Tërmeti në Shqipëri shkakton dëme materiale, por jo viktima
7 Shtator 2009Situata ne zonën e prekur nga tërmeti që ra në mbrëmjen e ditës së dielë, pak para mesnatës, është nën kontroll. Drejtori i Drejtorisë së Përgjithshme për Emergjencat Civile në Ministrinë e Brendshme, Alfred Olli, në një prononcim telefonik ekskluziv për DW-në tha se familjet e shtëpive të pabanueshme kanë filluar sistemimin në kampe me çadra që po ndërtohen nga ushtria. Zoti Olli tha se janë dëmtuar rreth 1000, ndër të cilat 166 janë tashmë të pabanushme. Viktima në njerëz nuk ka. Pasi shumica e shtëpive ishin bosh, meqënëse banorët jetojnë kryesisht në emigracion.
Kryemnistri Berisha, që vizitoi të hënën fshatrat në epiqendër të tërmetit premtoi vlerësim dhe ndërhyrje të shpejtë nga qeveria. "Do të zgjidhet zona më e mirë për të ngritur kampe me çadra. Do të krijohen të gjitha lehtësirat. Ushtria do të ndihmojë në ngritjen e këtyre çadrave dhe ndërhyrja do të jetë energjike. Dua t´i siguroj banorët që qeveria do të ndërhyjë dhe do t´i ndihmojë. Do të fillojmë ndërhyrjet në shtëpitë, por edhe në shkollat e dëmtuara. Problemet e furnizimit me ushqime dhe shtroje janë të zgjidhshme.", tha kryemnistri Berisha.
Zëdhënësja e Ministrisë së Brendshme Laura Totraku deklaroi se Drejtoria e Përgjithshme e Rezervave Materiale, pranë Ministrisë së Brendëshme është gati t´u vijë në ndihmë të dëmtuarve. " Kjo drejtori ka gati të gjitha ndihmat me materiale dhe ushqime, që do të nevojiten për banorët e dëmtuar.", tha zëdhënësja Totraku. Burime zyrtare nga qeveria thonë se njëherazi me dërgimin e ndihmave materiale dhe ushqimore për dhjetra familje të mbetura në qiell të hapur, qeveria ka nisur vlerësimin e dëmtimit të banesave dhe shkollave për të gjetur fondet financiare dhe për t' i riparuar ato sa më parë.
Shërbimi sizmologjik shqiptar bëri të ditur se lëkundjet kanë vazhduar një ditë pas tërmetit dhe do të vazhdojnë edhe gjatë gjithë kësaj jave. Të dhënat për karakteristikat e tërmetit janë kontradiktore. Shërbimi sizmologjk pranë Universitetit Politeknik të Tiranë publikoi shifrën zyrtare për një tërmet me një fuqi prej 7 ballësh dhe jo 5, 4 siç pohojnë agjenci të huaja të lajmeve.
Tërmeti, me epiqendër fshatin Gjoricë, është ndjerë fort edhe në Tiranë, Durrës si dhe në Kosovë e Maqedoni. Rapo Ormeni, ekspert i në Shërbimin Sizmologjik pranë Universitetit Politeknik të Tiranës, tha për DW-në disa veçori të këtij tërmeti dhe parashikoi vazhdimin e tij, por me fuqi më të ulët. "Ky tërmet ka pasur një intensitet në epiqendër mbi 7 ballë dhe si i tillë ka shkaktuar dëme të rënda në zonën epiqendrore. Duket se ai ka shfaqur tanimë të gjitha karakteristikat e tij: goditjen kryesore dhe lëkundjet pas saj. Këto lëkundje do të vazhdojnë sot, në ditët dhe javët në vazhdim, por do të jenë më të dobëta", tha ai.
Autor: Ani Ruci
Redaktoi: Vilma Filaj-Ballvora