, bota është me ju." Selenskyj u shpreh se kjo është "një shenjë ekstremisht e rëndësishme për të gjithë ukrainasit". Ai gjithashtu tha: "Kjo bisedë na sjell ne më afër fitores."
Biden deklaroi një paketë të re ndihme ushtarake për Ukrainën në volumin e një gjysmë miliardi dollarë. Përmes kësaj pakete do të dërgohen municion për raketahedhëse të tipit Himars si dhe sisteme për shkatërrimin e tankeve dhe radarë për mbikqyrjen e hapësirës ajrore.
Presidenti Biden dhe SHBA kanë konfirmuar që nga fillimi i agresionit rus, se do të ndihmojë Ukrainën me armë dhe me mjete të tjera deri në fitoren ndaj agresorit rus. SHBA është vendi i cili ka dërguar më së shumti armë në Ukrainë për të luftuar kundër agresorit rus. Mesazhet e presidentit Biden në Kiev dhe në mbarë botën u pritën me interesim shumë të madh. Vizita nuk u paralajmërua për arsye sigurie.
Selenskyj tha, se ai ka folur gjatë takimit me Biden edhe për furnizimin me raketa me rreze të gjatë veprimi.
Selenskyj ka kërkuar sanksione të mëtejshme ndaj Rusisë kundër sektorit financiar, për të dobësuar ekonominë e luftës të agresorit. Sipas tij këto sanksione duhet të lidhen jo vetëm me përfaqësuesit e sektroit bankar, por edhe me bursën e Moskës.
"Sot kemi ndërmarrë një hap të ri sanksionesh kundër të gjithë atyre, që furnizojnë agresionin rus", tha Selenskyj në video-mesazhin e tij të përditshëm. Sanksionet janë bazë për aleatët në Perëndim për të urdhëzuar gjithashtu sanksione.
Selenskyj vuri në dukje në mesazhin e tij edhe, se është informuar prej gjeneralëve lidhur me gjendjen në front. Ai nuk përmendi detaje por tha, se "situata është mjaft e vështirë", duke iu referuar luftimeve në lindje të Ukrainës.