Turqi: Zi për mijëra viktima të tërmetit
7 Shkurt 2023Si pasojë e tërmetit shkatërrimtar në kufirin turko-sirian, sipas të dhënave të fundit zyrtare kanë humbur jetën mbi 4200 vetë (07.02. 07:00) Mbi 18.000 persona janë plagosur. Meqënëse vazhdon puna e ekipeve të shpëtimit për të nxjerrë njerëzt nga rrënojat numri i viktimave mund të rritet edhe më tej. Situata është dramatike, njerëzit kanë frikë të kthehen në shtëpitë e tyre për shkak të tëmeteve pasuese.
Tërmeti shkaktoi dëme të jashtëzakonshme në jug të Turqisë dhe në veri të Sirisë. Lagje të tëra janë rrafshuar. Mijëra njerëz kanë mbetur të pastrehë tani në dimër kur temperaturat janë nën zero gradë.
Tërmeti i fuqishëm në orët e mëngjesit të së hënës (06.02.2023), sipa stë dhënave të Autoritetit turk të Mbrojtjes nga Katastrofat Afad kishte një forcë goditëse 7,7 ballë. Shumica e njerëzve në atë kohë ishin ende në gjumë. Të hënën pasdite pati edhe një goditje pasuese prej 7,5 ballë po në të njëjtin rajon. Gjithashtu janë regjistruar shumë goditje të tjera pasuese. Lëkundjet e tokës janë ndjerë deri në Liban dhe në Qipro e madje këto lëkundje janë kapur edhe nga aparaturat matëse në Groenlandë.
Presidenti i Turqisë Rexhep Tayp Erdogan shpalli një javë zie kombëtare në vend. Ai e cilësoi këtë si tërmetin më të fuqishëm që nga viti 1939. Atëherë në provincën lindore Erzincan patën gjetur vdekjen 33.000 vetë.
Premtime për ndihma nga e gjithë bota
Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, António Guterres u shpreh "thellësisht i prekur" për këtë katastrofë. OKB është e gatshme të japë ndihmë emergjence, siguroi Guterres.
Kancelari i gjermanisë Olaf Scholz në një telegram ngushëllimi i shprehu presidentit Erdogan "dhimbjen e thellë". Gjermania do të ndihmojë për përballimin e fatkeqësisë, theksoi kancelari.
Bashkimi Europian do të mbështesë edhe Sirinë e prekur nga kjo katastrofë. Premtimet për ndihma janë dhënë edhe nga SHBA, Rusia, Ukraina, India, Pakistani, Irani, Izraeli, Britania e Madhe, Greqia dhe shumë shtete të tjera.
wa/bru (dpa, afp, rtr)