Baleti Kombëtar Rinor në Hamburg
11 Prill 2012Ata qeshin, bëjnë shaka e megjithatë janë shumë të përqendruar. Valltarët e Baletit Kombëtar Rinor gjenden në një dhomë provash të qendrës së Baletit në Hamburg. Ata punojnë për përsosjen e hapave dhe pozave përfundimtare te një koreografie të re, që e kanë krijuar vetë. Edhe kjo është pjesë e Baletit Rinor, jo vetëm vallëzimi. Artistët e rinj duhet të nxiten, që të krijojnë vetë. "Ata nuk na thonë. Bëni këtë dhe atë", tregon Winnie Dias nga Brazili. Ajo ka mësuar këtu të bëjë diçka të veten. 21-vjeçarja kërcen, që kur ka qenë pesë vjeç. Pas shkollës së vallëzimit në vendlindjen e saj dhe në Gjermani këto janë angazhimet e para. Në Hamburg ajo vlerëson cilësinë e lartë dhe faktin, që mund të punojë me artistë të mëdhenj.
Gjithsesi Baleti Kombëtar Rinor është themeluar nga mjeshtri legjendar i baletit, John Neumeier. Që nga shtatori i vitit të kaluar ai është vendosur në ndërtesën e madhe me tulla të qendrës së tij të baletit. Qeveria federale e mbështet me 2,8 milionë euro të mira këtë projekt inovativ, i cili fillimisht është vendosur të zgjasë katër vjet. "Ne duam të forcojmë më tej kërcimin si një formë arti në shoqëri", thotë Neumeier. Për 70-vjeçarin është bërë realitet një ëndërr.
Në Gjermani për të kërcyer
Edhe për Maurus Gauthier kompania e të rinjve, si thotë ai vetë, është një ëndërr. Zvicerani kishte vendosur të përsëriste vitin e fundit të shkollës së baletit të Neumeierit, sepse ai nuk ndihej sa duhet i përgatitur për një karrierë profesionale. Atëherë erdhi konkursi për Baletin Kombëtar Rinor. "Gjëja më e vështirë si balerin, është të gjesh punë", thotë Gauthier. Përmes përvojës së Baletit Kombëtar Rinor ai shpreson të ketë shanse më të mira. Disa nga partnerët e tij në vallëzim kanë ardhur posaçërisht për këtë arsye në Gjermani. Si Natalie Ogonek nga Kanadaja. Asaj i pëlqen mënyra, se si merren gjermanët me artin dhe kulturën. "Këtu kjo është diçka krejt normale dhe artistët nuk perceptohen si diçka e veçantë", thotë ajo.
Takimi i parë me baletin
"Mund të imagjinoj që të punoj ndonjëherë si koreograf", thotë Patrick Ebert. Edhe ai kërcen që nga fëmijëria. Nga fillimet në shkollën e kërcimit të nënës së tij në Bamberg , pasioni e solli në Hamburg në shkollën e baletit. Djaloshi rri ulur në një karrige prej druri në një anë të sallës baletit, ndërsa kolegët e tij vazhdojnë provat me oktetin e Schubertit në F. Një lëndim në shpatull e detyron të bëjë pauzë. Por jo vetëm Ebert bën sehir. Në dysheme afër derës së hyrjes janë ulur nxënës të një shkollë të Hamburgut. Ata lejohen të jetë të pranishëm në prova. Sepse Baleti Kombëtar Rinor nuk është vetëm një platformë për kërcimtarë të rinj, por edhe një urë për t'u lidhur me njerëzit, që përndryshe nuk kanë kontakt me baletin.
Secili e ka në vetvete kërcimin
Prandaj profesionistët e rinj ushtrohen së bashku me jo profesionistët. "Është frymëzim, të takohesh me kaq shumë njerëz të tillë të ndryshëm", thotë Yukino Takaura nga Japonia. Kur profesionistët bëjnë pushimin e drekës, nxënësit e klasës së shtatë kanë të drejtë të shkojnë në parketin e kërcimit. Disa janë të veshur me tuta sporti, disa me veshje si në rrugë. Në shkollën e tyre kanë praktikuar disa koreografi të vogla vallesh, që mund t'i tregojnë tani. Një grup dëshiron të shprehë ndjenjën e zemërimit përmes vallëzimit. Me fytyrë të kuqe 13- deri 14 vjeçarët hidhen me çorape nëpër sallë. Ata përpiqen, disa duken të turpshëm, të tjerëve u dallohet dëshira për të lëvizur. "Unë nuk shoh ndonjë zemërim", ky është gjykimi pak dekurajues, por i sinqertë i mjeshtrit të baletit Stegli. Pastaj ai u jep këshilla nxënesve, se si ta përmirësojnë performancën e tyre.
"Ne akoma nuk jemi mirë", thotë një djalë më vonë. Por ai ka shumë kënaqësi të mësojë nga kërcimtarët e vërtetë. Ashtu si shokët e tij të klasës përreth. Edhe kërcimtarët e rinj janë të entusiazmuar nga ky bashkëpunim i pazakontë . “Secili është në gjendje të lëvizë”, mendon mjeshtri i baletit, Yohan Stegli. “Secili e ka në vetvete kërcimin.”
Autor: Janine Albrecht/Angjelina Verbica
Redaktoi: Elert Ajazaj