Tërheqja e Bundeswehrit nga Afganistani
29 Korrik 2013Edhe pse ushtria gjermane Bundeswehri ka fituar tashmë përvojë në disa misione të ndryshme jashtë vendit, rikthimi i pajisjeve nga Afganistani është një sfidë që nuk ka ekzistuar ende në këto dimensione. Deri në përfundim të misionit në Afganistan në vitin 2014 sipas informacioneve të Bundeswehr duhet të transportohen për në Gjermani rreth 1.200 automjete të blinduara dhe 4800 kontejnerë me armë, municion, kompjuterë dhe materiale të tjera.
Kampet e vegjël ushtarakë si Faizabad në verilindje janë shpërbërë muajt e fundit. Edhe në rajonin e Kunduzit, ushtarët po bëjnë gati valixhet. Ushtria dëshiron të largohet nga veriu i Afganistanit para fillimit të dimrit, pra para se kushtet e këqija atmosferike ta vështirësojnë tërheqjen edhe më tepër.
Mazar-e-Sharif qendra e logjistikës
Automjetet e parë janë rrugës për t'u larguar nga Afganistani. 5000 km vijë ajrore kanë para vetes ushtarët dhe materialet. Së pari 250 kilometra rrugë të paasfaltuar dhe plot pluhur deri në Mazar-e-Sharif, qendra kryesore e Bundeswehr-it në Afganistan. Për arsye sigurie datat e sakta të lëvizjes së karvaneve ushtarake nuk janë bërë të njohura dhe për të njëjtën arsye kolonat e automjeteve të blinduara ruhen edhe nga ajri.
Meqenëse Afganistani nuk ka dalje në det, për transportin e pajisjeve ushtarake do të përdoren avionë ushtarakë transporti. Kjo përbën një detyrë të madhe logjistike. Një pjesë tjetër do të trasportohet me automjete transporti ose me tren nëpër Uzbekistan, Kazakistan, Rusi dhe vendet baltike.
Çfarë mund mbetet pas tërheqjes në Afganistan?
Natyrisht që ka edhe materiale që për arsye ekonomike, ushtarake apo politike do t'u lihen partnerëve në Afganistan. Sigurisht që këtu nuk janë armë apo automjete "por vetëm materiale që janë të dobishme për përdorim civil, të tilla si gjeneratorë, ose mobilje." - thotë kolonel York Freiherr von Rechenberg, komandanti i trupave në Afganistan.
Po ashtu edhe një pjesë e spitalit modern ushtarak të ndërtuar para dy vjetësh për rreth gjashtë milionë euro do t'u dhurohet afganëve. Po ashtu edhe ambientet e pajisura me kondicioner të kazermave që përdor ushtria gjermane, do t'i lihen policisë dhe ushtrisë afgane. Por ambientet do të ndahen me mur.
Pas 2014
Kolonel von Rechenberg mendon se trupat afgane të sigurisë mund t'i plotësojnë tani detyrat e tyre edhe pa ndihmën e Bundeswehrit. Kurse Khalil Andarabi komandant i përgjithshëm i Policisë Kombëtare Afgane mendon se pavarësisht nga të gjitha përgatitjet ka ende mungesa në trajnim, armatim me armë me cilësi të lartë dhe në mbështetjen ajrore. "Kjo e bën të vështirë punën tonë në Kunduz. Tërheqja është pak herët. Miqtë tanë gjermanë mund të prisnin deri pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2014."