Të vebrat zbulojnë me prekje tumoret e gjirit
18 Prill 2012Të verbrit e kanë shumë të ndjeshëm dhe të stërvitur sensin e prekjes dhe shpesh mund të dallojnë përmes prekjes me dorë dhe gjendrat dhe ndryshimet më të vogla në gji. Prej këtij fakti gjinekologut nga Duisburgu Dr. Frank Hoffmann i lindi ideja të angazhonte gra të verbra si "kontrolluese mjekësore me anë të prekjes". Dhe kështu në vitin 2006 ai themeloi iniciativën "Discovering hands".
Në Gjermani çdo vit rreth 74.000 gra sëmuren nga tumore të gjirit dhe çdo vit vdesin si pasojë e sëmundjes më shumë se 17.000 syresh. Shpesh sëmundja zbulohet shumë vonë. Për t'i zbuluar tumoret mundësish në fazë të hershme mjekët gjermanë përdorin metoda të ndryshme kontrollesh si ekografinë dhe mamografinë. Veç kësaj grave u këshillohet që çdo muaj të bëjnë vetë një kontroll me prekje të gjirit. Dy herë në vit ky kontroll duhet bërë nga një gjinekolog. Veç kësaj u jepet edhe mundësia t'ia besojnë kontrollin me prekje kontrollueseve të përgatitura të cilat bashkëpunojnë me mjekun.
Kontroll në katër zona për një diagnozë sa më të saktëMarie-Luise Voll u verbua në moshën 52 vjeç si pasojë e një glaukome. Qysh atëherë ajo punon ngushtë me klinikën gjinekologjike të dr. Frank Hoffmann-it. Kualifikimi i saj zgjati nëntë muaj. Anatomia e gjirit femëror, terapia dhe diagnostika ishin ndër të tjera pjesë e planit mësimor. "Prekjen e mësonim duke praktikuar tek vetja dhe mësueset, ku kishim ngjitur rripa orientimi", tregon Marie-Luise Voll. Me këto rripa gjiri ndahet në katër zona. Kështu prekësja mund të lokalizojë me saktësi ndryshime apo gjendra jonormale në strukturën e gjirit dhe t'ia përshkruajë sa më saktë mjekut.
Metodat tradicionale të pazëvendësueshme
Përvojat e deritanishme me prekëset mjekësore janë të sukseshme: në 56 nga rreth 450 gra ato kanë gjetur ndryshime të dyshimta në gji. "Në kuadër të kontrolleve u arrit të vërtetohet qartë se prekëset mjekësore mund të kontrollojnë me prekje të paktën po aq mirë sa mjekët specialistë", thotë themeluesi i iniciativës "Discovering hands", dr. Frank Hoffmann. Ato madje kanë gjetur mjaft ndryshime në strukturë, të cilat mjekët do t'i kishin klasifikuar të parrezikshme.
Kjo metodë nuk mund të zëvendësojë megjithatë procedurat tradicionale si mamografinë dhe ekografinë, por mund t'i plotësojë ato. Një tjetër avantazh është koha që prekëset vënë në dispozicion të pacientes: të paktën 30 deri 60 minuta për paciente. Kështu ato mund të merren intensivisht me gratë dhe të përpiqen t'u largojnë atyre frikën nga kontrolli.
Një metodë për vendet në zhvillim
Frank Hoffmann ka përvojë shumë të mirë deri tani me iniciativën e tij "Discovering hands". Prekëset e gjirit tashmë kualifikohen në shumë vende në Gjermani dhe që prej vitit të kaluar iniciativa mbështetet nga organizata "Ashoka". Kjo organizatë mbështet iniciativa sociale dhe dr. Hoffmann ka marrë një bursë nga "Ashoka" si "sipërmarrës social". Punën në klinikën e tij e ka reduktuar dhe kujdeset tani intensivisht për zhvillimin e mëtejshëm të "Discovering Hands".
Hoffmann është i bindur se metoda e prekjes me ndihmën e të verbrave mund të jetë e përshtatshme edhe për kontrollet preventive në vendet në zhvillim pra aty ku mungojnë paisjet teknike dhe infrastruktura. Për gratë e verbra hapen kështu perspektiva të reja dhe një orientim krejt i ri profesional.