1. Kalo tek përmbajtja
  2. Kalo tek lista qendrore e navigimit
  3. Kalo tek më shumë oferta të DW

Turizmi lulëzon

Sabine Kinkartz6 Mars 2014

Në panairin ITB në Berlin ka fluks të madh vizitorësh. Panairi më i madh i turizmit në botë është komplet i prenotuar. Pjesa më e madhe e ekpozuesve kanë fytyra të gëzuara -biznesi me javët më të bukura të vitit lulëzon.

https://p.dw.com/p/1BKg2
Symbolbild Sommerurlaub Strand
Fotografi: haveseen - Fotolia.com

Të shohësh diçka nga bota, të udhëtosh në vende të largëta - në të gjithë botën gjithnjë e më shumë njerëz e kthejnë në realitet këtë dëshirë. Falë dinamikës së tregjeve të reja në Kinë, Indi dhe Rusi, numri ndërkombëtar i turistëve vitin e kaluar u rrit me pesë për qind në nivelin 1,1 miliardë. Organizata Botërore e Turizmit UNWTO parashikon që brenda pak vitesh ky numër të arrijë 1,4 deri 1,5 miliardë turistë.

Gjermanët kontribuojnë në këtë rritje me një pjesë të konsiderueshme. Në krahasim ndërkombëtar ata janë kampionë për udhëtime, dhe krahasohen në këtë drejtim vetëm me kinezët, të cilët janë gjithashtu shumë të dhënë pas udhëtimeve. 65 miliardë euro shpenzuan gjermanët vitin e kaluar vetëm për një pushim jashtë vendit. Kjo e gëzon presidentin e Shoqatës Gjermane të Turizmit (DRV), Jürgen Büchy. "2013 ishte një vit rekord pasi xhiroja e operatorëve turistikë gjermanë u rrit me 3,5 për qind në një nivel të ri të lartë prej 25,3 miliardë eurosh. Kjo do të thotë gati një miliard euro xhiro më shumë se në vitin 2012."

Kërkesa për oferta paketë

Spanien Cadaques Costa Brava
Spanja mbetet destinacioni numër një i pushimeve për gjermanëtFotografi: alexsalcedo/Fotolia

Edhe më të mira janë shifrat këtë vit. Rritjet e xhiros për sezonin e verës sipas të dhënave të Büchy janë të larta. Rritja vjetore e xhiros për sektortin mund të jetë deri pesë për qind. Për këtë kontribuon edhe kërkesë e lartë për udhëtimet e organizuara. 40 milionë paketa u shitën vitin e kaluar nga të cilat edhe në epokën e internetit 85 për qind në rrugë krejt klasike në një agjenci turistike.

Forma e udhëtimit të organizuar, megjithë zërat kundër, ka triumfuar dhe vazhdon të rritet, deklaron Büchy. "Klientët tanë i kushtojnë gjithnjë e më shumë rëndësi parashikimit të kostove, shërbimit të gjithanshëm dhe para së gjithash një mase të madhe sigurie në rast ngjarjesh të paparashikuara."

Për gjermanët destinacionet turistike klasike të vitit të kaluar do të mbeten të tilla edhe gjatë 2014. Plot një e treta e pushuesve zgjedhin për javët më të bukura të vitit vendin e tyre, Gjermaninë. 70 për qind udhëtojnë jashtë vendit, gjysma në vendet e Mesdheut. Vetëm shtatë për qind e të gjithë pushueve kanë qenë vitin e kaluar në destinacione të largëta. Në krye të listës së destinacioneve më të preferuara është edhe këtë vit Spanja, pasuar nga Italia dhe Turqia.

Gjermanët shpenzojmë shumë para për udhëtimet turistike

Meksika vend partner i ITB 2014
Meksika vend partner i ITB 2014Fotografi: picture-alliance/dpa

Ndërkohë që Greqia ka shënuar një rritje dyshifrore në prenotime dhe Tunizia tërheq sërish më shumë turistë, destinacione si Egjipti dhe Tailanda kërkohën shumë më pak se vitin e kaluar thotë presidenti i DRV-së Büchy. "Qytetarët gjermanë i prenotojnë pushimet shumë kohë përpara, diçka e mirë për ne, dhe kërkojnë gjithnjë e më shumë oferta në segmentin cilësor dhe me çmime të larta. Njerëzit kërkojnë udhëtime individuale dhe të veçanta."

Megjithë euforinë sektori gjerman i turizmit nuk mungon të tërheqë vëmendjen e politikës në ITB për zhvillime problematike. Marrëveshja e koalicionit e qeverisë së re gjermane në disa pika ishte më pak dramatike nga sa druhej ky sektor, thotë Michael Frenzel, president i Shoqatës Federale të Ekonomisë Gjermane të Turizmit. Megjithatë perspektiva e një takse rrugore për të huajt, futja e një page minimale dhe ruajtja e taksës për ndotjen e ajrit, nuk janë në favor të suksesit të këtij sektori.

ITB edhe platformë politike

Zhvillime thuajse dramatike ka reforma e taksës mbi ushtrimin e aktivitetit. "Këtu nuk është fjala vetëm për firmat e mëdha por para së gjithash për ato të mesme", thotë Frenzel. Një agjenci nga Bavaria për shembull, që ofron udhëtime me autobus dy ose triditore dhe që merr me qera edhe hotele, sipas fiskut gjerman duhet të paguajë taksë mbi ushtrimin e aktivitetit për këtë marrje me qera. Ose një tjetër shembull ekstrem: një operator organizon një udhëtim me motorr në SHBA, gjatë të cilit ai jep me qera jo vetëm Harley-Davidson por edhe dhoma. Edhe në këtë rast duhet paguar taksa për aktivitetin." Kjo është kërcënuese për ekzistencën e bizneseve, thotë Frenzel.

Panairi Ndërkombëtar i Turizmit (ITB) në Berlin është ndër pikat më të rëndësishme të takimit për sektorin e turizmit. Në sallat e panairit përcaktohen tendenca turistike dhe lidhen marrëveshje miliardëshe. Në panairin e 48-të ITB, i cili vazhdon deri të dielën, janë regjistruar më shumë se 10.000 ekspozues nga 189 vende dhe rajone. Priten rreth 170.000 vizitorë ndër të cilët 110.000 vizitorë nga sektori i turizmit. Vend partner i panairit këtë vit është Meksika.