Turqi: Partia opozitare CHP zgjodhi liderin e ri
6 Nëntor 2023Partia Republikane Popullore (CHP) e opozitës turke zëvendësoi të shtunën udhëheqësin e saj Kemal Kilicdaroglu me Ozgur Ozel-in.
Ozgur Ozel, një ish-farmacist dhe figurë partiake më pak e njohur, u bë lideri i ri me mbështetjen e kryebashkiakut të Stambollit Ekrem Imamoglu.
Ai mori 812 vota nga një nummër i përgjithshëm i mundshëm prej 1366 në kongresin e partisë në Ankara, të cilit iu deshën dy raunde votimi për të përcaktuar rezultatin.
"Ky është nderi më i madh i jetës sime,” tha Ozel pas shpalljes së rezultateve. "Ne jemi në rrugën e fitores në zgjedhjet lokale”, kur Turqia shkon drejt zgjedhjeve të rëndësishme lokale në mars 2024.
"Ne besuam në shndërrimin e dëshpërimit në shpresë, ne jemi plot shpresë," tha Ozel ndërsa që u përshëndet nga mbështetësit e tij, duke përfshirë Imamoglun.
CHP dëshiron të bazohet në sukseset e saj të mëparshme
13 vitet e zotit Kilicdaroglu si kreu i CHP-së, krijuar nga themeluesi i Turqisë moderne, Mustafa Kemal Atatürk, përfunduan me kritika për mospranimin e tij që të jepte dorëheqjen pasi nuk arriti të kapërcejë pragun e mbështetjes prej 25 për qind për nivelin kombëtar.
"Unë e kam mbajtur me nder trashëgiminë e udhëheqësit tonë të madh Atatürk deri sot," tha zoti Kilicdaroglu në platformën X, të njohur më parë si Twitter, duke pranuar rezultatin dhe duke uruar Ozelin.
"Dhe sot, me vendimin e marrë nga delegatët e kongresit tonë, i them lamtumirë pozitës së kryetarit".
Ozel tani do të drejtojë CHP-në në zgjedhjet lokale të 31 marsit të vitit të ardhshëm.
Partia synon të rifitojë qytetet e mëdha, duke u mbështetur në sukseset e saj të mëparshme pasi fitoi Stambollin dhe Ankaranë ndaj partisë së Erdoganit në vitin 2019.
aud (dw)