1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turqi: diskriminimi në librat shkollorë

Senada Sokollu/Bahri Cani1 Tetor 2013

Qeveria turke ka paraqitur një plan demokratik për të drejtat e minoriteteve. Ka disa ndryshime serioze, por opozita pohon se shumë gjëra ende nuk janë bërë publike. Ajo kërkon edhe më shumë masa.

https://p.dw.com/p/19rcP
Foto simbolike për nxënësit.
Foto simbolike për nxënësit.Fotografi: picture-alliance/dpa

Sociologu Kenan Cayir nga Universiteti Bilgi në Stamboll punon prej 11 vitesh në projektin e tij "Të drejtat e njeriut në librat shkollore". Së bashku me një fondacion turk për histori, ai është duke rishikuar me qindra libra shkollore turke, me qëllim që nga ato të menjanohen gjërat diskriminuese ndaj minoriteteve në Turqi. Ndër to janë edhe kurdët, armenët kristianë, grekët ortodoksë, hebrenjtë dhe romët. "Librat shkollorë turk janë të shkruar në frymën ekskluzive nacionaliste", kritikon Cayir, në një bisedë me DW. "Sipas këtyre librave, në Turqi ekzistojnë vetëm turqit. Kurdët apo bashkësitë e tjera jomyslimane nuk ekzistojnë në këto libra."

Të drejtat e minoriteteve në Turqi mund të forcohen në të ardhmen: Erdogani ka bërë të ditur të hënën (30.09.2013) se në shkollat private në të ardhmen mund të mbahet mësimi edhe në gjuhët e tjera. Ndërsa në shërbimet publike do të mund të mbahen edhe shamitë në kokë.

Me paketën demokratike "do të zgjidhen problemet e vëllezërve të mij kurdë, arabë, çerkezë, boshnjakë, romë dhe të tjerë", deklaroi Recep Tayyip Erdogan për gazetën Hürriyet. Partia më e madhe opozitare CHP i ka kritikuar qëndrimet e partisë në pushtet AKP. "Ne nuk dimë asgjë për paketën demokratike. Ajo duhet të sjellë demokraci në një vend ndërsa opinioni nuk di asgjë për këtë paketë? Kjo s'ëshët e mundur", deklaroi shefi i CHP Kemal Kilicdaroglu.

Recep Tayyip Erdogan
Recep Tayyip ErdoganFotografi: dapd

Paragjykimet

Megjithë dallimet në mendime, ekspertët si Cayir shpresojnë se do të ketë ndryshime pozitive. Kjo sepse në veçanti kurdët janë të diskriminuar, gjë që dëshmohet edhe në libra. "Kurdët në këto libra përmenden vetëm një herë: në kontekstin e luftës për pavarësinë e Turqisë (1919 - 1923), si një bashkësi e rrezikshme." Paragjykimet janë pjesë e sistemit shkollor që u jepet gjeneratave të reja që nga vegjlia, thotë Cayir.

Edhe romët e Turqisë përballen me shumë paragjykime. Në librat shkollore ata nuk përmenden fare. Ke përshtypjen se ata nuk ekzistojnë fare, thotë Cayir. Ndërkohë që qeveria në Ankara për herë të parë për romët si komunitet ka folur publikisht para tre vitesh.

"Romët nuk definohen në Turqi si një entitet më vete. Ata trajtohen si shtresa më e ulët e shoqërisë. Diskriminimi i romëve është më shumë një diskriminim social klasor", thotë Elmas Arus, kryetar i Shoqatës për të drejtat e njeriut "Zero diskriminimit", në Stamboll. Në Turqi nuk ka të dhëna se sa romë jetojnë në këtë vend. Disa flasin për një milion, të tjerët mendojnë se ka shumë më shumë.

Dallimet duhet të njihen

Fjala "cigan" në Turqi ka një konotacion shumë negativ, thotë Arus: "Kur i thua dikujt cigan menjëherë e krahason me ndonjë vjedhës apo qytetar pa kulturë". Qëllimi është që kjo fjalë të hiqet nga fjalori. "Në paketën për demokraci duhet të përmenden edhe romët. Ndryshe për ta nuk ka kurrfarë shprese", thotë Arus. Por problemi i romëve me siguri që nuk do të zgjidhet vetëm me heqjen e fjalës "cigan".

Kenan Cayir
Kenan CayirFotografi: privat

Sociologu Kenan Cayir nënvizon po ashtu problematikën e identitetit në Turqi. "Shoqëria turke duhet të pranojë dallimet", pohon ai. Ky do të ishte hapi i parë drejt një bashkëjetese.