150911 Faire Urlaubsreisen
17 Shtator 2011Pushime; për shumicën e gjermanëve një çështje shplodhjeje, me qejf në një hotel luksoz, në një vend të largët dhe plot diell. Të paktë janë ata që mendohen se sa të qëndrueshme ose sa në përputhje me mjedisin ishin (një pyetje sidoqoftë e vështirë për t'iu përgjigjur). Sepse për nocionin 'turizëm i qëndrueshëm' nuk ka përkufizim fiks. "Në thelb bëhet fjalë për harmonizimin e synimeve ekonomike, shoqërore dhe ekologjike, dhe në rastin e turizmit masiv nuk është kështu", thotë Martin Schmied, ekspert për turizmin ekologjik pranë 'Öko-Institut Berlin'. Atij i duket problematike, që për turizmin e qëndrueshëm nuk ka kritere të njësuara. Çdo operator turistik lejohet të hartojë një të ashtuquajtur plan udhëtimesh në përputhje me mjedisin sipas gjykimit të vet.
Tri kriteret për udhëtimet ekologjike
Për Abdelaziz El Mekhfi-n për shembull, ka tri kritere kryesore në hartimin e planeve të udhëtimit. "Së pari: Udhëtari duhet ta përjetojë natyrën fare afër dhe duhet të ndikojë mbi të sa më pak të jetë e mundur. Së dyti: Udhëtari duhet të ta përjetojë kulturën vendase siç është, pra në mënyrë autentike. Dhe së treti: Udhëtimi duhet të jetë solidar dhe të japë një kontribut për zhvillimin lokal në rajonin e vizituar."
Abdelaziz El Mekhfi-t i lindi ideja për udhëtime në përputhje me mjedisin në Marok në fillim të 2011-ës. Klientët e kalojnë natën në shtëpi pritjeje dhe pensione për të huaj dhe marrin pjesë në veprimtari tipike për vendin. Veç kësaj, turistët duhet të qëndrojnë mundësisht në një rajon dhe të përdorin vetëm mjete transporti, që janë të disponueshme në rajon.
Operatorët rekomandojnë kompensimin vullnetar për CO2-in
Por, edhe nëse gomarët e kuajt janë jondotës për mjedisin dhe e rëndojnë pak klimën, para se të ngasin kalin në rajon turistët duhet të fluturojnë njëherë, dhe ja që fluturimet me avion janë të dëmshme për klimën dhe për mjedisin. Prandaj operatorët turistikë si El Mekhfi u rekomandojnë klientëve të paguajnë që para pushimeve një kompensim vullnetar për dioksidin e karbonit (CO2).
Gjatë një studimi eksperti i turizmit Martin Schmied ka mbërritur në përfundimin, se 30 për qind e pushuesve gjermanë janë të hapur për këtë temë. Aktualisht eko-turistët përbëjnë vetëm rreth dy për qind të gjithë tregut. Këtu ka vend për rritje, thotë ai dhe vë në dukje, që këtu bëhet fjalë për klientë të fortë financiarisht.
Ndërkohë "turizmi i butë" është pjesë thelbësore e ofertës së shumë operatorëve turistikë. Në këtë kontekst Martin Schmied dallon sipas dy kategorive ndër operatorët turistikë: Njëherë maksimizuesit e fitimit, të cilët e shfrytëzojnë turizmin ekologjik si strategji të re marketing-u. Kategoria e dytë janë operatorët turistikë të bindur, të cilët angazhohen për zhvillim të qëndrueshëm shoqëror. Si Abdelaziz El Mekhfi për shembull, që me projektin e tij do të kontribuojë për zhvillimin e atdheut të tij Marokut dhe që kërkon ta bëjë popullsinë lokale pjesëmarrëse në tregun milionësh të turizmit.
Autor: Amine Bendrif / Elert Ajazaj
Redaktoi: Aida Cama