1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Të guximshme dhe të pavarura: Grupi muzikor "Pretty Loud"

29 Dhjetor 2020

Që dëshira e tyre për liri dhe barazi të oshëtinte sa më larg, gjashtë gra të reja rome në Serbi formuan grupin muzikor "Pretty Loud". Ai është edhe një projekt i rëndësishëm social.

https://p.dw.com/p/3nIiQ
Serbien Belgrad | Pretty Loud Band
Grupi muzikor Pretty LoudFotografi: Daniel Ibraimovic

"Ne duam të tregojmë se çdo grua mund të jetë e guximshme, e fortë dhe e pavarur dhe të marrë vetë vendimet e saj", thotë 19-vjeçarja Zhivka Ferhatoviç. Gruaja e re rome nga Beogradi - në gjuhën romanes romni - është një nga anëtarët e "Pretty Loud". Në këtë grup muzikor, që ekziston që nga viti 2014, këndojnë dhe kërcejnë muzikante rome mes moshës 15 dhe 27 vjeç.

"Pretty Loud" u krijua me synimin për t'u ofruar grave të reja rome të njëjtat të drejta dhe liri si meshkujve romë. "Në traditën tonë, gratë nuk kanë të drejtë të marrin vetë vendimet, por janë të detyruara të bëjnë gjëra kundër vullnetit të tyre", thotë 27-vjeçarja Zlata Ristiç. Por anëtarët e "Pretty Loud" bëjnë atë që duan: këndojnë, kërcejnë dhe udhëtojnë.

Zhivka bën pjesë në grup prej katër vjetësh. "Çdo vajzë që dëshiron të luftojë për të drejtat e grave dhe të mbështesë gratë përmes muzikës, mund të jetë pjesë e grupit tonë," thotë ajo në bisedë për DW.

"'Pretty Loud' lufton për të gjitha gratë e kësaj bote, jo vetëm për gratë rome", thekson 23 vjeçarja Silvia Sinani, anëtare e grupit. "Ne luftojmë për më shumë vetëbesim për gratë. Ne duam, që ato të besojnë në vetvete dhe të mos dyshojnë se ajo që ato bëjnë nuk është e mirë dhe nuk ia vlen."

Kombinim i popit me traditën

Programi muzikor i "Pretty Loud" është një ndërthurje e muzikës pop dhe rep me muzikën tradicionale rome. Anëtaret e grupit muzikor këndojnë në tri gjuhë: romanes, serbisht dhe anglisht. Në tekstet e tyre ata trajtojnë temat e martesës së fëmijëve apo të pabarazisë mes burrit dhe gruas. Suksesi më i madh i deritanishëm ishte pjesëmarrja e tyre në festivalin e sivjetshëm "Women of the World” në Londër.

Serbien Belgrad | Pretty Loud Band
Fotografi: Ilmarfotostudio

"Ishte një nder për ne të dilnim para aq shumë njerëzve në një skenë aq të madhe", rrëfen anëtarja e grupit Silvia Sinani gjithë krenari. Për të "Pretty Loud" është shumë më tepër sesa një bandë muzikkore: "Ne jemi si një familje, psikologe dhe mjeke për dashurinë", shpjegon 23-vjeçarja. "Ne i qendrojmë përherë pranë njëra-tjetrës, e inkurajojmë njëra-tjetrën, edhe pse nganjëherë nuk është e thjeshtë të punosh në një grup të madh vajzash.”

Mbështetje nga Anglia

"Pretty Loud" ekziston në sajë të organizatës së ndihmës "Gypsy Roma Urban Balkan Beats" (GRUBB), e themeluar në Angli në vitin 2006, që ofron projekte arsimore dhe kulturore për fëmijët dhe të rinjtë romë në Serbi. Qëllimi është integrimi afatgjatë social i pjesëmarrësve me anë të përmirësimit të arsimimit dhe si rrjedhojë edhe e mundësive për punësim.

"GRUBB dëshiron t'i largojë fëmijët nga rruga, duke krijuar dhe ofruar vende për të jetuar dhe për të mësuar. Ne duam të ndryshojmë mënyrën se si njerëzit mendojnë për romët dhe të tregojmë se romët mund të jenë të arsimuar," shpjegon Zhivka Ferhatoviç.

"Empowerment" për gratë rome

Në Serbi punonjësit e GRUBB punojnë me rreth 500 romë nën moshën tetëmbëdhjetë vjeçare. Ata ofrojnë mbështetje në të gjitha lëndët shkollore dhe organizojnë workshope për tema të tilla si vallëzimi, muzika, shkrimet krijuese dhe fotografimi. Në fillim shumica e pjesëmarrësve ishin djem. Në sajë të "Empowerment" për vajzat raporti sot qëndron 50:50."

Serbien Belgrad | Pretty Loud Band
Fotografi: Daniel Ibraimovic

Kjo është e rëndësishme, sepse në Serbi sot më pak se 23 përqind e pjesëtarëve të punësuar të pakicës rome janë gra. Në vitin 2011, sipas studimeve, nga gjithsej 56.237 gra rome në Serbi rreth 12.000 ishin analfabete. Regjistrimi i popullatës, i kryer në të njëjtin vit, tregon se vetëm 3510 gra rome kanë përfunduar shkollën e mesme, ndërsa numri i burrave ishte 8042.

Ndihmë financiare nga Gjermania - Bashkëpunimi me shkollat

Për ta ndryshuar këtë mësuesit romë dhe jo romë pranë GRUBB-it në Serbi punojnë ngushtë me shkollat ​​fillore dhe të mesme. Në vitin 2017 organizata e ndihmës fitoi çmimin e parë të Komisionit Evropian për projektin më të suksesshëm, që mbështet integrimin e Romëve në Serbi.

Edhe organizata rinore gjermane "Schüler Helfen Leben" (SHL) mbështet prej tre vjetësh GRUBB dhe "Pretty Loud". Ndihma funksionon kështu: Nxënës nga e gjithë Gjermania punojnë një ditë dhe ia dhurojnë të ardhurat e tyre SHL-së, për të financuar projekte të zgjedhura në Evropën Lindore. Për shembull "Pretty Loud" në Serbi.

Grupi muzikor i grave rome është një element i rëndësishëm për integrimin e grave të reja të pakicës rome. "Ne nuk këndojmë vetëm për publikun tonë", thotë Silvia Sinani, "por edhe për të ardhmen e brezave të ardhshëm të grave rome. Ne anëtaret e grupit muzikor 'Pretty Loud' luftojmë për motrat tona më të vogla, për fëmijët dhe nipërit tanë."