Të jetosh në fshatin olimpik
10 Gusht 2012Kur i dërguari britanik i një investori arab shkoi në shtator të vitit 2011 në Mynih, kishte në kokë një ide fikse. Nën moton "të transformojmë qendrën e Londrës lindore", ai donte t`i jepte një pamje të re lagjes së mërzitshme në lindje të qytetit, duke e kthyer në fshatin olimpik. Për këtë ai shkoi në Mynih dhe kërkoi zgjidhje në kryeqytetin bavarez. Sepse Mynihu, ku 40 vjet më parë u ngrit fshati olimpik dhe pronarë, studentë dhe familje, jetojnë derë më derë, ka zhvilluar një identifikim dhe kohezion, i cili nuk ka mbetur pa u vërejtur edhe nga organizatorët e fshatit olimpik në Angli. Kështu që James Watson shkoi në Mynih të mësonte si mund të vazhdojë të jetë atraktiv një ish fshat atletësh, për investorët dhe banorët.
Modele për të ardhmen
Kërkimet e çuan Watsonin aty ku pas Lojërave Olimpike të 1972 u krijua një nismë qytetare, e cila bashkëorganizon jetën në fshatin olimpik deri më sot, i ashtuquajturi Komuniteti i Banorëve (EIG). Kur banorët e parë u futën në banesat e ish fshatit të atletëve, ata gjetën atje një infrastrukturë e cila funksiononte jo vetëm për sportistët, por edhe për familjet e reja. Rrugët për automjetet janë të ndara nga rruga për këmbësorë, shtëpitë me tarraca dhe pa zhurmë janë të rrethuara nga sipërfaqe e gjelbër dhe rruga për tek mjeku, për tek dyqanet dhe në qendër nuk është e gjatë. "Në atë kohë këto ishin në modë. Por, këtu këto gjëra janë zbatuar për një masë të madhe, si kërkund tjetër në botë", thotë Ludger Korintenberg. Ai ka ardhur të banojë këtu në fshatin olimpik në vitin 1975. Si arkitekt ai ka parë si është planifikuar dhe si është ngritur fshati olimpik. I bindur me idenë e krijimit të një hapësire sociale banimi në veri të qytetit të Mynihut, të mbrojtur nga zhurmët e rrugës dhe me infrastrukturë të vetë, Korintenberg u angazhua menjëherë tek IEG.
Nëpërmjet mendimit të banorëvë
Në 1800 apartamentet, të ndarë në gradacela dhe shtëpi njëkatëshe, njerëzit jetojnë prej dhjetëra vjetësh. Kryetarja e sotme e komunitetit, Manuela Feese-Zolotnitski, ka ardhur me familjen e saj të jetojë në fshatin olimpik në vitin 1999, pas protestave të banorëve kundër gazrave kimikë ose erës së bojës, që vinte nga uzinat e BMW, që ndodhen aty afër. "Në atë kohë kushtohej më shumë vëmendje për anët sociologjike. Madje gjatë planifikimeve u thirr edhe një psikologe që të merrte pjesë në to", thotë Manuela Feese-Zolotnitski. Aty ku sot takohen arkitektët për të biseduar planet e ndërtimit, mblidheshin dikur banorët dhe diskutonin për organizimin e fshatit olimpik: Me projekte për sheshe lojrash, ku fëmijët mund të zbulonin interesat e tyre dhe të mësonin si funksiononin lodrat, ose me hapësira ku banorët të mblidheshin së bashku. Krah mënyrës speciale të ndërtimit të fshatit, në fshat fillimisht pati "shumë potencial social pozitiv," thotë Ludger Korintenberg.
Edhe sot në takimet e përvitshme sillen në tavolinë problemet e banorëve. "Me problemet tona ne kemi shkuar në administratën e qytetit, në mënyrë që të ndikojmë mbi Këshillat duke dhënë informacionet e duhura. Kështu kemi patur edhe sukses", thotë Ludger Korintenberg. Edhe nëpërmjet kontakteve personale të banorëve me personalitetet e qytetit, është arritur që të merret ndikim në organizimin e jetës në fshatin turistik. Kështu janë krijuar shoqata kulturore, janë ofruar mundësi për nënat e reja dhe fëmijët e vegjël. Edhe dyqanet dhe shërbimet e tjera janë përshtatur me nevojat e banorëve.