Ukrainë: Uniforma kamuflazhi për frontin
18 Tetor 2016Që nga sulmi i Rusisë ndaj Ukrainës krahas burrave që luftojnë në front ka edhe mijëra ukrainase që angazhohen në të gjithë vendin. 80% e atyre që ndihmojnë vullnetarisht ushtarët në front janë gra. Ato ndihmojnë në mënyra të ndryshme, p.sh. edhe duke qepur uniforma kamuflazhi dhe rrjeta për maskimin e ushtarëve, sikurse bën grupi i ashtuquajtur "bataljoni i kamuflazhit" nga Kievi.
"Ne të gjitha njihemi nga koha e Maidanit. Kur filloi lufta në lindje na thanë qëndroni në shtëpi. Por ne nuk mund të rrinim në atë kohë tepër të vështirë në shtëpi dhe të shihnim lajme për luftën. Meqë si gra nuk ishim të gatshme për të luftuar në front, menduam për mundësi të tjera." - tregon Julia Polyanska, një nga themelueset e grupit.
Uniforma kamuflazhi
Kështu grupi i grave mblidhet thuajse çdo natë në një bodrum në një ndërtesë të Kievit. Ndonjëherë atë qepin deri natën vonë. Rrjetat dhe uniformat e kamuflazhit duhet të jenë gati sa më shpejt të jetë e mundur, sepse për stinë të ndryshme duhen ngjyra të ndryshme. Gratë e këtij grupi punojnë si kontabiliste, mjeke, mësuese, ose në bankë. Pas punës ato vijnë këtu - qëkurse Julia dhe shoqja e saj Lila e ngritën 2 vjet më parë këtë grup përmes Facebookut.
Gratë e batalionit të kamuflazhit në Kiev shohin rrallë televizor për shkak se ato i shpenzojnë mbrëmjet në repartin e qepjes. Lufta është bërë prej kohësh një gjendje e përhershme, që nuk i lë kurrë të pushojnë, thonë ato.
"Në fakt ky konflikt duhet të zgjidhet në mënyrë diplomatike. Por ne gjithmonë duhet të presim një përshkallëzim të mëtejshëm dhe të jemi të përgatitur për të treguar dhëmbët. Ne duhet të mbrojmë pavarësinë e vendit tonë me mjete ushtarake." - thotë Julia Polyanska.
Lufta prej kohësh gjendje e përhershme
Dhuna në frontin mes Ukrainës dhe Rusisë është shtuar sërish që nga vera. Pala pro-ruse synon të fitojë territore me hapa të vegjël dhe që prej armëpushimit në vitin 2014, separatistët e kanë zgjeruar territorin e tyre me 5000 kilometra katrorë. "Çdo ditë ka sulme. Çdo ditë armiku përpiqet të thyejë linjën tonë. Jo ndonjë luftëtar i vetëm, por njësi të tëra. Lufta vazhdon. Një armëpushim të vërtetë, nuk ka pasur kurrë - vetëm në letër. Po ne nuk na lejohet të qëllojmë." - tregon Valeri, luftëtar vullnetar.
Skeptikë për marrëveshjet e reja të paqes në Minsk
Edhe për marrëveshjet e reja të paqes në Minsk ushtarët dhe vullnetarët ukrainas janë skeptikë. "Ne duhet të tërhiqemi nga njëra prej tri zonave, sipas rregullave të reja. Por ndërkohë armëpushimi thyhet në vende të tjera - madje edhe gjatë ditës." - tregon Kostantini, një nga ushtarët e tjerë.