Turqi: Parlamenti turk votoi për hyrjen e Suedisë në NATO
24 Janar 2024Pas një viti e gjysmë grindjeje politike, parlamenti turk miratoi pranimin e Suedisë nëNATO. Mbrëmë në Ankara 287 deputetë votuan pro, 55 kundër dhe 4 deputetë abstenuan. Tani presidenti Rexhep Tajip Erdogan duhet të nënshkruajë të ashtuquajturin protokoll pranimi, i cili konsiderohet pothuajse i sigurt. Megjithatë, mbetet për t'u parë nëse Turqia do ta përfundojë ratifikimin në kohën e duhur. Sepse, vetëm pas nënshkrimit të Erdoganit, vendimi do të publikohet në Fletoren Zyrtare.
Vendi i NATO-s Hungaria gjithashtu duhet të pajtohet zyrtarisht me pranimin e Suedisë në aleancën ushtarake perëndimore. Të gjitha 29 vendet e tjera aleate e kanë bërë tashmë këtë.
Qeveria suedeze dhe ajo gjermane e mirëpresin këtë veprim
Kryeministri suedez Ulf Kristersson njoftoi në platformën X se vendi i tij tani është një hap më afër anëtarësimit në NATO. Në Berlin, qeveria gjermane tha se e mirëpret vendimin e parlamentit turk. "Ky është një vendim i rëndësishëm dhe korrekt." Qasja e ardhshme thuhet se do të forcojë më tej NATO-n në tërësi. Qeveria supozon se procesi i anëtarësimit tani mund të përfundojë shpejt.
Erdogani dhe kushtëzimet
Në funksion të luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës, Suedia së bashku me Finlandën paraqitën një kërkesë për anëtarësim në NATO në maj 2022. Finlanda u pranua në aleancë në fillim të prillit të vitit të kaluar si anëtarja e 31-të. Erdogan e lidhi miratimin e vendit të tij, ndër të tjera, me dorëzimin e avionëve luftarakë nga Shtetet e Bashkuara. Megjithatë, deri më tani, miratimi i Kongresit Amerikan ende mungon.
Turqia gjithashtu e ka justifikuar vazhdimisht bllokadën e saj me "angazhim joadekuat të Suedisë kundër organizatave terroriste". Ankaraja është kryesisht e shqetësuar për Partinë Punëtorëve Kurde (PKK) dhe formacionet paraushtarake të kurdëve sirianë - YPG.
Qeveria në Stokholm iu përgjigj kërkesave të Turqisë me ligje më të rrepta kundër terrorizmit. Kishte gjithashtu zemërim për miratimin e djegies së Kuranit në Suedi, gjë që tërhoqi kritika të ashpra nga Ankaraja.
Vitin e kaluar, Erdogan tërhoqi veton e tij disamujore dhe në fund të tetorit paraqiti protokollin e anëtarësimit në NATO në parlament për ratifikim. Është e paqartë, megjithatë, nëse drita jeshile e Ankarasë është e kushtëzuar nga lëshimet në negociatat e armëve.
Orbán dëshiron të flasë me suedezët
Kryeministri hungarez Viktor Orbán ka siguruar vazhdimisht se vendi i tij nuk do të jetë i fundit që do ta ratifikojë pranimin. Nuk është ende e qartë se kur do të votojë parlamenti hungarez. Anëtarët e partisë në pushtet Fidesz kanë akuzuar politikanët suedezë për "gënjeshtra të pashpirt" për gjendjen e demokracisë hungareze.
Orban ftoi kolegun e tij suedez Krissersson të bisedojë për anëtarësimin në NATO, në mënyrë që të shkëmbejë mendime "për bashkëpunimin e ardhshëm në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes si aleatë dhe partnerë".
Suedia reagoi me kujdes. "Së pari duhet të mendojmë se çfarë thotë letra," tha Ministri i Jashtëm Tobias Billström. "Ne shpresojmë, natyrisht, që Hungaria do ta ratifikojë pranimin sa më shpejt të jetë e mundur."