Tërheqja nga Afganistani do të ishte kapitullim pa kushte para terrorit ndërkombëtar
16 Gusht 2007Sulmi me bomba në afërsi të kryeqytetit afgan Kabul, gjatë të cilit humbën jetën tre policë gjermanë, ndërkohë që një i katërt u plagos shumë rëndë është në qendër të shtypit të sotëm gjerman. Temë tjetër që preokupon gazetat e sotme është vrasja në Duisburg e gjashtë italianëve të moshës nga 16 vjeç deri në 39 vjeç, të cilët ishin qëlluar të gjithë në kokë.
Pas lajmeve për vrasjen e tre policëve gjermanë në Kabul, që pason vrasjen para disa kohësh të tre ushtarëve gjermanë, ndërkohë që drama e inxhinjerit të marrë peng prej talibanëve vazhdon, në Gjermani nuk mungojnë zërat që e shtrojnë për diskutim çështjen e pranisë gjermane në Afganistan. Mendimi i komentatorëve në këtë pikë është unison: tërheqja do të ishte kapitullim pa kushte ndaj terrorit ndërkombëtar:
Gazeta «Cellesche Zeitung» shkruan:
"Argumenti, sipas së cilit prania e ushtarëve të huaj e ka shtuar rrezikun e terrorit nuk është e drejtë. Prania ushtarake e aleancës ndërkombëtare atje ishte një reagim ndaj sulmit terrorist të 11 shtatorit 2001, prej së cilit gjetën vdekjen mbi 3.000 civilë. Pas këtij akti vendet perendimore ishin të një mendjeje që terrorizmi mund të luftohet me sukses vetëm aty ku lind. Trupat ndërkombëtare nuk e kanë arritur ende as sot qëllimin e tyre në Afganistan, por një tërheqje do të interpretohej prej makinerisë propagandistike të talibanëve si kapitullim pa kushte ndaj terrorit ndërkombëtar. Një gjë e tillë do të kishte pasoja largvajtëse për të gjithë botën."
Gazeta «Kölnische Rundschau» shkruan:
Tani lufta po zhvillohet edhe në Kabul, gjithnjë e më shpesh, gjithnjë e më e rrezikshme. Viktima të saj u bënë edhe tre policë gjermanë. Ata kishin shkuar në Afganistan me dëshirën e tyre dhe sepse e shikonin si pjesë së detyrës që ta mbështesnin me sa mundnin angazhimin gjerman në Afganistan. Një qëndrim i tillë i nderon ata, por bëri njëkohësisht që ata të viheshin në shenjestër të talibanëve, që përpiqen të minojnë çdo përpjekje për normalizimin e vendit dhe duan ta kthejnë Afganistanin sërish në kaos. Berlini zyrtar bëri të qartë se Gjermania nuk do të tërhiqet nga frika prej terrorit. Dikush mund të thotë se këto janë vetëm parrulla, por gabohet, sepse shumica e deputetëve gjermanë janë pro vazhdimit të misionit të paqes në Afganistan, madje pas kësaj që ndodhi edhe më tepër."
Vrasja e gjashtë italianëve në stacionin kryesor të trenave në Duisburg të Gjermanisë, pas së cilës pas gjithë gjasash duhet të jetë dora e mafies kalabreze, i shtyn komentatorët të mendojnë për gjendjen e sigurisë në Gjermani dhe në Evropë:
«Dresdner Neueste Nachrichten» shkruan:
"Tani duhet të shihet nëse vitet e fundit është bërë vërtet atje ku duhet punë sa i përket sigurisë së brendshme në Gjermani. A ka policia personal të specializuar dhe mjete teknike të mjaftueshme për t'u përballur dhe për t'i treguar vendin një kundërshtari si mafia? Apo mos ndoshta mafia, e cila deri tani ishte nënvleftësuar si rrezik, do të shfrytëzojë momentin për t'u përhapur në të gjithë Gjermaninë. Në Ministrinë e Brendshme duhet të fillojnë të bien me forcë sirenat e alarmit."
«Allgemeine Zeitung» (Mainz) vëren:
"Në rast se klanet e kriminelëve nga Italia, Ballkani apo Kina e kanë zgjedhur Gjermaninë si vendin ku kanë ndër mend të zhvillojnë betejat mes tyre, organet gjermane të policisë dhe të rendit gjenden përpara detyrash dhe problemesh mjaft të forta. Italia është një rast më vete, sepse klanet mafioze janë pjesë e historisë së këtij vendi. Vitet e fundit Roma ka arritur të shënonte disa suksese në luftë kundër mafies, por ende nuk mund të parashikohet nëse rrënjët e së keqes janë shfarosur vërtet."
«Schwarzwälder Bote» shkruan:
"Një akt i pashembullt hakmarrjeje. Vrasjet e Duisburgut të mundësojnë të hedhësh një vështrim në botën e padukshme të rrjeteve të errta mafioze që veprojnë nën sipërfaqen shkëlqyese të Evropës. Natyrisht që edhe pas këtyre lajmeve ne do të vazhdojmë të shkojmë në piceritë italiane për të porositur picën tonë të preferuar. Por politikanëve që merren me çështjet e sigurisë në Evropë rasti i Duisburgut duhet t'u ketë lënë një shije vërtet të hidhur."