Turqi: Në sektorin e ndërtimit bien këmbanat e alarmit
18 Nëntor 2018Qeveria turke ka shumë dëshirë të prezantojë projekte prestigjioze - ura pompoze, ndërtime gjigande, qendra tregtare të mëdha, projekti më i madh aktualisht, aeroporti i Stambollit, që një ditë synon të jetë më i madhi në botë. Sinjali që do të dërgojë qeveria: sektori i ndërtimit po lulëzon.
Për 15 vite me radhë ky sektor shihej si forca lëvizëse e ekonomisë turke, por tani kanë filluar të bien këmbanat e alarmit. Gati 2 milionë vetë janë të punësuar në sipërmarrjet e ndërtimit në Turqi. Por ato janë të zhytura në borxhe, me rreth 60 miliardë euro, tani atyre iu ngushtuar edhe më laku. Ndërkohë që kërkesa në sektorin e ndërtimit po bie dhe shitja e imobilieve bie rregullisht me rreth 10% në muaj.
Fryrje artificiale
Qeveria turke e sheh veten të detyruar ta shpëtojë nga kriza sektorin e rëndësishëm që vitin e kaluar ka ofruar 4,7% të prodhimit të brendshëm bruto-. Sipas raportimeve në media Ankaraja po përgatit një paketë msash ndihme, por ekspertët janë skeptikë, nëse ato janë masat e duhura. Një problem i këtij sektori është fryrja artificiale e bumit të tij. Dikur ishte shumë e lehtë për sipërmarrjet e ndërtimit të merrnin kredi në shuma të mëdha, me norma të ulta interesi dhe afatgjata, thotë eksperti i financave, Uğur Gürses.
„Për një kohë të gjatë ky sektor merrte kredi me 1% normë interesi. Kjo e rriti kërkesën për imobilie duke sjellë një bum ndërtimesh."
Por shenjat e para të krisjes u dukën që në vitin 2016, pas përpjekjes për puç ushtarak e zhvillimet e mëpashme politike në vend sollën keqësimin e koniunkturës, që po ashtu çoi në rënien e çmimeve të imobilieve. Nga ana tjetër, thotë Gürses, në Turqi është derdhur shumë më pak kapital në këto vite, gjë që ka krijuar probleme në sektorin financiar të ndërtimit. Gjithnjë ka pasur fushata të sektorit të ndërtimit për ta zgjidhur problemin. Mbështetësit më të mëdhenj të këtij sektori kanë qenë bankat publike, por edhe burimet e tyre financiare me ngadalë po pakësohen, sipas ekspertit.
Sipas Autoritetit Turk të Mbikqyrjes së Bankave, BDDK kreditë e sektorit të ndërtimit përbëjnë 15% të të gjithë kredive në Turqi. Ndërsa Instituti Turk i Statistikave, TÜIK konstaton se blerja e apartamenteve në shtator 2018 shënoi një rënie me 9,2% krahasuar me një vit më parë.
„Rreth 800.000 imobilie të pashitura"
Qeveria në Ankara kërkon të mbështesë sektorin e ndërtimi me një pakt financiar. Sipas mediave turke, po planifikohet që Shoqëria e Imobilieve, gjysmështetërore, „Emlak Konut" të blejë apartamentet e ndërtesat e pashitura. 30% e çmimit të shitjes do të rrjedhë sipas kësaj tek sipërmarrjet e ndërtimit, me pjesën tjetër do të shlyhet mali i borxheve. Ministria e Ekonomosë nuk i ka konfirmuar e as nuk i ka hedhur poshtë deri më tani këto raportime. Por a mund t'i ndihmojë kjo sektorit në krizë?
Nazmi Durbakayım është kryetar i Shoqatës së Sipërmarrjeve të Ndërtimit në Stamboll. Ai thotë se nuk dihet, se si do të veprojë qeveria me imobiliet e pashitura deri më tani. Por ai shpreson. "Në Turqi ka aktualisht 800.000 imobilie të pashitura. Ne shpresojmë, që me programin e qeverisë që i fut ato në inventar, këto imobilie të shiten brenda 3-5 muajsh.”
„Kërcënimi i sektorit bankar"
Një zgjidhje e shpejtë e problemit është mjaft akut, thotë profesori i ekonomisë në Universitetin e Ankarasë, Yalçın Karatepe. Problemet e sektorit të ndërtimit ndjehen edhe në sektorë të tjerë, për shkak të lidhjeve të sektorëve të ndryshëm të ekonomisë me njëri-tjetrin. Sipas Karatepe, sipërmarrjet e ndërtimit nuk mund ta shlyejnë vetë malin prej 60 miliardë eurosh të borxheve. „Ky rrezik kreditimi përbën kërcënimin më të madh për sektorin bankar."
Karatepe kritikon masat e qeverisë, sepse kjo do të bëjë që shteti të futet më shumë në borxhe. „A do të blejë më vonë qeveria edhe automobilët që nuk i blen më njeri?", pyet Karatepe. Programi i ndihmës do të zbuste simpotimat, por nuk do të luftonte arsyet. „A duhet të veprojë shteti në këtë mënyrë, që të marrë përsipër borxhet e sektorit të ndërimit, dhe të bëjë që të paguajë taksapaguesi për të gjitha problemet?" Hapi i parë do të ishte që të pranohej që sektori i ndërtimit në Turqi është në krizë.